‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ për kompozitorin dhe regjisorin Osman Mula

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitorin, regjisorin dhe moderatorin e shquar Osman Mula me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Titulli i lartë iu akordua Mulës me motivacionin “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, si regjisor, kompozitor, instrumentist dhe moderator përgjatë 45 viteve të karrierës së tij. Në vlerësim të përkushtimit të madh ndaj përhapjes së kulturës kombëtare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar.”

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Meta theksoi se në fjalën e tij se “titulli regjisor shpreh vetëm një pjesë e dimensionit të punës dhe veprimtarisë shumëplanëshe të tij, sepse Osman Mula, është vërtet një nga regjisorët më të njohur të Radio-Televizionit Shqiptar dhe të vendit, por ai është edhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime, është instrumentist, saksofonist i talentuar, por është edhe moderator dhe drejtues i suksesshëm shumë emisioneve të muzikës”.

“Në karrierën e tij 45-vjeçare, me një krijimtari të gjerë artistike,  Mula ka pasqyruar dhe ka qenë protagonist në shumë aktivitete kulturore dhe artistike të vendit. Firmën e Osman Mulës e mbajnë 20 festivale të këngës në Radio Televizion. Ashtu siç janë realizuar me mjeshtëri dhe mbajnë firmën e tij, edhe mjaft koncerte të vitit të ri, ndërtuar me aktorë brilantë të humorit shqiptar e këngëtarë të shquar të vendit, që na shoqëronin në familjet tona natën e ndërrimit të viteve. Por, Osman Mula ka qenë po aq i suksesshëm edhe me spektakle të mrekullueshme, ndërtuar me krijimtarinë më të mirë të kompozitorëve tanë, me të cilët krenohemi të gjithë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Agim Krajka, Agim Prodani, e shumë të tjerë”, nënvizoi Meta.

Regjisori Mula, vijoi Meta, ka realizuar mjaft bashkëpunime me ‘Teatrin e Operas dhe Baletit’, si dhe me ‘Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore’, dhe njëkohësisht, ka bashkëpunuar me të gjitha estradat e vendit, duke mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të vogël, me mijëra teleshikues, në varietenë e së shtunës.

“Për shumë dekadash, Osman Mula ka qenë regjisor i jetës koncertale simfonike të orkestrës së RTSH-së, dhe njëkohësisht regjisor i festivaleve ‘Kur vjen pranvera’, ‘Festivali i interpretuesve’ apo ai i këngës popullore. Realizimi i disa prej portreteve më të mëdha artistike shqiptare si: Prenk Jakova, Vaçe Zela, Skënder Sallaku, Fadil Kraja, Tano Banushi, etj, i dedikohet punës dhe përkushtimit të Osman Mulës.  Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente të reja, e që ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe artin kombëtar e duke e harmonizuar atë me modernen apo dekadenten. Pa dyshim Osman Mula është një nga regjisorët më të njohur edhe në fushën e sportit. Ai ka ndërthurur me mjeshtëri spektaklin artistik me spektaklin në fushën e blertë”, nënvizoi Meta.

Meta bëri të ditur se Mula ka qenë po i suksesshëm, në promovimin e turizmit shqiptar, nëpërmjet koncerteve të regjistruara në natyrë dhe në vende të rëndësishme historike e kulturore./atsh/ KultPlus.com