Koncerti i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë përkujtoi Fahri Beqirin dhe solli tri premiera botërore

Era Berisha

Kryeveprat e jashtëzakonshme të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë u jetësuan mbrëmë nga talenti i shquar i Korit të Fakultetit të Arteve, Korit të Filharmonisë së Kosovës, kompozitorit Valton Beqiri, violinistit Visar Kuçi, Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli dhe baritonit Denik Prizreni, të cilët frymuan së bashku për të sjell një repertor sublim që përmbante tri premiera botërore si dhe tri vepra që përkujtuan kompozitorin Fahri Beqiri në një vjetorin e vdekjes së tij, me ç’rast koncerti krijoi një spektër të guximshëm të melodive dhe tingujve që mbrëmë dolën përtej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Ky koncert mahnitshëm portretizoi literaturën muzikore korale që në thelb përmbante disa nga veprat më të bukura shqiptare të kompozitorëve si: Fahri Beqiri, Mendi Mengjiqi, Arben Ramadani, Drinor Zymberi, Josif Minga dhe Valton Beqiri. Veprat e titulluara “Mars” nga Mendi Mengjiqi, “Të kesh mall” dhe “Vaj si qenka ba dynjaja” nga Arben Ramdani, erdhën mbrëmë si premiera botërore të cilat Kori i Filharmonisë i interpretoi në një mënyrë aq të bukur saqë publikun e futi në një gjendje të çuditur nga përsosmëria harmonizuese e tyre.

Pasi që të pranishmit tashmë kishin zënë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën në tërësi, pasoi qetësia tashmë e njohur nga ana e publikut. Ndërsa, ishin dy podiume të gjata që po pritnin hapat e pjesëmarrësve të Korit të Fakultetit të Arteve për të mbushur skenën e cila në prapavijë po mbizotërohej nga ngjyra e zezë e perdeve të gjata. Të veshur në të zezë kokë e këmbë, Kori i Fakultetit të Arteve priti lëshimin e parë të dorës të dirigjentit Edon Ramadani për të sjell veprat e fuqishme si: “Shkoj e vij fluturim si zogu” për kor femrash ku Kori ishte i vendosur edhe në hapësirën lart në katin e dytë, “Erdh Misiti” dhe “Madrigali i Ibrit plak” për kor të përzier, të cilat sollën një interpretim ku duart e dirigjentit luhatnin në harmonizim me intensitetin e vokalit të tyre, aty ku dallohej dhe veçantia më e bukur e tyre.

Tutje ishte Kori i Filharmonisë së Kosovës ai që mrekullisht pushtoi skenën me interpretimin e veprave si: “Mars”, “Të kesh mall”, “Shkoni krushqi”, “Vaj si qenka ba dynjaja” dhe “Paska çelur moj pranvera”. Të pozicionuar në hapësirën e tyre specifike tradicionale, për të sjell gjithsej pesë vepra sa ritmike po aq edhe melankolike ku tri nga të cilat ishin premierë, vokali i tyre arriti të prekë dhe hyjnoren e tingujve e melodive. Si çdo herë, Kori dëshmoi për talentin e tyre të pakrahasueshëm e të veçantë në stilin e tyre. Ndonëse të kufizuar në një hapësirë të vogël, ishte zëri i tyre i gërshetuar ai që depërtoi lehtësisht ndërmjet të pranishmëve dhe doli përtej sallës si një hije e pandashme që portretizonte dhuntinë e tyre.

Kësaj here dukshëm vërehej dhe programi tejet i pasur i koncertit me ç’rast në skenë doli violinisti Visar Kuçi dhe pianisti Valton Beqiri për t’iu bashkangjitur Korit e për të interpretuar veprën “Udhëtim sonor” nga Valton Beqiri, vepër kjo e cila solli ndërlidhjen e rrallë dhe tejet të nevojshme për një program unik. Një piano, një violinë dhe vokali i Korit, u shndërruan në një urë lidhëse të tingujve gërshetues të cilat ngërthyen publikun në strofullën e saktësisë të qartë dhe pastërtisë të kristaltë së magjisë poseduese që dhurohej nga ata.

Pas një pushimi dhjetë minutash, në skenë po shtoheshin disa karrige të tjera në një numër të madh, për të pritur kështu edhe Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranon Zana Abazi-Ramadani, tenorin Ismet Vejseli dhe baritonin Denik Prizreni. E pastër si loti dhe e gjatë mbi më shumë se njëzet minuta, u interpretua vepra e fundit për këtë natë “Mesha Nr.2 në G-dur, D.167” të kompozitorit të njohur, Franz Schubert. Lëvizjet ritmike të kokave dhe duarve të Orkestrës shpalosën një interpretim tejet të bukur të tyre ku me inkuadrimin e zërave po aq të bukur të sopranos, tenorit, baritonit si dhe me vokalin e njëtrajtshëm të Korit, shënuan fundin e një nate me copëza magjike të paharrueshme.

Teknika e duhur korale, harmonia e gërshetuar precize ndërmjet interpretuesve, programi unik që anonte nga meloditë shqiptare, dhënia e shpirtit të secilit anëtar të dy Koreve, instrumentistëve dhe treshes vokale që u paraqitën sonte, janë dëshmitarë të seriozitetit, punës së madhe dhe dashurisë për muzikën klasike, rrënjët e së cilës strehohen në Filharmoninë e Kosovës me të gjitha degët e saj.

Në anën tjetër, ishte vetë dirigjenti Edon Ramadani ai i cili gjatë gjithë këtij koncerti la gjurmë të paharrueshme. Përgjatë gjithsej dy orëve, vepër pas vepre, ai drejtoi kahjen e interpretimeve të njëpasnjëshme ku herë me një dorë e herë me dy, ai vazhdueshëm komandoi jo vetëm të dy Koret e paraqitura, Orkestrën, tingujt e violinës e pianos, vokalin e tre interpretuesve të Meshës por edhe vështrimin e fokusin nga të pranishmit mbrëmë. Qysh nga momenti i parë, skena ishte shndërruar në trupin e tij i dytë dhe ai arriti të fiksonte natën me artin e shenjtë të dirigjimit, mjeshtëria madhështore e së cilës u dallua në secilën vepër. Kështu, në përfundim të koncertit nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që vazhdonin pa ndalë, me ç’rast shpalosej dëshira që ky koncert të mos kishte një fund.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe veçantinë e tri veprave premierë, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.

“Programi ishte tre pjesësh dhe natyrisht ishte një përgjegjësi e madhe sepse kishim tre ansamble të mëdha duke nis nga Kori i Fakultetit të Arteve të cilët i kishim mysafirë këtu sonte. Pastaj Kori i Filharmonisë e pat pjesën e parë kryesisht me ‘A cappella’ dhe në fund përfundoi me veprën e profesorit Valton Beqiri i cili ishte dhe në piano së bashku me violinistin Visar Kuçi. Kisha kënaqësinë që sonte t’i kisha tri premiera botërore dhe në pjesën e tretë interpretuam Meshën me solistët e talentuar. Por më e bukura ishte se pas shumë kohëve, salla ishte përplot e mbushur”, thotë Ramadani.

Sipas tij, tri premierat ishin shumë të bukura, shumë të ndjeshme dhe stilistikisht të ndryshme nga njëra-tjera në secilin aspekt. Andaj, për të ishte dhe një përgjegjësi më e madhe sesa përsëritjet e zakonshme ngase xhirimi i parë mbetet një dokument për interpretimet e radhës.

Po ashtu, sopranoja Zana Abazi-Ramadani për KultPlus tha se Meshat janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme për t’u interpretuar.

“Fillimisht dua të falënderoj Filharmoninë e Kosovës dhe dirigjentin Edon Ramadani që më dhanë këtë mundësi për të performuar këtë Meshë. Meshat siç dihen nuk janë edhe aq të lehta të performohen për shkak të mjeshtërisë brenda tyre e po ashtu nuk mund të këndohen nga secili solist, ngase janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme njëkohësisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që të ndaj skenën me të gjithë këta njerëz të talentuar”, tregon Abazi-Ramadani.

Ndërsa, violinisti Visar Kuçi mbrëmë për veprën e kompozitorit Valton Beqiri tha se tani kishte marrë një kuptim të cilin e meritonte vepra.

“Perfomanca e sotme ishte më e mira prej atyre që i kemi bërë gjatë provave dhe gjatë përgatitjeve, edhe pse unë këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë para disa viteve. Sonte më është dukur se e ka marrë tamam atë kuptimin që e meriton vepra. Veçantia e veprës është që kompozitori ka arritur me fragmente ose tema të shkurtra për të na dhuruar një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare. Të gjitha ato tema që ishin të vendeve të ndryshme në fakt në partiturë ndodhen edhe emrat e tyre dhe secila karakterizohet me një ritëm dhe një melodi”, thotë Kuçi.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tetovë

Veprat e kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: Benjamin Britten, Jean Sibelius, Karl Jenkins, Valton Beqiri si dhe Drinor Zymberi do të gjallërohen nën dirigjimin e Agona Cupit, me rastin e realizimit të koncertit nga Orkestra Harmonike së Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti realizohet në kuadër të sezonit 2020/2021 dhe do të mbahet të premten duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski Smok‘’ në Tetovë, Maqedoni e Veriut.

Koncerti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komunën e Tetovës dhe KTV-së. / KultPlus.com



Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës u rikthye me koncert, Çupi: Ne morëm frymë përsëri

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Harkore së Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes veprave të ndryshme nga kompozitorë botërorë e shqiptar dhe me inkuadrimin e melodive bujare të cilat konsiderohen një mbingarkesë e veçantë, mbizotëruan pa mëshirë atmosferën në një ylber emocionesh të cilat dolën nga kontrolli qysh në piklën e parë të lëshuar butësisht nga performimi e deri tek rrokullisja izoluese e vetmisë hyjnore së tingujve që goditnin vazhdimisht atmosferën, shkruan KultPlus. 

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Harkore e solli në një mënyrë tejet të veçantë, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Benjamin Britten, Jean Sibelius dhe Karl Jenkins, për ta përmbyllur këtë natë magjike me kompozitorin shqiptar Drinor Zymberi që solli veprën premierë të titulluar ‘Folk Suite’, një vepër kjo që shënoi fundin e një koncerti i cili vazhdimisht frymoi në një ndezje të brishtë nga instrumentet diversive të cilat tashmë krijojnë përshtypjen se janë një ekspozitë e gjallë e melodive unike dhe tingujve përrallor. 

Pasi të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër specifik të karrigeve dhe njëkohësisht ishin bërë pjesë e pandashme e qetësisë së përkryer që përcillte çdo anë të atmosferës, pasoi edhe pëshpëritja e ëmbël e cila shprehej përmes instrumenteve harkore të cilat mbrëmë shndrisnin nga performimi i instrumentistëve të cilët dëshmuan se talenti i tyre shkrihet tërësisht në një kulminacion që merrte flakë dhe së bashku me dritat e kuqe në sfond, u krijua përshtypja se pavarësisht se sa herë dëgjojmë një koncert nga Filharmonia e Kosovës, emocioni që dhurohet pamëshirshëm nga instrumentistët, nuk është i krahasueshëm me asnjë ndjenjë, për arsye se secili koncert sjell një magjepsje që bredh e zhveshur dhe fut publikun në një përhumbje hipnotizuese. 

Kësaj here, ajo se çka dallohej nga performanca e instrumentistëve ishte manovrimi i instrumenteve të posaçme harkore, jo nën interpretimin e harkut por të duarve të tyre, që sollën një hijeshi trazovaçe e cila e gëlltit plotësisht atmosferën me një thithje të vetme dhe pushton publikun me detajet e veçanta të cilat veçse janë pjesë e domosdoshme e performimit si: mbështetja e këmbëve në një pozitë të caktuar ndaj këmbës së karriges që shërben për të mbajtur instrumentin në vend dhe lëvizja e duarve së bashku me instrumentin, duke formuar kështu një imazh ku violina kishte kapluar shpirtin e performuesit dhe në vend të tij po frymonte e vetme, në një vetmi që ngjasonte me rrëfimin e fshehtësive të futura thellë brenda njeriut, të cilat do të mund të dilnin në pah vetëm nën dritën e hënës.  

E ndonëse, hëna e as ndriçimi i saj nuk ishin të pranishme fizikisht, në vend të saj aty pari dëgjoheshin cicërimet e zogjve që u bënë pjesë e interpretimit të veprave mahnitëse, duke sjell një egërsi të melodive që po i shoqëronte tingujt e Orkestrës Harkore që dirigjoheshin nga Agona Çupi, e cila dirigjonte jo vetëm veprat por edhe frymëmarrjen e instrumenteve e që nëse do të ekzistonte një emër për këtë emocion do të ishte: qetësia e vetmuar. Ky emocion që mbështjellë shikimin, trupin dhe lëviz të rrahurat e zemrës në një fluturim qetësie, erdhi pikërisht mbrëmë nga talenti unik i këtyre performuesve. 

Harmonia hyjnore e tyre erdhi në fund, me ç’rast u dallua edhe pa përmbajtja e duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat dëgjoheshin sikur një trubullimë e valëve dinake por që nuk mungonin as për një sekondë të vetëm, duke vënë një kontrast dukshëm të ëmbël nga ajo se çfarë kishim dëgjuar deri më tani. 

Kurse, për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës së saj, për KultPlus foli vetë dirigjentja Agona Çupi. 

“Pjesëmarrja në koncert erdhi si ftesë nga bordi menaxhues i Filharmonisë së Kosovës ku programin e koncertit e kemi përpiluar së bashku dhe me orkestrën kemi krijuar një raport tejet të mirë duke bërë që gjërat të ecnin mirë sepse procesi i provave ka nisur qysh të hënën dhe së bashku me orkestrën kemi kaluar shumë mirë ku gjithçka ishte brenda suazave normale dhe performancës live”, thotë Çupi. 

Sipas saj, nata ishte me shumë emocion. Për të, Filharmonia e Kosovës gjithmonë ka qenë një vend ku ajo ka dashur të performojë e të jetë pjesë e një koncerti.

“Është një ëndërr e realizuar, sigurisht pas një pauze të gjatë me pandeminë dhe pa publik, ndjenja sonte ishte shumë e bukur sepse ishte njëra nga përjetimet më të bukura dhe u ndjeva sikur u rikthyem dhe morëm frymë përsëri”, thotë Çupi për KultPlus. 

Për Çupin, kjo natë do të ngelet si njëra nga ato netët e veçanta shkaku se publiku ishte prezent dhe mjaft i ngrohtë, instrumentistët ishin mbështetës duke e përkrahur atë dhe prandaj nuk ishte e vështirë puna me ta.  

“Unë u ndjeva shumë e mirëpritur dhe realisht uroj që në të ardhmen të përsëriten netë të tilla”, potencon Çupi. 

Ndërsa, ajo në fund thotë se si dirigjente duhet të jetë neutrale sa i përket preferencave të saj, por fakti që vepra e Drinor Zymberit ishte premierë, i dha asaj një emocion të veçantë. 

“Nuk është hera  e parë që i bëj premierë atij sepse stili i tij më përshtatet dhe prandaj do e veçoja sepse më dha një emocion të veçantë dhe përgjegjësi të veçantë shkaku se u performua për herë të parë”, përfundon Çupi për KultPlus. 

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. / KultPlus.com