Publikohet programi i plotë i Panairit të Librit në Prizren

Edicioni i 14-të i Panairit të Librit në Prizren do të filloj më 27 korrik dhe do të vazhdojë deri më 31 korrik. Në mesin e ngjarjeve në Panair janë edhe diskutimet e mbrëmjet letrare.

Orari i plotë i ngjarjeve në Panair pritet të jetë si vijon:

Më 27 korrik të mërkurën të ftuar për diskutim janë Selajdin Krasniqi (shkrimtar) dhe Astrit Hykaj (shkrimtar dhe përkthyes).

Më 28 korrik, të ftuar janë Ismet Azizi (studiues) dhe Vlora Rexhaj Morina (shkrimtare).

Të shtunën më 29 korrik, Adem Gashi dhe Nexhmedin Spahiu do të jenë mysafir të Panairit për të vazhduar ditën tjetër më 30 korrik me Shkëlzen Gashin e Ismet Krasniqin.

Dita e fundit e Panairit të Librit mbyllet me Fahri Musliun (gazetar, përkthyes) dhe Fatmir Menekshe (artist).

Realizues të programit letrar janë Osman Gornaci dhe Ditar Kabashi. /Express/ KultPlus.com

Së shpejti fillon Panairi i librit në Prizren

Pas panairit të librit që u mbajt në Prishtinë, muaj më parë, një tjetër qytet në Kosovë që do të krijoj të njëjtën atmosferë është edhe Prizreni.

Në Prizren Panairi i Librit do të filloj me 27 korrik për të mbetur i hapur deri më 31 korrik, për 5 ditë me radhë.

Pjesëmarrës të Panarit do të jenë edhe Ditar Kabashi e Osman Goranci për të hapur diskutimet me publikun e lexuesit. Mbrëmjet e debateve në Panair të Librit në Prizren janë tashmë pjesë e programit të çdo edicioni.

Ky i sivjetmi është edicioni i 14-të më radhë i Panairit. Në mbrëmjet e Panairit buzë ‘Lumbardhit’ do të diskutohet me shkrimtarë e emra të letrave shqipe.

Panairit i Librit në Prizren mbështetet nga Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale dhe nga Komuna e Prizrenit./Express/ KultPlus.com

Hapet panairi i librit në 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Për nder të 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, sot është hapur panairi i librit në këtë komunë. Prizreni është bërë nikoqir i shumë shtëpive botuese nga vendi e rajoni, të cilët po i’u ofrojnë qytetarëve një numër të madh të librave.

Për të bërë hapjen e këtij panairi ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se përkrahja për librin duhet të rritet.

“Ne e kemi edhe komponentën e librit brenda ministrisë, përkrahja për librin duhet të rritet edhe në formë të mbështetjes së botimit, përkthimit edhe në promovimin e autorëve që shkruajnë shqip, po në të njëjtën kohë edhe në kuptim të nxitjes së lexueshmërisë së përgjithshme në shoqërinë tonë. Këto janë veprime të mira, janë veprime të domosdoshme, por duhet të kemi më shumë se kaq dhe do të bëjmë më shumë se kaq edhe si ministri edhe si komuna të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se një panair i tillë do të bëhet tradicional.

“Më vjen mirë që pas një periudhe bukur të gjatë të masave të pandemisë ku shumë aktivitete kanë qenë të ndaluara, sot po e fillojmë me një aktivitet shumë domethënës në 143 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra me 10 qershor hapjen e panairit të Librit, i cili besoj duhet të jetë tradicional. Ne kemi edhe panaire të tjera të librit, por veçantia e këtij panairi është se po kemi botues nga të gjitha trojet shqiptare, faktikisht kemi nga Shqipëria, Mali i Zi, nga Maqedonia dhe normal nga Kosova e Prizreni”, tha ai.

Mbi 100 tituj në këtë panair po i ofron shtëpia botuese “Pena”, ku pronari i saj Mensur Bytyçi, tha se e kanë mirëpritur një organizim të tillë nga Komuna e Prizrenit.

“Kurrë nuk është mjaftë shitja e librit, leximi i librit, dija, kurrë nuk është mjaftë. Sa më shumë që organizohen kësi lloje panairesh ku mund të shiten vlera, figurativisht po e them mundësitë janë vlera, se vlerë më të madhe se dija nuk ka. Nëse dëshiron një komb me zhvillu duhet me lexu, duhet të ofrojmë botime për fëmijë, për familjet. Prandaj është shumë i mirëseardhur, uroj që mos ta harrojmë këtë traditë”, tha ai.

Për të shënuar 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, komuna ka organizuar aktivitete të shumta, ku gjatë ditës do të bëhet edhe hapja e ekspozitës “Si u vra Kodi etik i Hipokratit”. / rtv21.tv / KultPlus.com

Hapet panairi i librit në Prizren

Është hapur panairi i librit në Prizren, të premten në mbrëmje.

Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale ka njoftuar se panairi “Prizreni 2020” do të jetë i hapur deri më 31 gusht.

Ditë më parë, ky institut ka njoftuar se krahas gjendjes pandemike me COVID-19 dhe parandalimit të përhapjes së virusit, panairi do të mbahet në ambient të hapur tek “Sheshi i Lidhjes”.

“Për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, panairi do të organizohet me një numër të vogël të shtëpive botuese si dhe në mbrëmje nuk do të ketë programe letrare”, njofton IKKS.

Të gjithë vizitorët do të obligohen të bartin maskat, të respektojnë distancën sociale dhe të dezinfektojnë duart. / KultPlus.com