Mbrëmë, në Kinema Millennium ishte radha e kryeveprës së re të regjisorit Ferzan Ozpetek, në kuadër të ciklit të kinemasë italiane në Tiranë.
“Diamanti” e mbushi plot sallën e kinemasë, me një histori emocionesh, misteresh dhe fatesh të ndërthurura. Filmi i regjisorit Italian me origjinë turke, tërheq me elegancën, intensitetin dhe bukurinë e tij, siç vetëm Ferzan Özpetek di ta bëjë. “Diamanti” i Ozpetek eksploron dashurinë, marrëdhëniet dhe zbulimin e vetes. Ai është një prodhim i vitit 2024, me një kast aktorësh të jashtëzakonshëm.
Filmi “Diamanti” është konsideruar nga kritika si rikthimi i Ozpetek në kinemanë e tij më të mirë, atë të koralitetit dhe regjisë së aktoreve të cilat i ka përshkruar me të gjitha cilësitë që mund të ketë një grua: guxim, vendosmëri, brishtësi, frikë, çmenduri, naivitet, inteligjencë, imagjinatë, keqardhje, hidhërim, rebelim.
“Nëse Orson Welles mendonte se kinemaja ishte një lodër e bukur për t’u argëtuar, Ferzan Ozpetek më në fund ka arritur ta shndërrojë atë në një shkop magjik, të aftë për të përshkruar botën ashtu siç do të donte të ishte”, shkruan Corriere della Sera për “Diamantin”.
Filmi në Kinema Millennium u mundësua nga Instituti Italian i Kulturës./atsh/KultPlus.com