Në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u zhvillua sot një konferencë e përbashkët për shtyp midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për të paraqitur programin në nismën e ndërmarrë për herë të parë në Shqipëri, për sa i përket panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor.
Panairi i organizuar në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të ASHSH-së, do të zhvillohet nga 22-24 prill në Tiranë.
Drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli, zv/kryetari i ASHSH-së Vasil Tole, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi dhe prof. dr. Shaban Sinani, shprehën vlerësimet e tyre për arritjen e këtij bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të promovuar për herë të parë librin studimor dhe akademik në rang mbarëkombëtar duke përfshirë shtetet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe komunitetit arbëresh.
Akademiku Vasil Tole tha se “në këtë panair do të marrin pjesë 22 institucione të Arsimit të Lartë, Institute dhe Qendra Shkencore, si dhe 8 Ente Botuese jopublike, do të paraqiten mbi 2000 tituj studimorë dhe akademikë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të promovohen veçanërisht botimet e dy viteve të fundit në 52 aktivitete, që do të organizohen përgjatë ditëve të panairit”.
Në panair do të ndahen dy çmime mirënjohjeje për dy figura të rëndësishme në kontributin akademik, njëri prej të cilëve nga Shqipëria dhe një nga Kosova.
Gjithashtu, ASHSH-ja do të shpallë edhe konkursin për çmimet shkencore kombëtare për vitin 2021: Çmimi shkencor kombëtar “Eqrem Çabej”, çmimi shkencor kombëtar “Petrit Radovicka” dhe çmimi shkencor kombëtar “Aleks Buda”.
Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor ka për qëllim të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë. /atsh/ KultPlus.com