Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e lansimit të programit “Kompakt”, ka thënë se është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë.
Sipas saj, ky event përveç shënimit tonë të bashkëpunimit të suksesshëm po ashtu përbën edhe fuqizimin e vendit.
“Ky kompakt përfaqëson më shumë se sa një grant, është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë. Marrëdhënie e ndërtuar në vlera, respekt të përbashkët për prosperitet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se SHBA kanë mbështetur Kosovën dhe kanë qëndruar pranë nesh edhe në ditët më të vështira në secilin hap të saj, duke përpjekur në zhvillimin ekonomik dhe atë demokratik.
“Kompakti që po lansojmë sot nuk është vetëm investim në infrastrukturën e energjisë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, por është investim për të ardhmen e Kosovës dhe njerëzve të saj”, tha presidentja e vendit.
Ajo, tutje shtoi se në qendër të këtij projekti që po lansohet sot është transformimi i energjisë përmes zbatimit të solucioneve inovative dhe vendosja e parimit të barazisë, si parakusht në qëndrueshmërinë në botën e energjisë .
“Si e tiullë MCC-ja fokusohet kryesisht në projektet e ruajtjes së energjisë në bateri që do ta revolucionalizojë energjinë e Kosovës, të adresojë sfidat më të mëdha të Kosovës e të rajonit që është qëndrueshmëri e energjisë dhe besueshmëria në të”, tha mes tjerash presidentja Osmani./rtk/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar ligjvënësit evropian që në këtë mandat kanë mbështetur vazhdimisht Republikën e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Ajo ka falënderuar edhe presidenten Roberta Metsola që ngritën zërin për popullin e Kosovës.
“Kosova ishte e bekuar që kishte miq, aleatë, avokatë të panumërt eurodeputetë që na qëndruan pranë në Parlamentin Evropian. Ata vazhdimisht mbështetën vendosmërinë tonë të qartë ndaj BE-së, përkrahën me këmbëngulje procesin e liberalizimit të vizave dhe ishin kampionë të vërtetë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit dhe Shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal për Punë të Jashtme në Konfederatën Zvicerane, ambasadoren Muriel Peneveyre.
Kështu bën të ditur Presidenca në një postim në Facebook.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin Kosovë-Zvicër.
Osmani potencoi në veçanti raportet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa shprehu rëndësinë e thellimit të mëtejme të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Në këtë frymë, e para e vendit tha se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejmë të partneritetit bilateral.
“Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vënë theksin në impaktin e drejtpërdrejt që ky anëtarësim do të kishte në fuqizimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë, si dhe sundimin e ligjit”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në takim, Osmani dhe Rohde folën për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për zhvillimet e sigurisë.
“Presidentja Osmani, ndër të tjera theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili krijon mundësi të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Në këtë kontekst ka falënderuar ambasadorin Rohde për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e votimit në Asamblenë Parlamentare”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani e Rohde folën edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Presidentja Osmani, e cilësoi Gjermaninë si aleate strategjike dhe mbështetëse të fuqishme e Kosovës në rrugën euroatlantike”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë kritike tej mase ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ajo i tha atij se duhet t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë, duke përmendur katër heroinat Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, që ishin të pranishme sot në seancën e KS të OKB-së.
Po ashtu, ajo e ka pyetur Vuçiqin se a ndihet keq për të kaluarën që ishte pjesë e një kabineti qeveritar të ‘Kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviq.
” Ajo çka deklaroi Vuçiq nuk është e vërtet. U ftoj të gjithëve të vizitoni Kosovën të shihni vet përparimin që kemi bërë demokracinë që është në zhvillim e sipër mund të kuptoni dhe vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij”.
“Unë nuk fola për të kaluarën, unë fola për Kosovën. E tashmë Kosova e sotit është e ndërtuar mbi dhimbjet e së kaluarës për një arsye të vetme për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe e kemi mëusar nga historia se paqja kërkon të përballemi me të kaluarën në këtë kuptim në vend që të shpërndajë propagandë Vuçiqi sot është dashtë të na tregoj se nëse ai se nëse është pajtuar se nuk duhet të ishte pjesë e atij regjimi që ka vrarë 150 mijë civilë. A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka thënë Osmani
“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj në KS të OKB-së, ka përmendur edhe rastet e Vasfije Krasniqi-Goodman dhe të Shyhrete Tahiri-Sylejmanit, të dyja këto gra të dhunuara gjatë luftës, si dhe rastin e Fahrije Hotit, të cilës forcat serbe ia zhdukën bashkëshortin, i cili ende rezulton i zhdukur.
Ajo tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte vetëm 16 vjeçe kur u përdhunua “jo një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit”.
“Ata donin ta shkatërronin dhe t’i vrisnin shpresën. Kjo është arsyeja pse ata zgjodhën pa mëshirë një nga mjetet më mizore të luftës – përdhunimin. ‘Do të vuash më shumë nëse të lëmë të jetosh’, i thanë, ndërsa ajo i lutej ta vrisnin”, tregoi Osmani rrëfimin e Vasfijes.
Megjithatë, Osmani tha se Vasfija, pavarësisht se e jetoi tmerrin, “lulëzoi për të nisur me entuziazëm misionin e saj për të rritur ndërgjegjësimin globalisht për krimin brutal të dhunës seksuale në luftë dhe për t’u bërë e dërguara ime speciale për dhunën seksuale gjatë luftës”.
Krasniqi-Goodman ka nisur një mision për të ndarë ekspertizën e saj mbi qasjet më të përshtatshme për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Osmani tha se ajo është përkushtuar të jetë e pranishme për të mbijetuarit në mbarë botën dhe është kthyer në zërin e tyre derisa të vijë koha që ata të flasin vetë.
Në këtë mision fisnik, Presidentja Osmani tha se “asaj i bashkohet edhe Shyreteja jonë”.
“Shyhrete Tahiri Sylejmani, e cila është gjithashtu pjesë e delegacionit tim sot, është po ashtu një nga mijëra të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Në vitin 1999, edhe ajo ishte shënjestër e këtij krimi lufte më çnjerëzor. Ajo u përdhunua në sy të vajzave të saj të vogla, përkatësisht tre dhe një vjeçe. Forcat e Millosheviqit i kryen këto akte mizore përpara fëmijëve të vegjël që donin të siguroheshin që lëndimi dhe dhimbja të përfshinin brezat – ata donin të vrisnin shpirtin e një populli që gjithmonë ngrihej për paqen, lirinë dhe demokracinë. Megjithatë, ata dështuan”, deklaroi presidentja Osmani.
E para e shtetit tha se ndërsa Vasfija, Shyretja dhe vajzat e saj ende përballen me traumën e luftës, ato janë të palëkundura në angazhimin e tyre për të mos lënë gur pa lëvizur për t’u siguruar që të tjerët të mos e përjetojnë kurrë atë që bënë dhe që drejtësia të vihet në vend.
“Lufta e tyre kundër stigmës dhe kërkimi i tyre për drejtësi janë shembullore. Unë do të vazhdoj të përsëris vazhdimisht, mbajtja e autorëve përgjegjës për këto akte të urryera është përgjegjësia jonë morale”.
“Por numri i rasteve që Serbia i ka vënë prapa grilave autorët e përdhunimit të kohës së luftës është ZERO”, tha Osmani në fjalën e saj.
Ndër të tjera, Presidentja tha se është e “përulur që sot më bashkohet edhe Fahrije Hoti”, teksa tregoi rrëfimin e saj kur në Krushë, ku Fahrija jeton edhe sot e kësaj dite, “pothuajse të gjithë burrat u vranë pa mëshirë, disa ende mbeten të zhdukur me forcë, përfshirë burrin e Fahrijes”.
Ajo tha se më shumë se 1600 persona nga e gjithë Kosova janë ende të zhdukur me forcë në varrezat masive në Serbi, teksa hodhi kritika ndaj Vuçiqit i cili tha se, pavarësisht se ka rënë dakord për hapjen e arkivave përmes një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, vazhdimisht refuzon ta zbatojë atë.
“Zhdukja me forcë e qytetarëve tanë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë, përfaqëson një nga krimet më monstruoze të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ne kërkojmë edhe një herë kthimin e tyre dhe vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për të ndjekur drejtësinë. Ky kërkim nuk ka të bëjë thjesht me gjetjen e përgjigjeve; ka të bëjë me afirmimin e përkushtimit tonë ndaj dinjitetit njerëzor, për të siguruar që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë”.
Ndër të tjera, Osmani tregoi se si Fahrija drejton Kooperativën “Krusha”, një biznes që jo vetëm ringjalli ekonominë e fshatit të saj, por u bë një central elektrik për produktet e saj të njohura në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu.
“Ajo që Millosheviqi dhe ministri i tij i propagandës Vuçiq kërkonin ishte një popull i plagosur dhe i thyer, ajo që ata fituan është një popull që është rezilient, i dhembshur dhe i palëkundur në ambicien e tyre për ta bërë sloganin ‘Kurrë më’ realitet dhe jo thjesht një slogan, duke e vënë ndjekjen për drejtësi në qendër të vëmendjes. Ajo që ata morën është një popull që nuk kërkon kurrë hakmarrje, por kurrë nuk do të heqë dorë nga drejtësia”, potencoi presidentja Vjosa Osmani.
Në fund, Presidentja Osmani i giruoi të pranishmit se “në Republikën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës dhe në popullin e saj do të gjeni gjithmonë një partner dhe një aleat që nuk e merr për të mirëqenë lirinë dhe paqen e saj”.
“Ndërsa ne bëjmë hapa të mëdhenj përpara, asnjë përpjekje e vetme e Serbisë për të mohuar krimet e luftës ose për të rishikuar historinë nuk do të jetë kurrë e suksesshme për sa kohë që ne kemi ende një zë”, deklaroi e para e shtetit, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Kosova 25 vjet pas luftës është duke shkëlqyer në aspektin demokratik.
“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë presidentja.
E para e shtetit ka thënë se intervenimi i NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb jo veç që është shënuar në historinë e vendit, por është shndërruar në pikënisje për historinë e njerëzimit.
“Ky intervenim nga NATO jo veç që ishte për ndërtim të paqes, por parimisht dhe më me rëndësi ka qenë për mbrojtjen e jetëve të njerëzve dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga persekutimet dhe vrasjes. Intervenimi ka vënë në pah se kur një nga ne është në rrezik është rrezik për të gjithë ne. Kjo na ka përkujtuar për veprimin si forcë e përbashkët për drejtësi dhe për mbrojtjen e jetës së njeriut”, ka thënë Osmani.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë.
Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.
Në të dhënat e Osmanit, vlera e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi të bashkëshortit dhe në pronësi të përbashkët kap shumën e 970 mijë e 760 euro.
Osmani ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro, e që po atë vit, në të njëjtën formë – me kursime dhe kredi, ka deklaruar se e ka blerë edhe një garazh kolektive me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro, të dyja këto në pronësi të bashkëshortit.
E para e shtetit ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, për të cilën tha se e kishte ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi, e që vlera e saj është 170 mijë euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit.
Ajo tutje ka bërë të ditur se bashkë me burrin e saj kanë një tokë prej 5.10 ari, e blerë me kursime dhe borxhe në vitin 2016, në vlerë prej 35 mijë euro.
Përveç tokës, pronë të përbashkët me burrin, Osmani ka deklaruar se ka edhe një “banim në varg”, apo vilë me sipërfaqe prej 244 metrash katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe para nga shtija e banesës në Prishtinë.
Osmani tha se ka edhe një tjetër “banim në varg” në emër të bashkëshortit, me sipërfaqe prej 218 metrash katrorë, por që ka vlerën më shumë se dyfishi i asaj të parës – 510 mijë euro. Ajo tha se paratë për blerjen e këtij “banimi në varg” i ka marrë nga shitja e shtëpisë në Australi, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit, shitjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortit, nga kursime dhe hua familjare.
Ndërsa, në pasuri të luajtshme, Osmani ka deklaruar një veturë të tipit “Mercedes-benz” në vlerë 10 mijë euro, e që edhe kjo është në pronësi të bashkëshortit të saj.
E para e shtetit tutje ka deklaruar se para të gatshme i ka vetëm 1 mijë e 168 euro dhe 266.84 dollarë australian, ndërsa detyrimet tha se i ka 105 mijë euro.
Kurse, të ardhurat vjetore i ka deklaruar se i ka 70 mijë e 335.16 euro, ku pagën nga presidenca e ka deklaruar në shumë prej 33 mijë e 70 euro, ndërsa nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në vitin 2024, Osmani tha se i ka marrë 8 mijë e 92 euro.
Osmani tha se bashkëshorti i saj, 17 mijë e 173 euro të hyra vjetore i ka edhe nga paga neto përmes listës së pagave nga Thesari i Kosovës, kurse 12 mijë euro në vit, ajo ka deklaruar se i merr nga të hyrat e qirasë në Australi, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë vendim që ditën e mërkure ta shpallë ditë zie në tërë territorin e vendit, pas vdekjes së dy grave të cilat brenda javës u vranë nga bashkëshortët e tyre.
Presidentja Osmani derisa e ka bërë të ditur vendimin ka shkruar se shoqëria do të jetë në zi çdo ditë sa të ketë raste të tilla.
“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Presidentja Osmani në facebook./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se Kosova qëndron kampione e agjendës së këtij forumi.
“Atëherë këtu më lejoni ta bëj të qartë se Kosova qëndron si kampione, si flamurtare e kësaj agjende për shkak se përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltar të të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë që nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të gjitha institucionet kosovare që kanë punuar me ne për ta bërë këtë forum të suksesshëm, për organizatat e shoqërisë civile, për institucionet e sigurisë, për komunitetin akademik, mediat dhe të tjerët që janë përfshirë”, tha Osmani.
Ajo tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.
“Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës por na duhen edhe leksionet e të kaluarës në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen”, tha Osmani.
“Në këtë sfond të konfliktit, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’i përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha presidentja Osmani. /GazetaExpress/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar është pritur nga presidentja Vjosa Osmani në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet sot dhe nesër në Prishtinë.
Në këtë forum marrin pjesë personalitete nga 40 shtete të botës.
E para e shtetit slloven do të vizitojë edhe trupat sllovene në KFOR.
Ndërkohë, presidentja Osmani ka pritur edhe personalitetet e tjera që do të marrin pjesë në këtë forum.
Më 15 dhe 16 prill, Kosova do të mirëpresë personalitete të ndryshme nga disa shtete të botës në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po në këtë forum, temë bosht pritet të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani derisa nderoi të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kërkoi drejtësi.
“Përpara një viti ne dëgjuam zërin e fuqishëm të të mbijetuarve dhe vendosëm që 14 prilli të shënohet si një akt i përhershëm i solidaritetit tonë. 14 prilli është një kujtim i rezistencës së tyre në ballafaqim me dhunën. Në këtë ditë ne ngrisin zërin për drejtësi. Drejtësia nuk do të jetë e plotë derisa kriminelët nuk dalin para drejtësisë për veprat e tyre. Gjurmët e krimeve të ushtrisë serbe vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve tanë. Për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë do të jetë temë boshtë çështje e dhunës seksuale gjatë luftës. Nesër në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave”, tha presidentja sot në një konferencë për media, raporton RTKlive.
Ajo ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga Ushtria dhe Policia Serbe vazhdojnë të rëndojnë ende jetën e qytetarëve tanë, pas gati 25 viteve të pas luftës.
Osmani tha se dhimbja e Kosovës është e madhe, pasi gjatë luftës së fundit janë dhunuara mbi 20 mijë gra nga ana forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë./rtk/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të aktores, Shirine Morina.
Presidentja Osmani ka thënë se teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar.
“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun”, shkroi Osmani.
Më tej Presidentja Osmani tha se Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive.
“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!”.
“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar masakrat e Studenicës dhe të Llashticës.
25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut.
Të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar.
Presidentja Osmani në 25 vjetorin e masakrave ka thënë së barbaria e regjimit kriminal serb nuk ka njohur moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojnë asnjëherë në kërkim të saj.
“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni.
Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, është shprehur Presidentja Osmani./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka pritur në zyrën e saj një delegacion të përbërë nga përfaqësues të komunitetit rom, të kryesuar nga deputeti Erxhan Galushi.
Presidentja Osmani shprehu urime të përzemërta për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, duke i falënderuar pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë për kontributin e tyre, e të cilët përbëjnë shtyllë të fuqishme të shoqërisë sonë.
Osmani uroi në gjuhen rome – Ditën Ndëkombëtare të Romëve ”Bahtalo 8 Aprili – Lumiako Dive e Romengo” (Urime 8 Prillin – Ditën Botërore të Romëve).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin Abdel Fattah El-Sis për mandatin e tij të tretë si President i Egjiptit.
“Shpresoj që presidenca e tij të kontribuojë në prosperitetin e vazhdueshëm të qytetarëve të Egjiptit dhe pres që të punojmë së bashku për të rritur bashkëpunimin mes Kosovës e Egjiptit”, ka shkruar Presidentja Osmani mes tjerash në postimin e saj në platformën X.
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Bertrand Bouyx, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht deputet në Kuvendin Kombëtar të Francës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se më takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Osmani falënderoi Bouyx për lidershipin dhe mbështetjen e tij për Kosovën në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili me shumicë dërmuese, votoi për të çuar përpara anëtarësimin e Kosovës për votim në Asamblenë Parlamentare.
Presidentja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli e të cilat do të shërbenin si mekanizëm shtesë për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Në këtë frymë, Osmani tha se qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
Presidentja shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës në këtë drejtim, ndërsa ka shfaqur besim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vlerësohet pozitivisht nga deputetët e shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka diskutuar sot në telefon me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.
Me të kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, transmeton klankosova.tv.
”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është shprehur se “përmes kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.
“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, thuhet në njoftim.
“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdulaziz Al Shamsi, me ç`rast diskutuan për zhvillimet e fundit si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Emirate të Bashkuara Arabe.
Në takim me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e procesit tashmë të përfunduar të heqjes së vizave për qytetarët e të dy shteteve, si hap përpara drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani i falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen në shumë fusha, me theks të veçantë në shëndetësi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Kosova kaloi me sukses hapin e parë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.
Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë me aleatët për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës.”, ka shkruar Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës franceze për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
Sipas një komunikate të lëshuar nga presidenca, në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, transmeton Klankosova.tv.
“Gjatë takimit Presidentja Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës”, thuhet në njoftim.
“Më tej, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë, ku Presidentja shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Francën”.
Osmani dhe Troccaz biseduan edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka vizituar kopshtin e fëmijëve në qytetin e Lipjanit.
Presidentja Osmani pas vizitës së fëmijëve në kopsht, nga ku edhe siç ka deklaruar është mbushur me energji pozitive, tha se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme.
“Në mesin e më të vegjëlve tanë në kopshtin e fëmijëve në Lipjan, u mbushëm përplot energji pozitive. E ardhmja e Kosovës është e ndritshme”, ka shkruar Presidentja Osmani/KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Osmani shfaqi besimin se përgjatë mandatit të tij, do të forcohen edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Malajzisë.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e organizatës ASEAN. Në të njëjtën kohë u diskutua edhe për eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim me Malajzinë, veçanërisht në sektorë kyç, si: ekonomia, tregtia, arsimi dhe bujqësia, të cilat ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për përfitim reciprok”.
“Gjithashtu u diskutua edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik, i cili do të jetë mundësi e mirë për shkëmbim ndërmjet bizneseve të të dy shteteve. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit, si brenda ashtu edhe në rajon”, thuhet në njoftim.