Presidentja Osmani takoi Komandantin e KFOR-it: Bashkëpunimi i ngushtë i nevojshëm për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n.

Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin.

Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale.

Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Trumpin: Kosova e gatshme të punojë me ju për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka dërguar një letër urimi presidentit të 47-të të ShBA-së Donald Trump, për marrjen e detyrës.

Ajo u shpreh se Kosova është e gatshme të punojë edhe me zëvendëspresidentin JD Vance dhe administratën amerikane, për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve.

“Për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”, u shpreh ajo.

“Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese të mëdha”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani takohet me Walkerin, e falënderon për të vërtetën e Reçakut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Ambasadorin William Walker.

E para e shtetit e falënderoi Walkerin për kontributin e tij për siç tha, të vërtetën për Masakrën e Reçakut.

“E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Osmani tha se Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit që u masakruan brutalisht më 15 janar 1999.

Presidentja Osmani uron Milanoviqin për rizgjedhjen president i Kroacisë: Do të forcojmë partneritetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Zoran Milanoviqin për rizgjedhjen si president i Kroacisë.

Përmes një postimi në X, presidentja Osmani tha se së bashkë do të forcojnë edhe më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, përcjell Klankosova.tv.

“Urime, i nderuari President Milanoviq, për rizgjedhjen tuaj si President i Republikës së Kroacisë. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë. Së bashku, ne do të forcojmë edhe më tej partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

Presidentja Osmani u nënshkrua në Librinë e Zisë për Presidentin Carter

Gjatë ditës së sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u nënshkrua në Librin e Zisë për Presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.

Me këtë rast, Presidentja Osmani ka shkruar:

emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter.

Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave.

Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë./ KultPlus.com

Osmani pret në takim ministrin hungarez: Duhet të qëndrojmë unikë që të shmangen sulmet terroriste nga Serbia

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin hungarez për Çështjet e BE-së, Janos Boka, me të cilin folën për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian si dhe stabilitetin rajonal.

E para e shtetit tha se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi sipas saj, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë.

“Sipas Presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE”.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në njoftim thuhet se në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkatësisht në veriun e vendit, osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve.

“Presidentja Osmani theksoi nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Presidentja Vjosa Osmani tregon çka foli me Elon Musk

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se çfarë ka diskutuar me miliarderin, Elon Musk, në Paris të Francës.

Ajo zbuloi detaje nëpërmjet një postimi në “X”.

“Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, ka shkruar e para e vendit.

Presidentja Osmani sot merr pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame me ftesë të Macron

Presidentja Vjosa Osmani sot do t’iu bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame.

Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée , në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni.

Presidentja do të jetë në Paris krahas presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.

Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë.

Presidentja Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra nga ne nuk është vërtetë e lirë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, tha se lufta nuk është vetëm për gratë, por për familjet, shoqëritë dhe të ardhmen e vetë drejtësisë.

Në një postim në “X”, e para e vendit më tutje shkruan se “derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra nga ne nuk është vërtetë e lirë”.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, na kujtohet se lufta nuk është vetëm për gratë – është për familjet, shoqëritë e lulëzuara dhe të ardhmen e vetë drejtësisë. Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjë nga ne nuk është vërtetë e lirë”, ka shkruar presidentja.

1 mijë ditë luftë Rusi – Ukrainë, Osmani: Fitorja e Ukrainës, fitore e Evropës

Janë bërë 1 mijë ditë prej se ka nisur lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainë.

Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të qëndrojë pranë Ukrainës derisa të arrihet fitorja.

Osmani tha se fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës.

“1000 ditë qëndrueshmëri e jashtëzakonshme, forcë e palëkundur… Fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës – një qëndrim vendimtar për lirinë dhe drejtësinë”.

“Kosova do të qëndrojë me Ukrainën derisa të arrihet fitorja”, shkroi Osmani në X.

Presidentja Osmani riafirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.

Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se  Kosova aktualisht  është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone

Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.

Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.

Presidentja Osmani takohet me Rumen Radev, flasin për fushën e mbrojtjes dhe të arsimit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me  presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Presidentja Osmani me këtë rast ka thënë se Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Me presidentin Rumen Radev, diskutuam për bashkëpunimin në politikën e jashtme, në fushën e mbrojtjes, arsimit, si dhe për mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, ka shkruar presidentja Osmani në facebook./ KultPlus.com

Presidentja Osmani merr konfirmimin: Lituania vazhdon ta mbështesë fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, është takuar në Budapest me homologun e saj të Lituanisë, Gitanas Nauseda.

E para e vendit bën me dije se e ka falënderuar Nausedan, dhe theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale, transmeton Klankosova.tv.

“Mora konfirmimin e tij se Lituania do të vazhdojë të na mbështesë edhe më tej për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në Facebook.

Presidentja Osmani për çmimet e Korit Siparantum në Spanjë: Arritje e jashtëzakonshme, rinia jonë është e pandalshme

Kori Siparantum dje ka fituar ‘Medalje të Artë’ në Spanjë në garat botërore të koreve “Sing for gold”, si dhe është vlerësuar edhe me ‘Çmimin Special’ për programin kontemporan më të mirë dhe interpretim në skenë.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull se rinia e Kosovës është e pandalshme.

Më poshtë gjeni postimin e plotë në platformën X:

“Një moment krenarie për Kosovën!

Kori Siparantum ka ngritur edhe një herë lart flamurin tonë, duke sjellë në shtëpi Medaljen e Artë dhe një çmim special për programin më të mirë bashkëkohor dhe performancën skenike në Kupën e Koraleve Botërore në Barcelonë.

Një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull tjetër se rinia jonë është e pandalshme”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron presidenten e re moldave: Putini kërcënim jo vetëm për Moldavinë, por për të gjithë Evropën

Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Maia Sandu pasi është zgjedhur presidente e Moldavisë.

Në një postim në platformën X, ajo ka deklaruar se duke votuar për të përfshirë aspiratat e tyre evropiane në kushtetutën e tyre, populli i Moldavisë ka zgjedhur shpresën, unitetin dhe një të ardhme më të ndritur.

“Është një testament i fuqishëm për udhëheqjen dhe vizionin tuaj të guximshëm – një vizion i Moldavisë ku i përket: Në BE. Pavarësisht taktikave dhe operacioneve hibride të vazhdueshme të Rusisë dhe të përfaqësuesve të saj për të sabotuar votimin, demokracia ka triumfuar sërish”.

“Putini dhe përfaqësuesit e tij janë një kërcënim jo vetëm për Moldavinë, por për të gjithë Evropën. Megjithatë, demokracitë qëndrojnë të bashkuara, të forta dhe të gatshme për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani në Dubrovnik: Riafirmova mbështetjen për ukrainasit

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik të Kroacisë.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se edhe një herë e ka shprehur përkrahjen e Kosovës për Ukrainën.

“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri!”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani në Gjermani takohet me ministrin Ozdemir

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë pune në Gjermani, ka takuar ministrin gjerman të Bujqësisë, Cem Ozdemir.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për nxitjen e marrëdhënieve të ngushta me Gjermaninë, duke njohur rolin jetik të shtetit gjerman si partner kyç në zhvillimin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Presidentja Osmani në Nju Jork takohet me studentë shqiptarë: Ata mishërojnë thelbin e rinisë sonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Nju Jork, takoi studentë nga Kosova, Shqipëria e mërgata, të cilët aktualisht studiojnë në disa nga universitetet më prestigjioze të “Ivy League” në Shtetet e Bashkuara.

Osmani në agjendën e saj të ngjeshur përgjatë kësaj jave me takime të shumta, gjeti kohën dhe për mërgatën tonë.

“Nga studimet e politikave deri te neuroshkenca, këta studentë mishërojnë thelbin e rinisë sonë: potencialin e pakufishëm”, u shpreh ndër të tjera Osmani.

Presidentja Osmani në New York: Historia e Kosovës shfaq partneritetin, fuqitë e aleancave dhe demokracisë

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për ndjenjën dhe përjetimet e një refugjati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 24 shtator në Clinton Global Initiative në New York.

Ajo para të pranishmëve ka thënë se njerëzit e Kosovës e kanë dashtë lirinë dhe këtë nuk ka mundur askush t’ua mohojë e ndalojë pa marrë parasysh se sa e gjatë ishte rruga për këtë.

“Të jesh një refugjatë të formon si person, por edhe profesionalisht për të gjithë jetën. Dhe të inspiron në vete për nevojën që t’i shërbesh vendit tënd, njerëzve të tu dhe njerëzimit në botë”.

“Unë e di që jemi shtet i vogël por fuqishëm e besoj se ndikimi i jonë në botë nuk duhet të përkufizohet me madhësinë gjeografike apo vendndodhjen. Por për historinë që kemi për të thënë, historia e Kosovës është ajo që shfaq partneritetin, fuqinë e aleancave, dhe fuqinë e demokracisë”.

“Dhe tregon e asgjë nuk mund të qëndrojë në rrugën e njerëzve që dëshirojnë të jenë të lirë, asgjë pa marrë parasysh sa e vështirë është rruga, dhe pa marrë parasysh sa gjatë, gjithmonë ti do të jesh aty. Askush nuk mund të ndalojë njerëzit që duan të jenë të lirë”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani takon mërgatën në ShBA: Mbrëmje madhështore, ashtu si raportet tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York është takuar dje me mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka thënë se kjo mbrëmje ishte madhështore, ashtu si marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Një mbrëmje madhështore në mesin e mërgatës sonë dje, ashtu siç është edhe lidhja ndërmjet Kosovës dhe Amerikës! Faleminderit Shoqatës ‘Ulqini’ dhe të gjitha shoqatave të tjera pjesëmarrëse për organizimin”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Presidentja Osmani: Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot ishte pjesë e diskutimit me temën “Gratë në vijë të parë”, të organizuar nga “Clinton Global Initiative”.

Osmani gjatë fjalimit të saj ka përmendur se “Gratë e Kosovës kanë qenë gjithnjë në ballë të çdo procesi historik të Republikës”.

“si në kohën e rezistencës, ashtu edhe në luftë, në shtetndërtim dhe në çdo proces vendimtar për të ardhmen tonë”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në New York po mbahet sesioni i 79-të i Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së.

Presidentja Osmani takohet me kryeshefen e MCC-së, e falënderon për marrëveshjen 236 milionëshe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Osmani tha se Albrightin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë së Kosovës.

“Në Neë York, e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë në Kosovë, përmes marrëveshjes historike në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e e cila po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë”, shkroi Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më 22 korrik të vitit 2022, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emër të Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej 236.7 milionë dollarëshe.

Presidentja Osmani: Të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë talente që nderojnë shtetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka marrë pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi” në Suharekë.

Përmes një postimi në Facebook, Presidentja Osmani ka thënë se të rinjtë e Suharekës do të kenë mundësi për të zhvilluar talente që do të nderonin shtetin dhe flamurin e Kosovës.

“Në këtë vend, e kaluara jonë, e cila personifikohet me jetën dhe veprën e Ukë Bytyqit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve tanë!

Tashmë, të rinjtë tanë do të kenë mundësi më të madhe për ta zhvilluar talentin e tyre, duke nderuar komunën, shtetin dhe flamurin e Kosovës!”/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën, qëndron shteti serb

Presidentja, Vjosa Osmani pas zbulimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë ka folur edhe për protestat e serbëve në pikat kufitare që lidhin Kosovën e Serbinë, ku tha se prapa bllokadave në pikat kufitare me Kosovën, qëndron shteti serb.

Presidentja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dalë me qëndrim publik për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë.

“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada.…I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka thënë Osmani.