Tempulli i Afërditës dhe Bazilika Paleokristiane janë ndër më të vizitueshmet dhe atraksione të rëndësishme për vizitorët e parkut arkeologjik të Amantias.
Jashtë fortifikimit të qytetit ilir të Amantias, në një kodër më të ulët që mban toponimin “Lëmi i Peçit” është ndërtuar një zonë e shenjtë, ku dikur ngrihej imponues tempulli i Afërditës. Për të kufizuar këtë zonë të shenjtë, por edhe për të krijuar një shesh të qëndrueshëm për ndërtimin e tempullit, përreth kodrës është ndërtuar një mur antik i pajisur me kontraforte.
Tempulli mendohet të jetë ndërtuar rreth shek. III p.Kr, ndërsa në shek. IV m.Kr ai është shkatërruar dhe me elementet që janë marrë prej tij, u ndërtua nje bazilike paleokristiane.
Rrënojat e tempullit dhe bazilikës së Amantias, janë shembulli kuptimplotë i procesit të braktisjes së fesë pagane dhe përqafimit të fesë së krishterë në territorin e Ilirisë së Jugut./atsh/ KultPlus.com