Filharmonia me koncert kushtuar kompozitorit Moxart

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë shtypi në lidhje me koncertin e radhës të Orkestrës së Filharmonisë, me dirigjentin eminent polak, Dariusz Mikulski, koncert ky i cili do të mbahet me datën 27 të këtij muaji, nga ora 20:00 më sallën e kuqe në Pallatin  e Rinisë.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se ky koncert i kushtohet kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart. Ai tha se është i kënaqur me punën dhe përfaqësimin që po i bëhet Filarmonisë së Kosovës.

” Me datë 27 janar Filharmonia do të mbajë koncertin e dytë. Ky koncert i kushtohet kompozitorit Moxart, do të jenë tri vepra të Moxartit dhe një vepër premier e Enjott Schneider. Jemi të kënaqur që gjatë kësaj jave kemi bashkëpunuar me këta muzikantë të mrekullueshëm të cilët kanë promovuar një mënyrë tjetër të punës që ngrit punën e Filharmonisë së Kosovës”, tha Jashari.

Dariusz Mikulski, dirigjent i këtij koncerti që pritet të mbahet, tha se kanë përfunduar provat gjenerale dhe ideja për t’ia kushtuar këtë koncert Moxartit ishte sepse atë e konsideron gjeni.

 ” Ne përfunduam provën gjenerale sot, unë jam për herë të parë këtu, e dua punën dhe orkestrën. Ne vendosëm për t’ia kushtuar këtë koncert Moxartit sepse ai është gjeni. Ne e bëmë simfoninë e tij të fundit. Ne vendosëm në këtë ditë speciale të kemi premierë një muzikë paqeje. Gjatë bashkëpunimit unë pash se keni studentë fantastikë, faleminderit shumë për thirrjen, faleminderit për muzikën fantastike”, u shpreh ai.

Solisti Otto Sauter tha se gjendet në Prishtinë për herë të tretë dhe është shumë i lumtur që prap do të marr pjesë në këtë koncert.

” Është hera ime e tretë në Prishtinë. Jam shumë i lumtur që mund te jap një intervistë.Është një gjë shumë  e mirë që një shtet i ri si Kosova ka talentë të ri si këto vajza speciale dhe kjo është një arsye pse unë dua të prezantojë para jush. Ato kanë ushtruar nga ora 5:45 në mëngjes deri në orën 20:00 në mbrëmje”, tha ai.

Studentja Jona Dizdari tha se kanë mësuar shumë nga solisti Otto Sauter,
raporton Ekonomia Online.

 “Falënderojë profesorin pasi na ka bërë të kuptojmë  shumë nga ky instrument i veçantë”, tha ajo.

Hyrja në koncert do të jetë me bileta. Ato shpëndahen falas tek ndërtesa e Filharminsë së Kosovës./ KultPlus.com