Fondacioni ‘Dritëro Agolli’ vlerëson fituesit e konkursit virtual-artistik ‘Dritëro’

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka mbyllur maratonën e tij 4 ditore në Pallatin e Kongreseve me një seri eventesh kulturore, të cilat mblodhën nën masat mbrojtëse të pandemisë dhjetëra vizitorë, përfshirë këtu personalitete të artit, kulturës e politikës.

Eventi kulturor që kulmoi panairin e “Klik Ekspo Group” ishte ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit kombëtar “Dritëro”, i iniciuar dhe financuar nga fondacioni “Dritëro Agolli”, në kuadër të 90-vjetorit të poetit dhe shkrimtarit të dashur, Dritëro Agolli.

Në edicionin e tij të parë, konkursi virtual-artistik, iu kushtua kryesisht krijuesve të rinj dhe atyre ende në ngjitje, me mëtimin që në vitet e tjera të marrë të tjera forma për të inkurajuar artistët e rinj në të gjitha zhanret dhe performancat.

Gjatë muajve tetor-nëntor, mbi 150 krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora e re dhe e vjetër, kudo ku shqipja zotëron, iu bashkuan nismës së Fondacionit me poezitë, tregimet, esetë dhe artin alternativë.

Në praninë e presidentit të “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj dhe CEO, Elona Agolli, njëkohësisht dhe Presidente e Fondacionit Kulturor “Dritëro Agolli”, si dhe të jurisë profesioniste të përbërë nga filantropja/gazetarja Suela Bala, gazetari/redaktori Ben Andoni dhe gazetari/analisti Aleksandër Çipa u vlerësuan 3 vendet e para.

Fillimisht, jashtë 3-shes u vlerësua Lorna Çekixhi, me çmimin “Alternativ”, e cila realizoi një punim artistik në miniaturë të veprës “Pleshti”, një videorealizim i audiobookut me të njëjtin titull.

Në vendin e tretë u rendit Lira Bojku, shqiptare e Maqedonisë së Veriut, për prozën “Sofrabezi”.

Ndërkohë në vend të dytë u rendit Llesh Murrani me poezinë “Trashëgimia”.

Me çmimin e parë u vlerësua Rei Hodo për prozën më të mirë, me përshkrimin filozofik e artistik më të mirë.

Ceremonia u shoqëruar nga artistët e rinj, Margret Radovani dhe Gjergj Kaçinari, të cilët luajtën këngë si “Dashuri e vështirë”, “Kur të jesh mërzitur shumë” e të tjera duke e bërë ceremoninë e “Dritëro” një event për t’u mbajtur mend.

E gjitha ceremonia u përshëndet më pas nga presidenti i Panairit të Tiranës, Luan Muhametaj, i cili falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkurs dhe të ftuarit të event, dhe zgjedhjen që një mbrëmje e tillë të realizohej gjatë këtij manifestimi ndërkombëtar.

Premtimi i fondacionit “Dritëro Agolli” mbetet i njëjtë: dhënia e mundësive dhe kontributi në mbështetjen e të rinjve në rrugën e artit dhe kulturës – duke kultivuar ndër breza vlera artistike dhe kulturore për një shoqëri më të mirë.

Elona Agolli, presidente e Fondacionit u shpreh se, “ajo çka ne e quajmë trashëgimi shpirtërore, ajo çfarë formëzon traditën tonë dhe historinë tonë, nis përkatësinë që në nipërit e mbesat, të afërm e familjarë, për t’u shpërndarë më pas, si ata rrathët koncentrikë duke bërë që më pas, përkatësia e veprës, trashëgimia është e të gjithëve”.

“Edhe zhvillimi i këtyre nismave, veprimtarive, konkurseve këtë vlerë ka, pasi emri dhe vepra e Dritëroit i përket të gjithëve. Një Çmim me emrin “Dritëro” ka fuqinë e zhvillimit të rrezeve drithëruese, ka vlerën e nxitjes për të kapur letrare”, tha ajo. /a.a/ /KultPlus.com