Xhemile Hysenaj
‘Pamje revolucioni’ erdhi mbrëmë në skenen e vogël të Teatrit Kombëtar, duke shpalosur para publikut se revolta jo gjithmonë është aq e pastër sa duket, se brenda vetes ngërthen edhe krisje e lëkundje që shpiejnë deri në thyerjen totale të revolucionit si ide. Kjo shfaqje, e cila erdhi pikërisht në 13 vjetorin e Pvarësisë së Kosovës, jo rastësisht e pati premierën pikërisht në këtë ditë, pasi historia e popullit tonë numëron shumë revolucione, që u manifestuan herë me luftë e herë me rezistencë, shkruan KultPlus.
‘Pamje revolucioni’ me tekst të Tino Caspanellonit e cila erdhi nën regjinë e Kaltrim Balajt, është epilogu i një revolucioni i cili ndodhë në hapësirë të padefinuar. Të bllokuar atje, tre revolucionarët e fundit provojnë në mënyrë të dëshpëruar për të mbajtur gjallë ëndrrën. Dhe kur realiteti nxiton ta arrijë ëndrrën, atëherë ‘kështjella magjepsëse’, fillon të bie, për të hequr dorë nga revolucionet dhe për të treguar brishtësinë e një utopie.
Tre të rinj, të magjepsur pas një ideali, stoik në revoltën e tyre, aq të sigurt në vendimt e tyre saqë askujt nuk do t’i shkonte mendja për ndonjë thyerje në mes. Mirëpo, si shpesh herë, ndodhi thyerja e kësaj revolte aq të fuqishme. Një revoltë që dështoi dhe nuk shkoi deri fund.
‘Pamje revolucioni’, siç tregon edhe regjisori Balaj, ka hasur në vështirësi gjatë realizimit duke pasur parasysh situatën pandemike. Madje ai tregon se vazhdimisht kanë pasur frikë për ndonjë infektim të mundshëm, por që nuk ka ndodhur.
‘Për mua ky tekst është një nga tekstet më aktuale, jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet aktuale në Kosovë por edhe si tërësi. Ne historikisht, ndoshta edhe brenda familjes kemi revolta. Pasi revolta fillon nga ne. Çuditërisht revolucionet janë të tilla vetëm kur shpërthejnë duke përmbysur sisteme, ndërsa me kalimin e kohës ato sërish çuditërisht shndërrohen në sisteme’, ka theksuar regjisori për KultPlus.
Revolucioni që zë vend në këtë shfaqje, nuk përfundon. Brenda këtij revolucioni, të revoltuarit hasin në revoltën e njëri tjetrit.
‘Jo pa qëllim shfaqjes i është përshtatë skenografia dhe gjetjet të cilat konsistojnë në idenë që reevolucioni ose rruga drejt tij ka gjithmonë edhe shtrembërime brenda’, ka potencuar tutje Balaj për KultPlus.
“Pamje revolucioni”, flet për revolucione të munguara, revolucione të dështuara e për revolucione që presin të shpërthejnë. Çuditërisht revolucionet janë të tilla vetëm kur shpërthejnë duke përmbysur sisteme, ndërsa me kalimin e kohës ato sërish çuditërisht shndërrohen në sisteme. / KultPlus.com