Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.
“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.
Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com