40 pjesëmarrës në Panairin e Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër

40 artizanë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë në Gjirokastër, në kuadër të Panairit të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët ekspozuan punime dhe produkte të ndryshme. Disa prej tyre vinin për herë të parë në këtë panair dhe u shprehën shumë të kënaqur nga mikpritja gjirokastrite.

U vu re se pati interes për punimet e dorës si çantat, kurorat, fustanet etj., të cilat ishin punuar me cilësi.

Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore tashmë është kthyer në një traditë për qytetin e gurtë. Interesi ka qenë i lartë sidomos nga turistë që duan të njohin më shumë punimet artizanale që prodhohen në trevat shqiptare për të cilat pati edhe demonstrime “live” të punimeve të tyre.

Aktiviteti u organizua në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com

Panairi i Artizanatit në Gjirokastër, traditë e bukur e qytetit

Panairi i Artizanatit në Gjirokastër është kthyer në një traditë të bukur të qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga ky panair, teksa u shpreh se është vokacion i një pasurie kulturore e shpirtërore unike e materializuar nga skalitja e gurit, gdhendja e drurit, punimi i bizhuterive, qëndisjet e plot vepra të vogla e të mëdha arti që promovojnë punët e dorës dhe krijimtarinë e komuniteteve e krahinave të tëra.

Ky edicion i pestë ishte i veçantë, pasi 70 artizanëve të mbledhur nga gjithë Shqipëria në Pazarin e Vjetër, iu bashkuan edhe turistët që ndodheshin në qytet duke krijuar, gatuar e festuar së bashku në Gjirokastrën që i ka dyert hapur për të gjithë, theksoi Kumbaro./atsh/ KultPlus.cigare

Panairi i Artizantit në Golem, promovim traditave dhe trashëgimisë kulturore

Panairi i Artizanatit bëri bashkë në Golem dhjetra artizanë nga Kavaja dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë si Durrësi, Tirana, Elbasani, Vau Dejës, Berati, dhe Gjirokastra.

I organizuar në kuadër të projektit ArtCult, në këtë panair u ekspozuan produkte të prodhuara mjeshtërisht nga duart e artizanëve që tërhoqën vëmendjen dhe zgjuan kuriozitetin e të gjithë të pranishmëve.

Shumë turistë, vizitorë dhe pushues vendas dhe të huaj vizituan panairin dhe u ndalën në tavolinat e mbushura me produkte të ndryshme artizanati: punime tezgjahu, poçerie, kostume popullore, qilima, qëndisme, punime grepi dhe shtize, makrame, filigrani, rezine etj duke u njohur me mjeshtërinë dhe kreativitetin e artizaneve në prodhimin e produkteve të punuara me dorë.

Panairi ishte një mundësi ideale që krijoi ura lidhëse midis konsumatorëve dhe artizaneve.

Vizitorë dhe turistë të shumtë vendas dhe të huaj u mahnitën nga punimet e mrekullueshme që artizanet kishin krijuar dhe shpesh herë nuk hezituan që të blenin produkte me vlerë nga fondi i pasur i trashëgimisë së pasur kulturore.

Aktiviteti dëshmoi qartë se si nisma të tilla ndihmojnë në rritjen e vetvlerësimit të artizanëve për punën e tyre, përmirësimin e marketingut, rrjetëzimin dhe fuqizimin e grave artizaneve./KultPlus.com

EU4Culture organizon panairin e artizanatit në Rrogozhinë

“Rivendosja e Traditës Artizanale” (Recraft the past, build the future) është panairi i organizuar nga EU4Culture në qytetin e Rrogozhinës.

Në panairin dedikuar artizanatit, kryesisht qëndismave, kanë marrë pjesë edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare e atyre të mesme të zonës, të cilët kanë sjellë punime të dala nga duart e tyre.

Ata kanë sjellë në panairin e Rrogozhinës qëndisma, punë me grep, piktura si dhe punime të realizuara me materiale të riciklueshme. Qëllimi i panairit është ruajtja e traditës shqiptare në artizanat dhe trashëgimi brez pas brezi i saj.

EU4Culture është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, që ka nisur prej janarit të vitit 2021 dhe që do të vazhdojë deri në fund të vitit 2024. Ky program mbështet sektorin kulturor e krijues, me një përqendrim të veçantë në qytete jo qendrore, të Evropës Lindore. / atsh / KultPlus.com