Më 8 nëntor të vitit 1462 u shkrua në gjuhën shqipe, me alfabet latin, “Formula e pagëzimit”, që njihet si dokumenti i parë në gjuhën shqipe.
Formulën e shkroi Pal Engjëlli pas vizitës që bëri nëpër Kishat famullitare dhe viset e kryedioqezës së Durrësit.
Në mbarim të kësaj vizite Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Sakramentit te Pagëzimit…
“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Formula e Pagëzimit është një frazë shqip në mesin e një shkrimi latinisht prej 37 faqesh.
Së fundi në këtë dokument Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. / KultPlus.com