Albana Beqiri
Një burrë i fshehur poshtë një tavoline duke kërkuar mes librave dhe dosjeve të shumta, të cilat bien nga tavolina kur troket dera. Pas trokitjes në dhomë hyn një burrë i ri, i cili ende pa folur asnjë fjalë vërehet se ka probleme, të cilat reflektohen deri te gjestet dhe pamja e tij. Shpejt publiku e kupton se ambienti ku ndodhin këto është zyra e psikoanalistit të famshëm Zigmund Frojdit, ndërsa burri i ri që ngulmon që Frojdi ta dëgjojë, është Adolf Hitleri…, po po bëhet fjalë pikërisht për diktatorin e Gjermanisë, një nga njerëzit më famëkeq të njerëzimit. Ai ngul këmbë që psikoanalisti i famshëm të cilin duket se e adhuron, ta trajtojë si paciente Kristinën, vejushën Kristinë pas të cilës është dashuruar fort e me të cilën pret të martohet. Këmbëngulja mbresëlënëse e Adolfit të ri që mjeku i famshëm i cili nuk ka termine të lira për një kohë të gjatë, ta trajtojë medoemos të dashurën e tij me probleme, është fillesa e një grotesku teatror që e mban mbërthyer publikun deri në fund të shfaqjes.
Kështu nis shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit produkt i teatrit të Tetovës, që u shfaq në kuadër të festivalit të XI “Summer cult 2024”.
Ndonëse takimi mes Frojdit të famshëm dhe Hitlerit të ri është imagjinar, i sjellë në teatër nga regjisori Gent M. Çajani tingëllon si një histori tejet intriguese. Sendërtimi teatror i një teksti të tillë si ai i kroatit Miro Gavran para së gjithash dëshmoi vizionin dhe kreativitetin e regjisorit Çajani.
Ajo çka mund të themi më tej për shfaqjen “Pacienti i doktor Frojdit” është se ajo ishte një shfaqje e aktorëve, të cilët përmes dialogëve të gjallë e situatave në pamje të parë komike, por që në thellësinë e tyre përkundrazi tingëllonin tejet dramatike e interpretuan veprën në mënyrë shterruese duke eksploruar deri në qelizë tema që kishin të bënin me vetëdijen dhe nënvetëdijen, me ndërgjegjen, me ëndrrat, me pasiguritë, me traumat e bartura nga fëmijëria si dhe me konfliktet e brendshme e luhatjet emocionale. Adrian Aziri që interpretonte rolin e Hitlerit, Muzafer Etemi atë të doktor Frojdit dhe Linda Shabani atë të Kristinës me ekspresivitetin, kreativitetin dhe energjinë që përcollën te publiku e dominuan skenën, e eklipsuan atë në mënyrë dhe formë të tillë saqë edhe sikur skena të ishte bosh pa kurrfarë skenografie, pa dekor e rekuizita, sërish publiku nuk do e vërente këtë, por do e përjetonte shfaqjen sikur vërtetë ngjarjet të zhvilloheshin në zyrën e psikoanalistit të famshëm apo edhe në një dhomë hoteli.
Shfaqja është një dramë psikologjike e veshur me tone apo elemente grotesku e humori që e mbajnë të ngërthyer publikun që nga sekonda e parë deri në të fundit.
Një farë Adolf Hitleri që siç thotë kishte udhëtuar gjatë nga Hamburgu për në Vjenë kërkon ndihmë nga psikoanalisti i famshëm për të dashurën e tij Kristinën, për siç thotë ai ta shëruar nga lidhja e saj me babain që e determinon edhe lidhjen e tyre dhe ndikon në jetën e tyre seksuale të pakonsumuar ende. Kristina e cila e di se nuk ka kurrfarë problemi te ajo, në fillim kundërshton të trajtohet nga psikoanalisti, por në fund bindet dhe pranon. Ngjarjet që zhvillohen më pas, kahja që marrin e zhyt publikun në përjetimin e një drame të thellë psikologjike e cila eksploron natyrën njerëzore dhe sekretet e mendjes.
I shtrirë në divanin e doktor Frojdit, veçmas kur i nënshtrohet hipnozës, Hitleri 30 vjeçar do të zhytet thellë e do humbasë në honet e thella të psikikës, seksualitetit, frikërave dhe zhgënjimeve të tij, të cilat do t’ia determinojnë jetën dhe psikologjinë, duke e shpënë drejt deformimit të karakterit që do dëshmohet te aftësia e tij për të hipnotizuar një popull të tërë me dogmat e tij e për të nisur një nga luftërat më të mëdha botërore.
Por lufta është larg, në shfaqje ai lufton vetëm me frustrimet e veta seksuale të cilat e çojnë në shpërthime emocionale, kriza inati dhe gënjeshtra qesharake me të cilat mundohet të mbulojë impotencën. Në të vërtetë ai është pacienti që nuk do të shërohet.
Gjetja e autorit të veprës që një dramë të tillë psikologjike ta “zbusë” me nuanca grotesku e humori e bënte atë më të lehtë për t’u perceptuar nga publiku, pavarësisht ngarkesës negative që mbarte në vete emri i personazhit kryesor. Dhe publiku e mirëpriti dhe duartrokiti gjatë./ KultPlus.com