Nënshkruhet marrëveshja për transformimin e Pallatit të Rinisë

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për transformimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë.

Në njoftim thuhet se në planin e investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim të sallës së madhe të sportit, hapësirave dhe strukturave ndërlidhese të sportit, sallës së kuqë, amfiteatrit e parkingut nën-tokësor.

“Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor”, ka njoftuar ministri Çeku./KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili në procesin e provave për premierën e performancës në kuadër të ‘Manifesta 14 Prishtina’ (VIDEO)

Artisti kosovar, Astrit Ismaili do të bëjë hapjen e Manifesta 14 me një performancë premierë, përcjell KultPlus.

Astrit Ismaili do të prezantojë performancën premierë të LYNX në natën e hapjes së Manifesta 14 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Performanca do të jetë e hapur për të gjithë.

Ndërkaq, përmes një video, Manifesta 14 ka bërë të ditur se po zhvillohen provat për këtë performancë.

Dyert e Manifesta 14 hapen në orën 18.45 dhe shfaqja do të fillojë në orën 19.00.

Tutje, në orën 19.00 Manifesta 14 do të fillojë fjalimet e hapjes, për të vazhduar me një koncert live që feston shpirtin e qytetit.

Koncerti është falas dhe e hapur për publikun, ashtu si programi 100 ditor i Manifesta 14 Prishtinë. / KultPlus.com

Në kuadër të Panairit të Librit, prezantohen dy romane, një koleksion si dhe mbahet takimi me shkrimtarin Tom Kuka

Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, shtëpia botuese “Botime Pegi” do të sjell gjithsej dy prezantime të romaneve, prezantimin e koleksionit “Skandal” si dhe do të organizojë një takim me shkrimtarin Tom Kuka, përcjellë KultPlus.

Prezantim i romanit “Diaboliket” nga Barbey d’Aurevilly vjen këtë të mërkurë në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

“Diaboliket” është pa dyshim vepra më përfaqësuese e shkrimtarit me një personalitet të spikatur Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly: krijesat e tij, perverse dhe tërheqëse, të përbindshme dhe të adhuruara, përshkruhen me kënaqësinë e atij që, teksa lë të shfaqet kudo dëshira dhe epshi, i jep rëndësi erotike çdo detaji, dhe heronjtë e tij, dandy të lodhur e të zhgënjyer, verbohen nga eleganca, sqima, luksi dhe nga të gjitha ëndjet e shqisave.

Sjellë në shqip nga Diana Çuli.

Romani botohet me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Prezantimi i romanit “Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit” nga Christiana Vera Felscherinow vjen këtë të enjte në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

Ky libër është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiana Vera Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të viteve 1970.

Një roman-dokument me një vërtetësi tronditëse që theu heshtjen mbi përdorimin e drogës nga të rinjtë.

I pajisur me fotografitë reale të protagonistëve të historisë, vendeve ku mblidheshin, diskotekave dhe udhëkryqeve ku ishin të detyruar të prostituonin.

Romani botohet me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Prezantim i koleksionit “Skandal” vjen këtë të premte në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 11:00.

Koleksioni me emrin “Skandal” do të mbledhë tetë autorë të ndryshëm europianë, të cilët përmes veprave të tyre, skandaloze për kohën e botimit, kanë sjellë një revolucion në mënyrën e të menduarit.

Po në këtë projekt, në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Schenk Verlag GmbH, do të botohen në Gjermani edhe dy autorë shqiptarë: Tom Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa bujë”.

Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që do të botohen në Gjermani pritet të cekin disa taste të ndjeshme dhe të shkaktojnë njëfarë zhurme, për shkak të tematikës së tyre dhe plagëve që nxjerrin në pah.

Të gjitha veprat trajtojnë tema delikate, shfaqin subjekte të ndjeshme, e kanë një stil dhe gjuhë shpeshherë provokues. Veprat që do të botohen në gjuhën shqipe, në shumicën e rasteve janë futur në listat e zeza të vendeve përkatëse, janë censuruar ose kanë shkaktuar trazira në vendin e origjinës, në kohën që janë botuar ose dhe më vonë.

Autorë si: Camilo J. Cela, Barbey d’Aurevilly, Alberto Moravia, Edna O’Brien, Frank O’Conner, M. Caragatsis dhe Christiane F. kanë shkruar vepra, që kanë rrëzuar barrierat e perceptimit publik mbi të mirën dhe të keqen. Ato kanë shërbyer si katalizatorë të frikës dhe zemërimit të njerëzit dhe e kanë përballur shoqërinë me vetveten.

Librat e koleksionit “Skandal” botohen me mbështetjen financiare të Creative Europe.

Po ashtu, takimi me shkrimtarin Tom Kuka do të mbahet këtë të shtunë në Pallatin e Rinisë, duke filluar nga ora 12:00.

Tom Kuka (emër arti i gazetarit Enkel Demi) prej disa vitesh tashmë i është kushtuar edhe letërsisë.

Romani i tij i parë, “Hide mbi kalldrëm”, u botua në 2016. Ndonëse, autori ishte i panjohur, sepse nuk u shfaq me emrin e tij të vërtetë, romani pati sukses, duke qenë se fliste për një Tiranë të një epoke tashmë të harruar.

“Gurët e vetmisë” botohet më 2018 dhe përveç miratimit të publikut, merr edhe atë të kritikës, duke u nderuar me Çmimin për Romanin më të mirë të vitit, dhënë nga Ministria e Kulturës.

Më 2019, pason “Ora e ligë”, që u pëlqye gjerësisht nga publiku, dhe më 2021 vjen “Flama”, e cila u nderua me Çmimin Europian të Letërsisë.

Tashmë, librat e tij kanë filluar të flasin edhe në gjuhë të tjera, si: italisht, serbisht, bullgarisht etj. / KultPlus.com

Pas dy vjetësh mungesë, rikthehet Panairi i Librit në Prishtinë

Me moton “Libri mbron mendjen”, vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë. Panairi i 22-të i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 7 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.

Panairi do të mbyllet më 12 qershor në orën 18:00. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00.

Hyrja për vizitorë: pa pagesë!

Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Ekspozita ‘Më i mirë është varri se sa mos me ditë’ hapet sot

Gjatë ditës së sotme, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë do të prezantojë ekspozitën “Më i mirë është varri se sa mos me ditë”, shkruan KultPlus.

Më i mirë ish varri sesa mos me ditë është një fragment marrë nga biseda me Kumrije Jahmurataj, një nga familjarët e shumtë që akoma sot presin më të dashurit e tyre.

Vizioni i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë është për një shoqëri që ballafaqohet me të kaluarën dhe respektohen të drejtat e njeriut.

Me fillim nga ora 17:00 në Sallën a e Atelesë, Pallati i Rinisë dhe Sporteve do të hapet kjo ekspozitë. /KultPlus.com