Projektligji për pagën minimale pritet të miratohet sot në Qeveri

Sot do të mbahet mbledhja e Qeverisë, ku pritet të miratohet projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Lajmin për këtë e bëri të ditur dje kryeministri Kurti, i cili tha se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi. “Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet nesër, do të miratojmë projektilgjin që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale dhe do ta lirojmë nga tatimi”, ka deklaruar dje Kurti.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, ka deklaruar Murati./Express / Kultlus.com

Kryeministri Kurti: Ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të fillojnë procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi të cilën e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.

Kurti ka thënë se puna për rritjen e pagës minimale vetëm sa ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të hyrave për punëtorët që të kenë një pagë të dinjitetshme.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe tutje ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.

“Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, ka shtuar ai. / KultPlus.com