Në qytetin e Podujevës në një ceremoni të organizuar nga Komuna sot është zbuluar shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Shtatorja është zbuluar nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti, Teuta Rugova e bija e presidentit, kryetari Shpejtim Bulliqi dhe Fatmir Sejdiu.
Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot 7 shtatorin, Ditën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut.
Ajo tha se 7 shtator i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Ky akt historik simbolizon guximin, unitetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës në luftën e pandërprerë për liri e pavarësi. Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në urimin e saj, ajo thotë se aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.
Më tej, presidentja tha se shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin.
Lexoni më poshtë urimin e plotë të shefes së shtetit:
Fillimi i vitit të ri shkollor është ditë e veçantë për nxënësit, por po kaq shumë edhe për prindërit dhe mësuesit. Është dita kur oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve që kthehen nga pushimet verore, nga përqafimet mes shokëve dhe shoqeve që nuk janë parë për një kohë të gjatë, dhe nga sytë plot kuriozitet të atyre që hyjnë për herë të parë në tempullin e dijes. Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë.
Por, përtej simbolikës së ditës së parë të shkollës, suksesi i arsimit varet nga angazhimi ynë i përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.
Të dashur nxënës, sot nisë një kapitull i ri plot me mundësi dhe ëndrra për t’i realizuar. Të nderuar mësimdhënës, vazhdoni t’i frymëzoni zemrat dhe mendjet e reja me pasion dhe përkushtim.
Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Pragë u takua me ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty.
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit thotë se për popullin e Kosovës, aleanca me Mbretërinë e Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“Raportet e veçanta dhe historikisht të mira në mes të dy vendeve tona shërbejnë si themel i paluhatur për avancimin tutje të bashkëpunimit bilateral”, shkroi presidentja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe sivjet ka marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku ka diskutuar me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota.
Presidentja Osmani ka shkruar në Facebook se në këtë diskutim u përqendrua në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, si dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
“Kënaqësi që edhe sivjet të jem e ftuar nga Forumi Evropian Alpbach në Austri. Sot, në një diskutim dinamik me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota, u përqendruam në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, si dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta demokratike”, ka thënë shkruar Presidentja Osmani në facebook.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.
Presidentja Osmani me këtë rast ka ritheksuar mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
“Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, ka thënë Presidentja Osmani në këtë takim./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur një grup albanologësh nga mbarë bota, të cilët po marrin pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqipe.
Presidentja Osmani ka thënë se në këtë takim kanë biseduar për kontributin e shumë brezave dhe gatishmërinë e tyre për themelimin e një institucioni të kultivimit të dijeve për gjuhën shqipe.
“Në 50 vjetorin e Seminarit për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, prita një grup albanologësh nga mbarë bota, me të cilët diskutuam për kontributin e shumë brezave, gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për ta themeluar një institucion të kultivimit të dijeve për gjuhën shqipe, letërsinë e kulturën shqiptare”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Ajo tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë”.
“Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, me të cilin folën për përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.
Bëhet e ditur se Radoniqi e njoftoi Osmanin lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve.
“Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri”.
“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Osmani tha se ka besim që KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet, duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardeve më të larta demokratike.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, është takuar me vajzat e klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës.
Presidentja Osmani me këtë rast është shprehur se e ardhmja është më ndritur kur dihet se secila vajzë mund të shkëlqejë në çdo arenë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, së bashku me vajzat e jashtëzakonshme të klubeve të futbollit nga Prishtina, Malisheva e Vitomirica e Pejës.
E ardhmja është më ndritur kur çdo vajzë mund të shkëlqejë jo vetëm në fushën e futbollit, por në çdo arenë, duke e ditur se vlerësohet dhe duke e ditur se mund të arrijë gjithçka”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.
Sipas postimit nga ana e Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në fushën e sigurisë si dhe angazhimin e vazhdueshëm për konsolidim të mëtutjeshëm të pozitës ndërkombëtarë të Kosovës, përcjell Klankosova.tv.
Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për mbarëvajtjen e procesit të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe për përkushtimin e plotë për garantimin e një procesi zgjedhor demokratik dhe të suksesshëm.
Thellimi i vazhdueshëm i raporteve bilaterale dhe koordinimi i rregullt për tema të interesit nacional ishin po ashtu pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindoni, do të qëndrojë të dielën në Kroaci me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Millanoviq.
Çifti presidencial do të ndjekë garën e 309-të vjetore me kuaj që mbahet në qytetin kroat të Sinjit çdo të diel të parë të gushtit që nga viti 1715.
“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vjen në alkën e Sinjit me ftesë të presidentit Millanoviq, i cili si vitet e kaluara është edhe sponsor i saj. Ardhja e saj në Sinj është dakorduar më parë me kryesinë e Shoqëria Kalorësit e Alkut, e cila vitet e fundit po përpiqet të ndërkombëtarizojë këtë ngjarje tradicionale kalorëse në Sinj dhe do të promovohet jashtë kufijve të Kroacisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Zyrës së Presidentit kroat, raporton Klankosova.tv.
“Milanoviq, si sponsor i alkës së Sinjit, e mbështet këtë përpjekje të Shoqërisë Kalorësit e Alkut , kështu që vitin e kaluar ai ftoi presidentin e atëhershëm të Hungarisë, Katlin Novak, në alkën e Sinjit, ndërsa një vit më parë, mysafir ishte, presidenti i asaj kohe i Sllovenisë, Borut Pahor, burrështetasi i parë i huaj në alkën e Sinjit”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Gjatë qëndrimit në Sinj, Milanoviq dhe Osmani do të vizitojnë ekspozitën “Vanja Radaush dhe Stipe Sikirica – dialog mes mësuesve dhe nxënësve”. Me këtë rast ata do të vizitojnë edhe Muzeun e Alkës.
Në një konferencë për media Presidentja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur me të njejtin diskurs ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një tjetër kënge të Dafina Zeqirit.
Ministrja e Jashtme më 30 korrik duke folur në një aktivitet të organizuar nga MPJ-ja për mërgimtarët, pasi ka performuar Dafina Zeqiri, ka thënë se ajo “e këndoi këngën e presidentes – ‘llafe, llafe’”.
Kurse si kundërpërgjigje ndaj kësaj Presidentja Osmani e ka përmendur këngën e Zeqirit “Me t’kast”, të lansuar së fundmi në bashkëpunim me Mozzikun.
“Nuk e kom pa, po u dashka me gjet edhe me pa. Nuk do të komentoja raporte, por kemi dallime në qëndrime dhe janë të qarta dhe publike. Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Përndryshe, Dafina një përkrahëse e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani dhe Ministrja Gërvalla kanë pasur përplasje rreth qështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ministrja Gërvalla kishte dërguar një letër Këshillit të Evropës, në emër të Qeverisë, duke u zotuar se Kosova do ta bëjë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Pas kësaj Presidenca doli me reagim në të cilin thuhej se për letrën nuk pati koordinim mes Qeverisë dhe Osmanit./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Paris, është pritur në takim nga presidenti i FIFA-a, Gianni Infantino, me të cilin diskutoi për prezantimin e deritashëm të garuesve të Kosovës në Lojërat Olimpike, por edhe për mundësitë për mbështetjen nga kjo organizatë për zhvillimin e infrastrukturës sportive të shtetit tonë.
Theks i veçantë në takim iu kushtua mbështetjes së futbollit të vajzave si dhe bashkëpunimit në projekte konkrete.
Në këtë kontekst Presidentja shtroi nevojën për ndërtimin e fushave të reja sportive në funksion të zhvillimit të sportit dhe zhvillimit të talentëve të rinj.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, ndërkaq tha se kjo organizatë sportive është e gatshme që për çdo fushë sportive që ndërtohet në Kosovë, FIFA ta ofrojë ndërtimin e një fushe të re. Poashtu u diskutua për bashkëpunim në programe të sportit në shkolla si dhe fusha të tjera./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Bëhet e ditur se Osmani me Hovenierin folën për koordinimin e takimeve dhe aktiviteteve gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ajo do ta përfaqësojë vendin në cilësinë e kreut të shtetit.
“Tutje, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit nacional”.
“Presidentja e ka njoftuar ambasadorin amerikan lidhur me nisjen e fazës së konsultimeve me krerët e partive politike sa i përket zgjedhjeve të rregullta, ndërkaq në këtë takim, Presidentja Osmani u njoftua edhe me Zv. Ambasadoren e re të SHBA-së, znj. Anu Prattipati”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mbahet nga 10 deri më 24 shtator.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në Paris të Francës, ku dje u prit nga homologu i saj francez, Emmanuel Macron, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.
Osmani tha se në Pallatin Elysee u takua edhe me liderë e delegacione nga e mbarë bota, ku tha se folën për raportet në mes shteteve.
“Në pritjen nga Presidenti Macron në Pallatin Élysée, takuam liderë dhe delegacione nga mbarë bota dhe diskutuam për raportet ndërmjet shteteve tona. Fuqizimi i miqësive dhe partneriteteve me shtetet anekënd botës është në interes të vendit dhe qytetarëve tanë”, shkroi Osmani.
Më tej, Osmani ndau listën e gjatë të takimeve që ka zhvilluar në Paris, ku ndër ta ishte ai me Zonjën e Parë të ShBA-ve, Jill Biden, kryeministrin e Britanisë, Mbretin e Holandës, Mbretin dhe Mbretëreshën e Danimarkës, ata të Belgjikës, e shumë të tjerë.
Më poshtë gjeni listën e plotë të takimeve të Osmanit në Paris:
Përveç Presidentit francez dhe Zonjës së Parë franceze, gjatë ngjarjeve zyrtare takuam gjithashtu Zonjën e Parë të SHBA-ve, Dr. Jill Biden; Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar; Mbretin e Holandës; Mbretin dhe Mbretëreshën e Danimarkës; Mbretin dhe Mbretëreshën e Belgjikës; Emirin e Katarit; Mbretin e Butanit; Dukën dhe Dukeshën e Luksemburgut; Presidentin e Paraguajit; Kryeministrin e Holandës; Presidentin e Madagaskarit; Presidentin e Polonisë; Presidentin e Portugalisë; Kryeministrin e Belgjikës; Presidenten e Sllovenisë; Presidentin e Singaporit; Presidentin e Bullgarisë; Presidenten e Gjeorgjisë; Kryeministrin e Sao Tome dhe Principes; Presidentin e Xhibutit; Presidenten e Etiopisë; Presidentin e Guinea-Bissau; Presidentin e Letonisë; Presidentin e Sierra Leones; Zv.Presidentin e Zimbabvesë; Kryeministrin e Sllovenisë; Kryeministrin e Shqipërisë; Presidentin e Kirgizistanit; Presidentin e Bosnje dhe Hercegovinës; Presidentin e Malit të Zi; Kryeministrin e Irlandës; Kryeministrin e Libanit; Kryeministrin e Austrisë; Kryeministrin e Lihtenshtajnit; Kryeministrin e Malit të Zi; Zonjën e Parë të Brazilit, si dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë të pranishëm në këto aktivitete.
Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Republikës Emmanuel Macron dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë krahas liderëve të shumtë botërorë, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, dhe për t`i mbështetur 9 sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra.
Me këtë rast, presidentja Osmani ka potencuar se për Kosovën, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e punës së palodhur, përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve kosovarë.
“Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shtetit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat dhe për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka theksuar Osmani, njofton Presidenca.
Në kuadër të vizitës në Paris, Osmani do të marrë pjesë në Samitin “Sporti për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili organizohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Gjatë qëndrimit në Paris, Osmani e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, janë të ftuar në pritjen e organizuar nga presidenti i Francës në Pallatin Elize dhe në të njëjtën kohë do ta ndjekin paraqitjen e sportistëve të Republikës së Kosovës në Trokadero.
Ata gjithashtu, sipas njoftimit të Presidencës, janë të ftuar edhe në darkën e organizuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Kosova në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, do të përfaqësohet me 9 sportistë në disa disiplina sportive.
Presidentja ka uruar garuesit dhe ka shfaqur bindjen se ata do ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës si dhe do të kthehen faqebardhë nga Parisi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e komunës arbëreshe të Strigarit, Damiano Baffa.
Sipas Presidentes Osmani, identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare, përcjell Klankosova.tv.
Në këtë kontekst, e para e vendit theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për ruajtjen e identitetit arbëresh si dhe përmirësimin e pozitës së tyre në shtetin italian.
Me kryetarin Baffa u diskutua edhe mundësia e bashkëpunimit të Strigarit me komunat e Kosovës në funksion të promovimit të kulturës arbëreshe në Kosovë dhe i asaj të Kosovës në komunat arbëreshe, por edhe ruajtjes së trashëgimisë si dhe shkëmbimeve kulturore të dyanshme.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është takuar e miq të Kosovës në Londër të Britanisë së Madhe.
Në platformën X, ajo ka theksuar se u është falënderuese, në mesin e personave në atë darkë ishte edhe Catherine Aston, ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
“Në Londër, në mesin e miqve të Republikës së Kosovës, ata që qëndruan me ne gjatë ditëve tona më të vështira dhe që vazhdojnë të mbështesin aleancën tonë me Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Britani të Madhe.
Gjatë këtij samiti, ajo është takuar me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Ajo e falënderoi homologun e saj bullgar, për mbështetjen e palëkundur të shtetit të tij, për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe domosdoshmërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe me anëtarësimin në KiE dhe NATO”, tha Osmani.
E para e shtetit të Kosovës atje pati takime me shumë liderë të shteteve të fuqishme si: Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanel Macron, nikoqirin e këtij takimi kryeministrin e britanik Keir Starmer, kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, e cila së shpejti do ta marrë pozitën e Josep Borrell, si përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është nisur për të shkuar në Britani të Madhe, për të marrë pjesë në takimin e katër të Komunitetit Politik Evropian.
Në platformën X, ajo ka theksuar se do të rikonfirmojë devotshmërinë e Kosovës për rrugën euroatlantike.
“Në emër të Republikës së Kosovës, do të takohem me kolegë liderë nga i gjithë kontinenti për të diskutuar zgjidhjet e çështjeve urgjente që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”.
“Ne gjithashtu do të riafirmojmë përkushtimin tonë për forcimin dhe rritjen e aleancave të Kosovës, dhe për ta sjellë vendin tonë më afër institucioneve euroatlantike”, ka shkruar Osmani.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, organizoi sot ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës. Ajo tha se Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë.
Osmani tutje shtoi se në prag të ‘Lojërave Olimpike Paris 2024’, të gjithë së bashku, ashtu siç është sentimenti i popullit në raport me kampionët e vendit tonë, janë tubuar për t’ia dorëzuar garuesve tanë flamurin e Republikë së Kosovës, si bekim për sukses në Paris.
“Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë. Në një botë sikur kjo e sotmja e cila shpesh ndahet nga parimet, lojërat olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësitë tona për të bashkuar nëpërmjet konkurrencës miqësore dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit ekipit olimpik të Kosovës.
Ekipi olimpik do të udhëtojë këtë muaj në Paris të Francës, ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Lojërave Olimpike. Këto lojëra do të fillojnë më 26 korrik dhe do të vijojnë deri më 11 gusht.