Ky vit shënjoi 21-vjetorin e Panairit të Librit në Ulqin, një event i rëndësishëm i kulturës së rajonit, që ka bërë bashkë librin shqip nga të gjitha hapësirat shqipfolëse, duke pasur një kontribut në përsosjen e gjuhës shqipe përmes leximit.
Një numër i madh shtëpish botuese, institucione kulturore dhe përfaqësues të letrave nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj., kanë sjellë në këtë panair botimet më të fundit.
Promovime librash, diskutime, konferenca kanë shoqëruar ditët e këtij panairi.
Mbrëmjen e djeshme u bë ndarja e çmimeve të panairit të 21-të të Librit “Ulqini 2022”. Çmimi “Dega e Ullirit” shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha “Trumcak bredharak” (Mediaprint). Çmimi “Servantes” shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit “Ethet” të Jonathan Bazzi (Toena). Çmimi “Liburnia” shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin “Gruaja që deshe” (Onufri). Çmimi “Olcinium” shkoi për Fatmir Toçin, autor i “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” (Toena).
Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, botuesi Bujar Hudhri, akademik Neritan Ceka.
Juria që mori në analizë këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, përbëhej nga personalitete të fushës: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar).
Nesër do të jetë dita e fundit e edicionit të 21-të të panairit të Ulqinit./atsh/ KultPlus.com