Presidentja Osmani flet me O’Brien: Diskutuam për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka diskutuar sot në telefon me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.

Me të kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, transmeton klankosova.tv.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”.

Presidentja Osmani: Përmes kujtesës, refuzojmë të zbehet historia e të rënëve

Presidentja e vendit,  Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është shprehur se “përmes kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.

“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, thuhet në njoftim.

“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”.

Presidentja Osmani falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen në shumë fusha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdulaziz Al Shamsi, me ç`rast diskutuan për zhvillimet e fundit si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Emirate të Bashkuara Arabe.

Në takim me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e procesit tashmë të përfunduar të heqjes së vizave për qytetarët e të dy shteteve, si hap përpara drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani i falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen në shumë fusha, me theks të veçantë në shëndetësi.

Kosova kaloi hapin e parë, Osmani: Do të punojmë me aleatët për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Kosova kaloi me sukses hapin e parë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë me aleatët për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës.”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani takohet me emisarin francez, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës franceze për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Sipas një komunikate të lëshuar nga presidenca, në takim u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, transmeton Klankosova.tv.

“Gjatë takimit Presidentja Osmani përshëndeti hapjen e Institutit francez në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë vitale të këtij instituti në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, përmes promovimit të vlerave të përbashkëta dhe thellimit të mirëkuptimit të ndërsjellë nëpërmjet gjuhës dhe kulturës”, thuhet në njoftim.

“Më tej, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë, ku Presidentja shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Francën”.

Osmani dhe Troccaz biseduan edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës.

Presidentja Osmani mbushet energji pozitive pas vizitës në kopshtin e fëmijëve në Lipjan

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka vizituar kopshtin e fëmijëve në qytetin e Lipjanit.

Presidentja Osmani pas vizitës së fëmijëve në kopsht, nga ku edhe siç ka deklaruar është mbushur me energji pozitive, tha se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme.

“Në mesin e më të vegjëlve tanë në kopshtin e fëmijëve në Lipjan, u mbushëm përplot energji pozitive. E ardhmja e Kosovës është e ndritshme”, ka shkruar Presidentja Osmani/KultPlus.com

Presidentja Osmani i pranon letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë

Presidentja Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam.

Në njoftimin e  lëshuar thuhet se Osmani shfaqi besimin se përgjatë mandatit të tij, do të forcohen edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Malajzisë.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e organizatës ASEAN. Në të njëjtën kohë u diskutua edhe për eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim me Malajzinë, veçanërisht në sektorë kyç, si: ekonomia, tregtia, arsimi dhe bujqësia, të cilat ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për përfitim reciprok”.

“Gjithashtu u diskutua edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik, i cili do të jetë mundësi e mirë për shkëmbim ndërmjet bizneseve të të dy shteteve. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit, si brenda ashtu edhe në rajon”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri britanik, Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është një aleate e fuqishme, e cila e ka përkrahur Kosovën në të gjitha etapat dhe në përballje me të gjitha sfidat.

 “Ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Së fundmi, na nderoi vizita e kryeministrit Cameron në Kosovë, i cili na mbështeti dhe theksoi se forcat e Mbretërisë së Bashkuar janë këtu për ta mbrojtur Kosovën dhe sovranitetin e saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe pavarësinë ekonomike të tyre, ndërkohë që Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Hargreaves për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili pritet të mbahet më 15-16 prill.

Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme dhe ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, tregtinë, investimet, arsimin si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm./KultPlus.com

Presidentja Osmani: USAID-i është shembull i përkushtimit amerikan ndaj Kosovës

“Kontributi i USAID-it në Kosovës është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës”. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee.

“Gjatë takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e USAID-it në Kosovë, një shembull i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për ta ndihmuar vendin tonë drejt arritjes së sukseseve të reja”, ka deklaruar Osmani.

Në Kosovë, sipas saj, kur flitet për USAID-in, flitet për zhvillim e vendimit dhe mbështetjen amerikane për popullin e Kosovës.

“Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-së, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona. Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët”, tha ajo.

Sipas presidentes, në përpjekjet e përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, USAID-i ka përkrahur Kosovën duke investuar mbi 1 miliard dollarë e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë./rtk/KultPlus.com

‘Ngritne lartë flamurin tonë’, Osmani iu jep zemër vajzave U18 që u kualifikuan në Kampionatin Botëror të hendbollit

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll (vajzat) është kualifikuar për në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në gusht në Kinë.

Në ndeshjen vendimtare për kualifikim, Kosova e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16.

Për këtë arritje të kombëtares së Kosovës ka reaguar përmes platformës “X”, presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka shkruar “nuk ka kufij për vajzat që të arrijnë”.

“Vajzat tona kanë dëshmuar edhe një herë se nuk ka kufi për atë që mund të arrijnë! Urime ekipit tonë të hendbollit të femrave U18, trajnerëve të tyre të përkushtuar dhe të gjithëve në Federatën e Hendollit  për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Vazhdoni të ngrini lart flamurin tonë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani uron presidentin e ri të Hungarisë: Mezi pres të punoj me ju për të rritur bashkëpunimin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e ri të Hungarisë, Tamas Sulyok.

Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënën se mezi pret të rrisë bashkëpunimin Kosovë-Hungari.

“Ju uroj suksese në rrugëtimin e shenjtë të udhëheqjes së vendit tuaj dhe mezi pres të punoj me ju për të rritur bashkëpunimin Kosovë-Hungari”, ka deklaruar Presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit në takim nga Emiri i Katarit, diskutojnë për trajtimin e invalidëve të luftës të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, është pritur në takim nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.

Në takim u diskutua për thellimin e mëtejshëm të raporteve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme siç janë: shëndetësia, turizmi malor, infrastruktura, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Kosovën. Në veçanti u diskutuan një sërë projektesh investive në sektorë strategjik për të cilat do të vazhdojnë diskutimet përmes ekipeve përkatëse në ditët në vijim.

Presidentja Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe çështjen e trajtimit të invalidëve të luftës nga radhët e UÇK-së, të cilët kanë nevojë për shërbime protetike.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e mbështetjes në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja ka falënderuar Emirin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.

Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.

Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha./KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me Forumin Ekonomik të Grave: Ligji i ri i Punës të miratohet sa më parë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave, udhëhequr nga znj. Saxhide Mustafa.

Në takim u diskutua mbi nevojën urgjente për miratimin e Ligjit të ri të Punës në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi se integrimi i plotë dhe i barabartë i grave dhe burrave në ekonomi është strategji afatgjate për të stimuluar rritjen ekonomike dhe pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi. Në këtë frymë, Presidentja theksoi se reduktimi i hendekut gjinor në tregun e punës jo vetëm që rrit mirëqenien sociale dhe ekonomike të grave, por edhe kontribuon në mirëqenien e përgjithshme të të porsalindurve dhe të familjeve. Prandaj është e domosdoshme që ligji i ri i punës që i adreson këto nevoja të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe të procedohet sa më parë në Kuvend.

Në veçanti, u diskutua rëndësia e politikave lidhur me pushimin prindëror, si masë e rëndësishme që duhet të rregullohet me këtë ligj. Presidentja Osmani dhe përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave diskutuan modele të mundshme të pushimit prindëror, të cilat janë propozuar nga organizatat e shoqërisë civile, e të cilat mundësojnë dhe inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Presidentja Osmani dhe Forumi Ekonomik i Grave diskutuan edhe për rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si masë e rëndësishme si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga ato lokale. Në këtë takim u bë thirrje për angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përkatëse për të zhvilluar dhe zbatuar politika të drejta dhe efikase që adresojnë sfidat specifike me të cilat përballen gratë në tregun e punës./KultPlus.com

Osmani: Prezenca ushtarake e Serbisë përfundoi në 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për pavarësinë ka thënë se 17 shkurti është datë unike historike.

Osmani potencoi se dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjaku i të cilëve është bazamenti më i fortë i shtetit tonë, njofton Klankosova.tv.

Ajo theksoi se prania e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëheë e përgjithmnë në qershor të vitit 1999.

“Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosova ka përfunduar një herë e përgjithmonë në qershor të vitit 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë”.

“Kujtojmë mbi të gjitha dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjaku i të cilëve është bazamenti më i fortë i shtetit tonë, kjo është Kosova që nuk u përkul asnjëherë”, tha Osmani në fjalën e saj.

“Është nder i madh për mua që në këtë ditëlindje të 16-të të Republikës sonë, tu drejtohem nga foltorja e tempullit të demokracisë kuvendit të Kosovës, dhe tu uroj qytetarët e Republikës të cilët më krenari e gëzim festojnë rritën e Kosovës sonë të të dashur. 17 shkurti është e arritura jonë më e madhe historike është reflektim i idealit tonë, i brezave të  tërë shekujsh”.

Ajo theksoi se shteti i Kosvoës po konsolidohet çdo ditë duke nderuar qytetarët dhe emrin e tyre.

“Republika jonë e re po konsolidohet çdo ditë duke nderuar qytetarët dhe emrin e tyre në botë, për qytetarët e Kosovë që të kenë shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal, ky ideal i rrëmbeu zemrat dhe jetët e brezave të tërë të etërve tanë të motrave vëllezërve gjyshërve dhe stërgjyshërve, dhe mbajtën ndezur flakadanin e lirisë”.

“17 shkurti po aq sa është datë unike historike, është një datë e veçantë emocionale duke u shtruar si dita që na përbashkon përmes një kauze, dashurisë për republikën dhe për të ngritur lartë emrin e saj”.

“Kosova sovrane është dëshmi që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët, ne tashmë jemi popull i lirë mes popujsh të lirë sot përulemi para brezave që iu dedikuan lirisë, le ti kujtojmë sot ata ta bashkojmë fuqinë tonë shpirtin tonë në kujtim të etërve themelues, të grave dhe të burrave të bijve dhe bijave të kësaj toke që sakrifikuan gjithçka, që nuk u dorëzuan pavarësisht se historia u soll pabesisht me ta.

“Nga vizionari i madh dhe arkitekti i pavarësisë Ibrhaim Rugova dhe deri te shembulli i rezistencës dhe sakrificës njerëzore kryekomandanti legjendar Adem Jashari, nga delegatët e 2 korrikut deri te përfaqësuesit e popullit që shpallën pavarësinë me 17 shkurt”./Klankosova.tv./KultPlus.com

Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit

Krerët e shtetit në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë bërë nderime dhe homazhe personalitetet e shquara.

Fillimisht presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve, e më pas kanë vazhduar homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit të  çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Homazhe do të bëhen edhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Osmani, Konjufca e Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin  e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

Në takim, Presidentja Osmani  vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.

“Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë.

Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve./ KultPlus.com

Presidenjta Osmani uron presidentin e ri të Finlandës: Pres me padurim të punojmë së bashku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin e ri të Finlandës, Alexander Stubb.

Presidentja Osmani, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se pret me padurim që të bashkëpunojnë së bashku, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë.

“Pres me padurim të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi lidhjet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Presidentja Osmani në platformën X./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ngjarjet e vitit 2000 në Mitrovicë, kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe mbrojtje të lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.

Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.

1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!

Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Rugova, simbol i rezistencës

Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Gjilan është mbajtur akademi për Rugovën.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rugova është ati i shtetit të Kosovës. Ajo tha se ai e deshi Kosovën.

“Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë dhe i cili i shndërruar shpejt në simbol të rezistencës në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, theksoi Osmani. E para e vendit vlerësoi se R|ugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës. “Presidenti Rugova do të mbete gjithherë në kujtesën tonë”, tha ajo.

“Ai qe vërtetë i biri i Kosovës. I shërbeu deri në frymën e fundit vendit. Ja kushtoi jetën Kosovës. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit dhe të popullit. Duke e kërkuar atë, ai u shndërrua në model të prijësit”, ka thënë ajo.

Osmani  theksoi se në personalitetin e Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj.

Sipas saj, Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. “Rugova fliste shkurt por fjalët i kumbonin shumë. Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme. Ai e solli vëmendjen e botës demokratike në Kosovë. Sot ai është fanar që na udhëheqë”, ka thënë e para e vendit./rtk/KultPlus.com

18-vjetori i vdekjes së Rugovës, Osmani: Ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij lirisë e pavarësisë së vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova tha se ai ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Ajo u shpreh se Rugova arriti që në një kohë të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat, siҫ u shpreh ajo edhe sot i duhen Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun i cili ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij, lirisë dhe Pavarësisë së vendin dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë sakrificash të vendin tonë”.

“Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhen Kosovës, prandaj sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca të cilat do të na ndihmojmë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani./klankosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjergj Kastrioti, njeriu që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta mbrojtur atdheun e vet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti.

Përkujtimi i plotë:

Sot kujtojmë përvjetorin e vdekjes së heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, njeriut që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta ruajtur e mbrojtur atdheun e vet e për të krijuar aleanca të fuqishme me perëndimin. I përjetësuar në qindra vepra arti, ai e njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busullë orientuese për ne.

Lavdi, Gjergj Kastrioti!/KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Shqipëria, sipas Presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar.

Në takim me ministrin Hasani, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.

Sipas Presidentes Osmani, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit./KultPlus.com