Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë “PriFest” është duke bërë përgatitjet e fundit para hapjes madhështore, e cila do të bëhet sot me filmin “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.
Ky edicion, ndryshe nga herët e tjera, do të finalizojë punën e përvitshme pa shpirtin e skuadrës, Vjosa Berisha, e cila vdiq këtë vit.
Së fundmi, një nga themeluesit e këtij festivali, Fatos Berisha, ka shpërndarë një foto në rrjetet sociale, duke shkruar: “Na mungon Ota”, duke përfshirë një foto me trofeun “PriFest”, flamurin e Ukrainës dhe Vjosës.
Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë).
Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë.
“Vera Andrron Detin”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi, i cili ka udhëtuar në shumë vende të botës, do të debutojë edhe në Prishtinë sot me fillim nga ora 21:00. /KultPlus.com