Më 11 mars të vitit 1997, u votua për krijimin e qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”, e cila do të drejtonte ekzekutivin e vendit deri më 29 qershor 1997.
Në pikun e trazirave që patën përfshirë Shqipërinë, pasi firmat piramidale shpallën falimentin, partitë ujdisën një marrëveshje për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike. Zyrtarisht, qeveria e re nën drejtimin e Bashkim Finos, do t’i niste punimet më 12 mars 1997, pas dekretimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Në këtë gjendje të tendosur, teksa armët kishin rënë në duart e qytetarëve, pësuan dëme të konsiderueshme edhe godinat e Arkivave Shtetërorë Vendorë, së bashku me materialin dokumentar që administronin. Në dokumentin bashkëngjitur, organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), vë në dijeni kryetarin e qeverisë së re, Bashkim Finon, mbi dëmet e shkaktuara kryesisht në Arkivin Shtetëror të Tropojës, të Pogradecit, të Beratit dhe të Lezhës.
Në letrën adresuar ish-kryeqeveritarit, paralajmërohej edhe për rrezikun që i kanosej vendruajtjes së dytë të dokumenteve të Arkvit Qendror Shtetëror në Gramsh, ku kishin depërtuar forcërisht njerëz të armatosur. Kreu i atëhershëm i DPA-së, Luan Malltezi, apelon në këtë njoftim për koordinimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisariateve të Policisë, për mbrojtjen e integritetit të institucioneve dhe për sigurimin e dokumentacionit. / KultPlus.com



