Public Art Munich – PAB ka prezantuar disa prej pikave kryesore të edicionit të këtij viti.
Nga data 30 prill e deri me 27 korrik të këtij viti, në Olympic Stadium në Munih vjen organizimi artistik, kësaj here me konceptin “Game Changers”.
Artistja shqiptare Flaka Haliti është njëra nga pjesëmarrëset në këtë panair arti, së cilës i është besuar njëra prej punimeve artistike.
Me datë 1 maj do të inaugurohet Pavijoni i PAM, ku kanë punuar Flaka Haliti dhe Markus Miessen në një program me kurator Gursoy Dogstas.
PAM 2018 do të adresojë mekanizmat e ndryshimit dhe ndryshimet fondamentale që zënë vend sot në Munih, një qytet që ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme ideologjike, socio-politike dhe simbolike.
Projektet që u janë besuar këtë vit artistëve kanë të bëjnë me Radion Evropa e Lirë, me Republikën Sovjetike të Bavarisë, me de-nazifikimin e pasluftës, me vitin 1989, me inteligjencën artificiale dhe me kampanjën #Metoo. Çka duhet të ndryshojë, dhe si?
Çdo vikend, nga 30 prilli e deri me 27 korrik, në Munih vijnë ngjarje të ndryshme në kuadër të PAM.
PAM është programi artistik më i madh në Munih, ndërsa këtë vit hapet me instalacionin e arkitektes Alexandra Wasilkowska, shkruan KultPlus.
Flaka Haliti nuk është emër i panjohur për artin momental evropian. Haliti përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, bienale prestigjioze dhe e respektuar, ndërsa në vazhdimësi ka realizuar ekspozita të ndryshme brenda Kosovës dhe jashtë saj.
Haliti ka ekspozuar në Sallonin e Tetorit në Beograd, në Castilla në Spanjë, në mumok në Vjenë. Vitin 2015-të ajo morri çmimin Ars Viva Prize.
Artistët tjerë që janë porositur për këtë edicion të PAM janë Lawrence Abu Hamdan, Cana Bilir-Meier, Anders Eiebakke, Leon Eixenberger, Massimo Furlan, Mariam Ghani, Rudolf Herz & Julia Wahren, Alexander Kluge, Michaela Melián, Ari Benjamin Meyers, Dan Perjovschi, Alexandra Pirici & Jonas Lund, Olaf Nicolai, The 9th Futurological Congress/Julieta Aranda & Mareike Dittmer dhe Franz Wanner. / KultPlus.com