Hapet sot Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesë e tij

Hap dyert sot panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me temën “Ide që lëvizin botën”. I ftuar nderi është shteti i Norvegjisë. Janë mbi 7,300 ekspozues nga e gjithë bota, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Berlin.

Pos Çmimit Nobel, muaji tetor shquhet në botën mbarë për panairin më të madh të librit, që mbledh rreth vetes të gjithë profesionistët e librit për pesë ditë sa edhe zgjat. Janë mbi dhjetë mijë gazetarë, mbi njëqind e pesëdhjetë shtete e mbi dyqind e shtatëdhjetë mijë vizitorë që frekuentojnë kryengjarjen e vitit për librin.

Treni i letërsisë nga veriu arriti në Frankfurt me delegacionin e vet nga Norvegjia, e ftuar nderi, duke përfshirë yjet e letërsisë botërore që vijnë nga ky vend, si: Karl Ove Knausgard, Jo Nesbo e Maja Lunde, së bashku me Princeshën e Norvegjisë, Mette-Marit. Pos të ftuarve që vijnë nga Norvegjia, panairi do të nderohet me emra të jashtëzakonshëm të letërsisë botërore, si: Margaret Atwood, Elif Shafak, Ken Follett, Colson Whitehead, e shumë autorë të tjerë.

Kosova është e pranishme me një përfaqësim dinjitoz në sallën 5.0, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Evropa Veriore, Irani e të tjerë. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Damo”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Lugjet e Verdha”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës. Shënohen përvjetorë të rëndësisë së lartë nga letërsia, historia dhe kultura shqiptare, si: 20-vjetori i Çlirimit të Prishtinës dhe Kosovës, 100-vjetori i Konferencës së Paqes, 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 90-vjetori i lindjes së Rexhep Hoxhës, 90-vjetori i lindjes së Kosovë Rexhë Balës, 80-vjetori i lindjes së Adelina Mamaqit, 80-vjetori i lindjes së Rrahman Dedajt, 70-vjetori i vdekjes së Mithat Frashërit, 70-vjetori i vdekjes së Vinçenc Prennushit, 40-vjetori i vdekjes së Jakov Xoxes.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç ‘rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare. / KultPlus.com


Disa autorë shqiptarë promovohen në Panairin e Frankfurtit

E shtuna në Frankfurt u shënua si ditë promovimesh të autorëve: Çun Lajçi, Adem Gashi, Valentinë Saraçini, Haxhi Kraki, Ismail Syla, Marigonë Kelmendi, Ismail Syla, Sadik Krasniqi, Seveme Fetiqi, e autorë të tjerë.

Duke qenë se e shtuna dhe e diela janë ditë të hapura për publikun e gjerë në panair, me prezencën e tyre na nderuan qindra bashkatdhetarë gjatë gjithë ditës. E veçantë ishte vizita e Ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi.

Panairi i librit i Frankfurtit (i 70-ti me radhë) është panairi më i rëndësishëm i librit në botë, dhe një nga ngjarjet kryesore kulturore e sociale mbarëbotërore. Këtë vit i ftuar nderi i panairit është shteti i Gjeorgjisë. Marrin pjesë më shumë se 7,300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve.

Për pesë ditë me radhë ekspertët e botimit, shkrimtarët dhe entuziastët e kulturës nga e gjithë bota mblidhen në Frankfurt për të shënuar këtë ngjarje. Shoqata e Botuesve të Kosovës e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të 15-tin vit me radhë, është pjesë e panairit të librit në Frankfurt. Në kuadër të stendës kolektive të Kosovës prezentohen 30 shtëpi botuese: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik e i Historisë, Buzuku, Pema, Faik Konica, Koha, Artini, Dija, Dukagjini, Albas, Titanik etj./KultPlus.com

Novelisti Dan Brown: Dua që librat e mi të jenë argëtues, pavarësisht kritikëve

“Shikoni, unë nuk jam Dostojevski”, thotë autori Dan Brown. Ishte shfaqja më e madhe sa i përket një konference argëtuese për shtyp në Panairin e Librit të Frankfurtit.

Shkrimtari i famshëm arriti në festivalin më të madh të shitjes së librave në botë erdhi në edicionin gjerman të trilerit të tij të fundit “Origin”. Edhe pse përkthimi, në këtë rast mund të duket një punë e shpejtë, po bëhet fjalë për Dan Brown. Me më shumë se 100 milionë libra të shitur dhe “Origin” në këstin e pestë të mistereve të tij të suksesshme Robert Langdon, botimi i tij gjerman ishte një nga më shumë se 50 marrëveshjet për përkthim para publikimit të tij.

Me gjithë atë famë dhe brohoritje, do të mund të mendoni se shkrimtari 53-vjeçi nuk mund të dëgjoj të gjithë talljet nga kritikët për atë se çfarë e konsiderojnë aftësinë e tij të pazakontë letrare.

“Nëse jeni shkrimtar, muzikant ose piktor, ose çfarëdo, ju duhet të shkoni pas shijes tuaj”, thotë Brown.

“Gjithçka që mund të bëni është të krijoni sipas asaj që e pëlqeni dhe shpresoni që njerëzit të tjerë po ashtu do ta pëlqejnë. Tani ka një numër kritikësh të cilët në mënyrë të qartë nuk e ndajnë të njëjtën shije me mua. Tani, unë do të doja të pretendoj se kur është fjala për vlerësimet e këqija, unë nuk i dëgjoj, e as nuk i ndiej ato. Ne të gjithë duam të krijojmë diçka që të gjithë do ta pëlqejnë, por kjo nuk është natyra e arteve krijuese, kështu që është një situatë e jetës e cila vazhdon “.

Për krijimtarinë e tij letrare, simbologu i Universitetit të Harvardit Robert Langdon, sjell një tjetër rast 24 orësh për të zgjidhur, i cili është i zhytur në komplot. Me katër këstet e fundit të vendosura në Vatikan, Paris, Uashington, DC dhe Firence, veprimi këtë herë kalon në qytetin spanjoll të Bilbaos.

Përshkrimi i Brownit i procesit të tij të shkrimit për “Origin” është i ngjashëm me nisjen e një eksperimenti shkencor. “Kur vendosa të shkruaja për evolucionin, krijimtarinë dhe inteligjencën artificiale, kam kaluar gati gjashtë muaj në vit duke lexuar pothuajse ekskluzivisht vepra jo-fiktive dhe duke formuluar pyetjet që unë do t’i të bëja. Pastaj unë u zhvendos në fazën tjetër të bisedës me shkencëtarët e inteligjencës artificiale, kuratorët e artit modern, klerikët fetarë dhe duke kaluar kohë në Spanjë. Nuk e kam me të vërtetë deri atëherë kur bëj shumë hulumtime, që pastaj të filloj të bëj një skicë”.

Dan Brown nuk është i vetmi autor me famë në Panairin e Librit të Frankfurtit. Poashtu, janë përkthyer edhe veprat e shkrimtares britanike Paula Hawkins (Into the Water) dhe të shkrimtarit amerikan Nicholas Sparks, i cili diskutoi librin e tij Two By Two./ KultPlus.com

Kosova në Panairin e Librit në Frankfurt

Kosova edhe sivjet po merr pjesë në ngjarjen më të madhe të librit në botë, siç është Panairi i Librit në Frankfurt. Me 120 tituj të ri, me të gjitha Shtëpitë Botuese të Kosovës e gjashtë promovime atje, Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Frankfurt./ KultPlus.com

Kosova në Panairin e Librit në Frankfurt, promovohen gjashtë botime të reja

Panairi i Librit në Frankfurt i cili ka nis sot më datë 10 tetor, është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës.

Kësisoj në këtë ngjarje të madhe të librit merr pjesë edhe Kosova me të gjithë botuesit që janë: Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Buzuku, Dukagjini, Artini, Koha, Pema, Faik Konica, Libri Shkollorë, Piramida, Dija, Titanik, Mendimi pozitiv, Albas Kosovë, SHB Drita…

Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, Besian Zeneli nga Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, i cili ka dhënë detaje të shumta për këtë ngjarje të madhe, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

“Edhe sivjet do të marrim pjesë në Panairin e Librit në Frankfurk, ku prezantohemi si Kosovë. Sivjet i kemi afërsisht 120 tituj të rinj dhe mbi 200 tituj të viteve të kaluara që do t’i prezantojmë”, ka thënë fillimisht për KultPlus, Besian Zeneli.

Kosova në Panairin e Librit në Frankfrut i cili u hap sot nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, do të mbajë edhe aktivitete të tjera. Është dita e shtunë me fillim nga ora 10:00 ku do të ketë disa promovime të librave.

“Do të kemi disa aktivitet siç janë të shtunën promovimi i librave të Çun Lajqit ‘Përgjime e fjalë”, Klara Buda ‘Kosova mon amour’, Ismail Sula ‘Atdheu im i ngrysur’, Nysret Pllana ‘Terrori i Serbisë në Kosovë’ dhe Shoqata e Shkrimtarëve në Diasporë me qendër në Frankfurt ka paraparë dy promovime”, pohoi Zeneli.

Rikujtojmë se pasi që panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre./ KultPlus.com