Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Prishtinë dhe Mitrovicë

Nën drejtimin e mjeshtrit skocez-italian Dario Salvi, Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert më 28 nëntor 2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Programi përfshinë vepra të jashtëzakonshme nga kompozitorët: Beethoven, Holst, Ketèlbey, Jones etj.

Mbrëmja do ta kulmojë me premierën kosovare të veprës “Illyrian Dances (Valle ilire)” nga kompozitori Guy Woolfenden.

Mysafir special i mbrëmjes do të jetë gajdexhiu nga Malta, Stefan Mercieca, ndërsa pjesë e koncertit do të jetë edhe Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës.

Koncerti do të përsëritet në Mitrovicë më 30 nëntor 2024, në sallën e rinovuar të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena”, duke filluar nga ora 19:30./express/KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me premierën botërore “Joko” dhe virtuozitetin e violonçelistit Manaev e dirigjentit Salvi

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë erdhi nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, duke prezantuar kështu një mori veprash të ndryshme të cilat zgjuan emocione të llojllojshme brenda orëve interpretuese. Meloditë, tingujt e sidomos pjesëmarrja e violonçelistit virtuoz, Konstantin Manaev, kanë lënë gjurmë të paharrueshme mbrëmë për të pranishmit që patën rastin të përjetojnë një koncert të veçantë, ritmik e delikat, shkruan KultPlus. 

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre përkatëse duke mbushur sallën komplet, në prapavijë dëgjoheshin shushurimat e instrumenteve që po prekeshin nga instrumentistët pak para nisjes së koncertit. Perdet e zeza të vendosura në skenë i dhanë një hijeshi modeste estetikës së koncertit, teksa reflektorët në ngjyrë të vjollcë jepnin përshtypjen e një koncerti serioz. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh saktësinë e interpretimit të Orkestrës Frymore. Ora shënoi 19:35, heshtja hyri në eshtra dhe tingujt u ngjallën me një lëvizje dore të dirigjentit i cili u mirëprit me duartrokitje, për herë të katërt tashmë në Prishtinë. 

Sa herë që Filharmonia e Kosovës mban një koncert, bashkëngjitet edhe një respekt i papërshkruar i audiencës besnike të këtij institucioni. Vepra e parë qe Simfonia për ansambël frymorë në g-mol A 509 e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, që erdhi nëpërmjet një fryme lozonjare por tejet të bukur. Dirigjenti Salvi pa shkop në duar, nisi mbrëmjen magjike krejt lehtazi. Instrumentistët e vendosur në skenë dukej se ishin të krijuar për të. Ata i jepnin frymë instrumenteve dhe e gjallëronin atmosferën në mënyrë të përsosur e precize. 

Ajka e mbrëmjes padyshim që ishte vepra koncert për violonçel dhe orkestër frymore e kompozitorit austriak Friedrich Gulda. Violonçelisti Manaev ka gdhendur talentin e tij brenda hapësirës në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Interpretimi i tij qe diçka që zgjoi edhe ndjenjat më të panjohura përbrenda audiencës. Tingujt i ngjasonin elementeve të xhazit, duke e sjellë veprën në një frymë më moderne. Violonçeli para tij dukej i vogël, mirëpo tingujt pasues dëshmuan ndryshe. Nga intensiteti i tyre, kaçurrelat e tij lëviznin poshtë e lartë, sa herë që ndryshonte rrjedha ritmike. Instrumenti për të, ishte një kanavacë në të cilën ai jepte gjithçka nga vetja. Frymëmarrja e tij dëgjohej deri në fund, teksa bëhej gati për të dhënë notat muzikore çast pas çasti. Herë qëndronte drejtë, e herë dukej se e përqafonte tërësisht violonçelin, mirëpo adhurimi i tij për këtë profesion u dallua qysh në minutën e parë. Këtë e vërejti edhe publiku i cili e riktheu në skenë atë, nga duartrokitjet e shumta, për të performuar veprën shtesë ‘Nana’ nga Manuel de Falla me kitaristin Elvis Bytyqi. Tashmë, ata ishin yjet e mbrëmjes dhe këtë e kuptuan edhe vetë ata, andaj e përmbyllën prezencën me një vepër që doli përtej të imagjinueshmes.  

Tutje, pas një pauze prej pesëmbëdhjetë minutave, Orkestra Frymore dhe dirigjenti Salvi, bëheshin gati për të pushtuar atmosferën me premierën botërore “Joko” të kompozitorit gjerman Peter Josef von Lindpaintner. Kjo vepër ishte diçka krejt ndryshe, duke sjellë ndjenja të buta që pasonin vazhdimisht nëpërmjet muzikës. Krahët e dirigjentit dëshmonin për një lidhje emocionale me veprën, ndërsa instrumentistët ishin të mrekullueshëm në këtë pikë. Me origjinë nga baleti, uvertura Joko arriti të gërvishte gjithçka nga të pranishmit, duke i zhveshë ata nga të gjitha emocionet pos njërës; dashurisë. Një dashuri për klasiken, për pjesëmarrjen me trup e me shpirt brenda saj. 

Ndërsa, krejt në fund, u interpretua edhe vepra që shënoi fundin e këtij koncerti madhështor, “Suitë me këngë popullore angleze” e kompozitorit Ralph Vaughan Williams. Si një marsh i zhurmshëm ishin instrumentet frymore, perkusionet dhe telat, të cilat cicëronin këndshëm brenda katër mureve. Instrumentistët po ashtu po marshonin drejt një fundi me melodi të bukura e shpejta sikur akrepat e orës. Duartrokitjet ishin kolapsi i fundit i këtij koncerti të nevojshëm për Prishtinën. Ishin të bollshme e të nevojshme për të nderuar edhe dirigjentin fantastik si dhe Orkestrën Frymore, që me padyshim ka bërë një punë të shkëlqyer për të prezantuar një program kaq mahnitës. 

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij, për KultPlus foli vetë dirigjenti Dario Salvi. 

“Ishte një javë e gjatë, ne punuam shumë dhe jam shumë i kënaqur me rezultatin, veçanërisht me veprën e fundit, kështu që jam shumë i lumtur. Kjo është hera e katërt që punoj me Filharmoninë, por është hera e parë për orkestrën të luaj një ansambël që është një procedurë shumë e vështirë. Ishte një proces në rritje për ne, por ishte e mrekullueshme të dëgjoja ndryshimin nga e hëna në sonte dhe mendoj se ne presim gjëra shumë të mira në të ardhmen. Unë jam shumë i pasionuar pas baletit romantik dhe në veprën Joko muzika mu duk shumë e bukur, por që aranzhimi për orkestër është shumë i vështirë, shumë i ekspozuar. Unë gjithmonë dua të bëj premiera botërore në koncertin tim dhe ne mbijetuam, gjë që është e mirë. Prania e njerëzve ishte ajo që më bëri më shumë përshtypje. Ishte mirë të shihja një shtëpi të shitur sepse nuk e prisja që t’i shihja këtu për shkak të programit specifik.” 

Gjithashtu, violonçelisti Konstantin Manaev për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth koncertit dhe veprës që i pëlqeu të pranishmëve më së shumti.  

“Kjo është hera ime e tretë që performoj në Prishtinë në përgjithësi dhe ky koncert ishte i preferuari im sepse ishte e mrekullueshme të interpretoja pjesën time të preferuar me këtë orkestër. Shpresoj që publiku ta ketë shijuar. Prishtina është si një shtëpi e dytë për mua dhe është kënaqësi të luaj këtu. Muzikantët janë të mrekullueshëm dhe më pëlqen të luaj me ta. Ne bëmë sot një provë gjenerale dhe mund të them se ata janë shumë fleksibil dhe të ndjeshëm, sepse e kuptojnë menjëherë atë që ne duam të bëjmë. Ishte një proces produktiv për të performuar së bashku. Isha shumë i lumtur që arrita të interpretoja pjesën e çmendur që të gjithë dukej se e shijuan.” 

Koncerti i radhës së Filharmonisë së Kosovës vjen më 15 tetor 2024 prej orës 19:30 në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ku Kori i Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit Antonio Gashi do të sjellin një program premierë.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com 

Orkestra Frymore e Filharmonisë shfaqi koncert në Suharekë në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”

Orkestra Frymore e Filharmonisë ka mbajtur koncert në Suharekë në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, të premten mbrëma.

Në koncert u interpretuan vepra nga kompozitor të huaj dhe vendor në dirigjimin e Baki Jasharit dhe Lirojna Sylejmanit. Në rolin e solistëve u paraqitën Adelina Paloja – soprano, Denik Preizreni – bariton dhe Shkumbin Bajraktari – klarinetë.

Koncerti u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Suharekës.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Këtë të diel Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës sjell koncertin premierë

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës këtë të diel (29 maj), përcjell KultPlus.

Sipas njoftimit, koncerti premierë do të mbahet në Qendrën “Bogdani Polis (Katedralja Nënë Tereza) në Prishtinë.

Gjithashtu, koncerti fillon nga ora 20:00.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se sezoni 2021/22 vazhdon me koncertin premierë të Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës më 29 maj 2022”, thuhet në njoftim.

Programi:

ALEXEY SHOR
Uverturë nga baleti “Pallati i kristaltë”
Crystal Palace Overture

RAFET RUDI
Laudatio funebris
për soprano dhe orkestër harqesh
for soprano and string orchestra

DMITRI SHOSTAKOVICH
Koncert për piano No. 2 në F – dur, Op. 102
Piano Concerto No. 2 in F major, Op. 102

ANTONÍN DVOŘÁK
Simfonia Nr. 4 në d – mol, Op. 14
Symphony No. 4 in D minor, Op. 14

ORKESTRA E FILHARMONISË SË KOSOVËS
KOSOVO PHILHARMONIC ORCHESTRA

BESA LLUGIQI Soprano
ARTEMIDA QARRI – HAXHIAJ Piano

Dirigjent / Conductor
ANTOINE MARGUIER/ KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë dhe ajo e FSK-së, vijnë me koncert premierë

Dy orkestrat frymore, ajo e Filharmonisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës do të prezantohen me një koncert të përbashkët, premierë, koncert që do të prezantohet më 4 nëntor, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky koncert ka tre dirigjentë, si: Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla.

Për këtë koncert kanë njoftuar vetë organizatorët, ku edhe po e sjellim të plotë njoftimin.

*Kemi kënaqësinë të prezantojmë koncertin premierë të Orkestrës Frymore të Filharmonisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2021/2022. Koncerti organizohet më 4 nëntor 2021 (E enjte) prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për të rezervuar ulësen tuaj shkruani e-mail në [email protected].

Vëmendje!

Në titull shkruani / Rezervim 4.11.2021 – Emri dhe mbiemri. Përmes një e-maili ju mund të rezervoni vetëm një ulëse. Për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 bartja e maskës është e detyrueshme dhe për të hyrë në sallë ju duhet të posedoni një certifikatë vaksinimi ose test PRC jo më të vjetër se 72 orë. Dyert e sallës mbyllen në orën 19:00. / KultPlus.com