Hapet panairi i librit në Durrës, Dako: Tashmë traditë

Është hapur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”, një aktivitet që organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit, i cili do të zgjasë deri në 12 gusht, në shëtitoren Taulantia.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako vizitoi tendat e këtij panairi.

“Ky aktivitet është tashmë një traditë e qytetit të Durrësit dhe ndër aktivitetet më të mira kulturore që zhvillohen. Interesi i shtëpive botuese është i madh, gjithashtu edhe i lexuesve durrsakë, por edhe atyre që vizitojnë Durrësin, duke arritur qëllimin që ka ky panair, për ta çuar librin sa më pranë lexuesit”, tha Dako./ ata

Sonte hapet në Ulqin ‘Panairi i librit 2018’

Qendra e Kulturës Ulqin në bashkëpunim me Organizatën Turistike – Ulqin si dhe Instituti i Librit – Tiranë, organizojnë “Panairin e Librit 2018”, të 18-in me radhë.

“Panairi i Librit 2018” do të hapet sonte, më 3 gusht, në orën 20:00, në Plazhin e Vogël – Shëtitore.

Si risi e edicionit të 18-të mund të cekët numri i ekspozuesve prej 50 shtëpive botuese dhe librarive në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Ndër të tjera, mbrëmja e dytë dhe e tretë e kohëzgjatjes së Panairit do t’i ofrojë publikut të gjerë mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarëve Pavle Goranoviq nga Mali i Zi (04.08.2018., 21:00 h) dhe publicistit Namik Dokle nga Shqipëria (05.08.2018., 21:00 h), në ambientet e Hotelit “Palata Venecia”./ KultPlus.com

Përfundon Panairi i Librit në Prishtinë, pjesëmarrësit të zhgënjyer me ambientin

Pjesëmarrësit e Panairit të Librit “Prishtina 2018” shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për librin, teksa shprehen të zhgënjyer me ambientin ku është vendosur panairi.

Kjo pasi që sipas tyre, as ky jubile nuk i përmbushi kushtet e nevojshme për një panair të mirëfilltë të librit.

Përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirë të librit bëjnë apel për krijimin e një ambienti që ofron kushte më të përshtatshme për prezantimin dhe promovimin e librit.

Drejtori i shtëpisë botuese “PEMA”, Edon Zeneli, tha se këtë vit është vërejtur që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka investuar në aspektin estetik, por problem kryesor është se nuk ka një sallë të denjë panairesh dhe ekspozitash.

“Konsideroj se Prishtina është i vetmi kryeqytet evropian që nuk ka një sallë panairesh dhe këtu njerëzit ankohen, qoftë për klimën brenda, qoftë për ambientin që tashmë është shumë i vjetër dhe nuk është investuar fare në të, dhe kjo përbënë një lloj rëndese edhe për botuesit, por domosdo edhe për lexuesit. Do të thotë kritika jonë nuk drejtohet kah SHQK , por drejt institucioneve që ta marrin këtë punë me prioritet, që ta ndërtojnë një vend afër qendrës së Prishtinës, e cila do të shërbente në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ai.

Gjatë ditëve të panairit, Zeneli tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për librin, por edhe shitje më e mirë e librit.

“Ka pasur vizitor të shumtë, ka shitje jashtëzakonisht të mirë, ka interesim më të madh se viteve të kaluara dhe ne si botues jemi jo vetëm të kënaqur, por të stërkënaqur dhe viteve tjera do të mundohemi të paraqitemi edhe me më shumë tituj të rinj. Edhe pse shtëpia jonë botuese kishte diku rreth 10 tituj ekskluzivisht të rinj këtë panair, dhe mbi 20 që kanë qenë nga panairi i kaluar”, tha ai.

Ai shtoi se ndjehet mirë pasi që dy librat e shtëpisë botuese “Pema”, “Kthimi” i Albatros Rexhajt dhe “Inteligjenca emocionale” i Daniel Goleman ishin dy librat që i prinë listës së librave më të shitur të panairit të sivjetmë. Ndërsa Albana Velianj, përgjegjëse e botimeve shkencore dhe bibliotekës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka bërë dallimin mes ambientit ku mbahet panairi i librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë.

Velianj tha se përkundër asaj se në këtë jubile, pati rritje të të interesuarve për librin, ambienti lë për të dëshiruar. “Sivjet mund të themi se interesi i lexuesve ka qenë më i madh se vitin e kaluar. Sidomos, specifikisht lexuesit e rinj, studentët e interesuar për librat, sepse Akademia e Shkencave sjellë libra të karakterit shkencor të fushave të ndryshme. Besojmë se Panairi i librit në Prishtinë ka qenë dinjitoz në këto 20 vite, edhe pse sivjet ndoshta la pak për të dëshiruar për gjithë hapësirën e cila ishte e përqendruar bota e librit. Panairi i librit në Tiranë mund të themi se krijon hapësira më të mëdha për të përfaqësuar denjësisht të gjithë botuesit shqiptarë. Gjithsesi, panairi i Prishtinës mbetet shumë simbolik për nga prezenca e të gjitha shtëpive botuese që janë pjesëmarrëse dhe ka shumë rëndësi për hapësirën shqipfolëse”, tha ajo.

Për lexuesen Burbuqe Gashi, e cila kishte ardhur nga Klina për të blerë libra, e mira e këtij panairi është se aty gjen literaturën që e kërkon. Ajo tha se falë interesimit për librin, ndër vite ka arritur të organizojë në shtëpinë e saj një bibliotekë të vogël. “Viteve të kaluara ndoshta nuk ka qenë kaq i organizuar, por tash po. Po shoh se ka të interesuar për librin, për lexim. Shkallëve të pallatit kah u ngjita, pash se kishin blerë shumë. Dhe jam e kënaqur se është shumë mirë kur lexon një popull. Do të thotë nuk është mendja e fjetur”, u shpreh ajo.

Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë publik edhe 5 librat më të shitur nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtar. Listës së librave më të shitur nga autorë shqiptarë i prinë “Kthimi” i autorit Albatros Rexhaj, pasuar nga “Lopa e makiatos” e Veton Surroit. Ndërsa “Vepra e plotë në prozën e shkurtër” i Ismail Kadaresë, “Mësimet e Diolës” i Diola Baftiut dhe “Veprat për Sanxhakun e Nishit” i Sabit Ukës, ishin tri librat tjera më të shitura. Nga autorët e përkthyer u veçuan librat: “Inteligjenca emocionale”, “Njëfarë z.Piekielny”, “Fiset shqiptare”, Historia e vajzës së humbur” dhe “Homo Deus”.

Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” u hap më 5 qershor, për të vazhduar deri sot pasdite ku rreth orës 16 ka filluar edhe mbyllja e tendave, e në të cilin u prezantuan mbi 1 mijë e 400 tituj. Panairi i ardhshëm do të mbahet nga data 4 deri 19 qershor 2019, shkruan 21Media./ KultPlus.com

Dëmtohen instrumentet muzikore në Sallën e Kuqe, futen në hapësira të ngushta për shkak të Panairit të Librit

Sot e pesë ditë në kryeqytetin kosovar po mbahet Panairi i Librit, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky pallat, përveç të tjerash është edhe një nga vendet kyçe që kumbojnë vepra të mëdha muzikore, pasi që, aty thuajse çdoherë mbajnë koncert Filharmonia e Kosovës dhe koncertet e festivaleve të ndryshme që ndodhin në Prishtinë.

Pasi që, ky pallat është edhe i koncerteve, aty padyshim që ka instrumente muzikore, të cilat me ardhjen e librave janë gjuajtur në qoshe të ndryshme të Pallatit të Rinisë, dhe krejt kjo tregon dëmtimin e tyre.

Një piano, është futur në një pjesë prapa skenës së vogël të sallës së kuqe dhe mbi të përpos mbeturinave, është vënë edhe një karrige. Një gjest të tillë e dënuan qytetarët, duke e fotografuar dhe publikuar në rrjetin social Facebook. Me këtë rast ka reaguar edhe Besa Luzha, drejtoresha e Festivalit Chopin Piano Fest.

“Qe qysh kujdesen për instrumentet muzikore në sallën e kuqe. Prandaj na duhet një sallë vetëm për koncerte e ku nuk mbahen aktivitete të tjera nga njerëz që kështu i trajtojnë instrumentet e ndjeshme muzikore”, ka shkruar Luzha./ KultPlus.com

Libri i Albatros Rexhajt më i shituri në Panair, Kadare i treti

Sot përfundon edicioni i 20-të i Panairit të Librit në Prishtinë.

Kësisoj, siç e do zakoni pak orë para se të mbyllet ky panair, shpallen emrat e atyre që veprat e tyre u shitën më së shumti në këtë panair.

Në këtë edicion, libri më i shitur doli të jetë libri “Kthimi” me autor Albatros Rexhaj, i cili ndiqet nga shkrimtari Veton Surroi me librin “Lopa e Makiatos”, pas këtij vjen emri i madh i letrave shqipe Ismail Kadare me veprën “Vepra e plotë në prozën e shkurtër”, e katërta me radhë vjen “Mësimet e Diolës” nga Diola Dosti-Baftiu ndërsa në vendin e pestë është “Vepra e Sanxhakut të Nishit” nga Sabit Ukaj, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë, pati shumë vizitorë sivjet dhe duket që shija e tyre shkoi drejt Shtëpisë Botuese Pema, shtëpi kjo e cila botoi librin “Kthimi” të autorit Rexhaj.

Po sjellim kështu edhe veprat e përkthyera të autorëve të huaj që dolën të jenë më të shiturit.

Kësaj liste i prinë Danile Goleman me librin “Inteligjenca emocionale”, i dyti më radhë është Francois-Henri Deserable me librin “Njëfarë z.Piekienly”, pas tij është Robert Elsei më veprën “Fiset shqiptare”, Elena Ferrante me “Historia e vajzës së humbur” dhe Yuri Harari me “Homo Deus”./ KultPlus.com

Albin Kurti viziton Panairin e Librit: Të jep shpresë kur sheh se sa shumë qytetarë vërshojnë në panair

Në Pallatin e Rinisë po vazhdon të mbahet Panairi i 20-të i librit, duke mbledhur shumë vizitorë rreth vetes. Në mesin e tyre sot ishte edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Ai ka treguar se vizita e tij tashmë është e përvitshme dhe se është shpresdhenës fakti se sa shumë qytetarë të të gjitha moshave, vërshojnë në panair për të zgjedhur mes qindra titujsh, nga shtëpi të shumta botuese.

“Jo çdo libër ka vlerë, ama libri i mirë është skulptori më i talentuar i mendjes së njeriut, pas mësuesit kuptohet, sepse duhet një mësues për të të mësuar se nga t’ia fillosh. Më të rinjtë ndonjëherë mund të pyesin se pse duhet të lexojmë, pse të thellohemi në dije, kur shumë nga njerëzit që falë medias e rrjeteve sociale shiten si “të suksesshëm”, nuk janë të ditur, por thjesht të pasur. Vërtet, industria e spektaklit pasuron shpesh njerëz për shkak të atributeve e talenteve fizike, e industria e medias shpesh i bën jehonë provokimit që rrjedh prej arrogancës e injorancës. Megjithatë, rruga e vetme për përparimin e qenies dhe të shoqërisë njerëzore, është dija. E kjo rrugë e përpjetë që duhet të ngjisë mendja, është e shtruar me libra”, shkruhet në postimin e Kurtit./ KultPlus.com

Besnik Mustafaj, promovoi librin me poezi “Harrimi i dashurisë” në Panairin e Librit në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdojnë promovimet e librave. Dita e sotme e këtij panairi u hap me promovimin e librit “Harrimi i dashurisë” nga Besnik Mustafaj, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Buzuku” e cila tashmë riradhitë edhe botime të mëparshme të punës së shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke e cilësuar atë si njeriun e letrave të dashurisë, përkrahu edhe botimin e librit më të ri të shkrimtarit “Harrimi i dashurisë”.

Pikërisht Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese u shpreh se janë të lumtur që pikërisht “Buzuku” realizoi botimin e këtij libri.

“Më vjen mirë që keni ardhur këtu në promovimin e librit të njeriut të letrave, të njeriut të fushës së diplomacisë shqiptare që ka ndikuar shumë në tranzicionin dhe në zhvillimet që ka bërë shteti i Kosovës. Kur ai i botonte librat në Francën e i gëzoheshim sukseseve të tij dhe tani jemi të lumtur që patën mundësin që të botojmë pikërisht librat e tij edhe ne si shtëpi botuese”, tha ai.

I pranishëm në promovim të librit ishte edhe aktori Çun Lajçi i cili edhe interpretoi dy poezi nga libri i botuara.

/…kërkojë tokën e lagësht/ dheun e butë që nuk më vret brinjët/ shikojë plot durim qiellin/ pres renë e vogël që sjellë shiun/ a qoftë edhe pak njomësi/ ky ajër i thatë hyn e del nëpër ujë/ me një vërshëllim të shurdhër/ a thua se ish në një mushkëri të huaj/ duke të pritur ty unë jam si kërmilli/ i harruar në hapësirën time të mjaftueshme/ për të pritur edhe kur s’ka vend për ty/ ti ndoshta do të vish/ eja unë të pres../

Në promovim të librit fjalën e mori edhe shkrimtari Adem Gashi, mik i shkrimtarit Mustafaj. Ai u shpreh se shkrimtari e filloi krijimtarinë e tij me poezinë e cila siç edhe ka thënë edhe Mustafaj nuk është një lum që rrjedh po një vullkan që bënë sikur flenë që të të zgjojë vrullshëm dhe papritur.

“Mua mu bë e papërballueshme që nga krijimtaria e tij të bëjë një përmbledhje të poezive dedikuar pikërisht dashurisë ndoshta duke u bazuar në faktin se lirika me këtë tematikë kap një volum të gjerë të krijimtarisë së tij”, tha Gashi i cili edhe ka zgjedhur poezitë e shkrimtarit dhe i ka radhitur ato në librin më të ri të tij.

Sipas Gashit kur të lexohet ky libër lexuesit do të pyesin se ku është dashuria, të cilën sipas tij lexuesit mund ta gjejnë pikërisht të mungesa e saj, e cila mund të vërehet edhe tek vargjet unë po të pres ty si kërmilli, i strukur në lëvozhgën time…

Shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se për të më të rëndësishmit janë lexuesit. Ai tha se pikërisht në Kosovë ka ardhur në kërkim të lexuesve të tij.

“Kur e lash politikën para 10-të viteve në mënyrën me spontane thash se tani nuk jam më në kërkim të votuesve por jam në kërkim të lexuesve dhe mund të ju them se në këtë rrugën e aventurës është më e vështirë të gjesh lexues sesa votues. Të pasurit e kaq shumë njerëzve këtu me bën të lumtur pasi që dëshmon se njerëzit janë të interesuar për të lexuar shkrimet e mia”, u shpreh ai.

Poezitë e librit të botuar “Harrimi i dashurisë” nuk janë shkruar gjatë një periudhe të caktuar mirëpo janë përmbledhje e poezive të cilat poeti i ka shkruar gjatë viteve. Pikërisht këto poezi ai i konsideron si një trashëgimi të cilat ai ka vendosur t’ua lë lexuesve edhe kur të mos jetë më.

Ky edicion i Panairit të Librit në Prishtinë do të vazhdojë edhe për katër ditë. Kujtojmë se shkrimtari Besnik Mustafaj ishte shpallur autori i vitit, në edicionin e kaluar të Panairit. Shoqata e Botuesve e vlerësoi atë me këtë çmim për librin “Ëndrra e doktorit” botimet Toena./ KultPlus.com

Në kuadër të Panairit të Librit u promovua sot “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj

Alberina Haxhijaj

Në sallën e promovimit të improvizuar në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë kanë zënë vend sot edhe dy vëllimet e romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë si çdo vit nuk harron që të iu ofrojë hapësirë edhe shkrimtarëve të ri të cilët po fillojnë që të krijojnë vepra të cilat po kërkohen nga lexuesit. Pikërisht si pjesë e gjeneratës më të re të shkrimtarëve, shkrimtarja Jetlira Avdijaj solli promovimin e romanit të saj më të ri “Valsi i Dashurisë”.

Promovimi i dy vëllimeve të romanit, i cili tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të panairit ishte një befasi e këndshme për autoren. Ajo ishte përgatitur për botimin e librit por jo edhe për promovimin e tij pikërisht në kuadër të panairit, të cilin ajo e konsideron një pasuri.

“Panairi është një pasuri e cila një herë në vit prezantohet dhe i dedikohet të gjithëve. Të gjithë që marrin pjesë në të pasurojnë njohuritë e tyre, me një fjali më shumë, një titull, një libër, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që unë e kam bërë promovimin e librit pikërisht këtu në panair”, tha ajo për KultPlus.

Romani “Valsi i dashurisë”, i cili mund të mendohet se trajton vetëm temën e dashurisë fsheh prapa tij edhe tema të tjera të cilat shkrimtarja i sheh si aktuale në Kosovë. Një libër që ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshëm.

““Valsi i dashurisë” trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat e mbi të gjitha fuqinë kolosale të dashurisë. Libri trajton edhe tema të tilla si krimi, lufta që ndodh brenda familjeve tona prej kundërthënieve, armiqësive që nuk marrin fund pavarësisht se sa shumë ne mundohemi që ato të përfundojnë e sidomos për dashurinë dhe shpresën e cila i mbanë në këmbë dy personazhet kryesore”, tha autorja.

Sipas autores një copë nga jeta e secilit lexues, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve në libër. Libri sjellë historinë e një studentes e cila bie në dashuri me një agjent sekret.

Pikërisht ky libër ka qenë një ndër librat që i ka marrë më së shumti kohë për ta shkruar shkrimtares Jetlira Avdijaj, ndërsa zbuloi për KultPlus, se ajo u ka dërguar shtëpive botuese edhe libra të tjerë të cilët tashmë i ka përfunduar e që priten të publikohen së shpejti.

Në mesin e këtyre librave është romani “Premtimi”, një roman i cili trajton dashurinë në disa aspekte, duke vënë në pah një premtim të dhënë i cili mbetet për të parë nëse do i mbijetojë sfidave që sjellë jeta. Po ashtu në botim është dërguar edhe libri “Simfonia e fundit”, një simfoni e cila po ashtu trajton dashurinë e cila në këtë libër është në presion të vazhdueshëm nga plumbat, një dashuri që kërkon sakrifica.

Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Pas ‘Kosova mon amour’, Klara Buda rikthehet në Panairin e Librit në Prishtinë më ‘Pëshpërimë gruaje’

Alberina Haxhijaj

Sot po shënohet dita e dytë e Panairit të Librit në Prishtinë dhe në kuadër të kësaj dite organizatorët e panairit po sjellin edhe promovime të librave të ndryshme, duke filluar me librin “Pëshpërimë gruaje” nga Klara Buda, shkruan KultPlus.

Në hapësirën e stendës së ‘UET Press& Mapo’, shkrimtarja Klara Buda kishte zënë vend përkrah librit të saj “Pëshpërimë gruaje”. Ajo në kuadër të panairit priste lexuesit dhe të interesuarit për krijimtarinë e saj. Me buzëqeshje në fytyrë i përshëndeste të gjithë një nga një dhe nuk ngurronte që t’iu shkruante fjalë që i dilnin nga zemra gjersa firmoste librat e blerë nga të pranishmit.

Faktin se është e lumtur që po rikthehet edhe këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë e thekson që në fillim të intervistës së saj për KultPlus.

“Është një panair i organizuar shumë mirë dhe unë vet personalisht gjithmonë vi me libra dhe i prezantoj edhe këtu edhe në Tiranë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të themi se krijimi i hapësirës kulturore në mes të Tiranës dhe Prishtinës, midis Kosovës dhe Shqipërisë është mënyra më e mirë për t’i bashkuar këto dy vende”, tha ajo fillimisht.

Sipas saj Panairi i Prishtinës është një panair i cili ka një histori të shkurtër pasi që edhe shteti i Kosovës është i ri, mirëpo sipas saj ajo që duhet vlerësuar është se panairi është më i vjetër se shteti i Kosovës. Sipas saj kjo tregon se libri dhe kultura në këtë vend është në origjinë të zhvillimit të shtetit të ri. Tutje ajo flet për bashkimin kulturorë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dy vendeve ku mbetet edhe mendja e saj gjersa qëndron në Francë.

“Ajo që duhet të ndodh në radhë të parë është një bashkim kulturor pasi që ky është më i fuqishëm dhe jo deklarata se do bashkojmë shtetet e të tilla. Duhet që të largohet dogana për librin fillimisht në mënyrë që kur libri udhëton nga Tirana në Prishtinë apo anasjelltas të mos paguhet dogana. Gjëja e parë që duhet të bëhet është bashkimi kulturor, një bashkim i cili nuk mundet të kontestohet nga askush për faktin se kultura është një, gjuha është një”, theksoi ajo.

Në qershor të viti të kaluar, Klara Buda pati ardhur në Panairin e Librit në Prishtinë nga ku u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”. Libri tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.

Këtë çmim ajo e kujton me shumë dashuri dhe është mirënjohëse ndaj organizatorëve të panairit për vlerësimin. Ndërsa këtë vit në panair ajo erdhi me “Pëshpërimë gruaje” një homazh për dashurinë si akt rezistence, por në njëfarë mase edhe për mëmësinë pasi që personazhi kryesor detyrohet nga presioni politik që të abortojë fëmijën e vet, fryti i vetëm i dashurisë së saj me Adrianin i cili i përket një klase të përmbysur.

“Dashuria këtu është si formë rezistence por edhe si e vetmja ndjenjë e cila nuk mund të tjetërsohet nga politika pasi që është ndjenjë që lind jashtë dhe pavarësisht strukturës. Në atë sistem aq të rreptë edhe të dashurojë dhe ta shprehje se dashuroje një njëri të një klasë tjetër ishte në vetvete një akt rezistencë. E vetmja është dashuria e cila i bënë rezistencë totalitarizmit dhe që i mbijeton edhe frikës pasi që të gjitha ndjenjat e tjera tjetërsohen në totalitarizëm”, u shpreh ajo për KultPlus.

Përmes dashurisë së ndaluar në mes të dy të rinjve ajo trajton gjithë problematika e totalitarizmi. Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Haradinaj në hapje të Panairit të Librit: Shkruani se dilni në dritë

Prishtina sot mirëpriti hapjen e Panairit të 20-të të Librit, i cili si çdo vit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Që në hapje të panairit u çmua shumë puna e botuesve gjersa u ftuan pjesëmarrësit e këtij panairi që të lexojnë sa më shumë libra. Në anën tjetër nga institucionet e Kosovës u premtua përkrahje financiare për vazhdimin e organizimit të panairit si dhe lehtësime për botuesit duke përfshirë edhe heqjen e taksave për libra.

Kryetari i shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, rikujtoi kohën që nga fillimi i organizimit të panaireve duke u shprehur krenar për punën dhe për arritjen e mbajtjes së 20 panaireve të suksesshme dedikuar librit.

“Çdo ngjarje e madhe kulturore e ka për detyrë të prodhojë një porosi, një mesazh të veçantë dhe unë e kam fjalën për pastërtinë e gjuhës shqipe. Shqipja është pronë e çdo shqiptari dhe secili e ka hisen e vet dhe të drejtën që ta mbrojë pastërtinë e gjuhës së vet. Në këtë panair shumica e librave janë të shkruar në gjuhën e pastër shqipe prandaj dua të ju them se miku më i mirë i njeriut gjendet në mes të dy veshëve të tij. Le të urojmë që të marrim libra që kanë gjuhën e pasur dhe këshillën e mirë që ta begatojmë vetveten dhe jetën tonë”, tha ai.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që ta përkrahin librin.

“Ky panair është jubilar dhe si i tillë meriton porosi të çmuar nga qeveria e vendit. Jemi të vendosur që të përkrahim botimin dhe shpërndarjen e librit dhe të bëjmë lehtësirat në taksa, pra pa TVSH. Porosia ime për ata që shkruajnë është ‘shkruani se dilni në dritë’…Si brez i lirisë ne kemi lexuar dhe jemi frymëzuara, pra kemi marrë prej rilindësve, prej heronjve, patriotëve, burrave e zonjave të mëdha duke pasur qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë”, tha ai, duke porositur që të mbajnë lidhjen me librin pasi që pikërisht kjo lidhje edhe na bënë me të zotë.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi , ky panair e ka një veçori të veçantë pasi që gjenezën e ka më ditët e luftës për liri. Sipas tij simbol i këtij panairi është se ai ka lindur nga gryka e pushkës për të sjellë paqen.

Ndërsa i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti theksoi rëndësinë që kanë botuesit e librit, autorët dhe organizatorët e panairit të cilët, së bashku, i quajti ushtarë të librit.

“Është kënaqësi të jem në mesin e ushtarëve të librit, të cilët e bëjnë një nga betejat më të mëdha sot. Ata luftojnë me dembelinë, përtacinë, me teknologjinë informative, informata e shpejta duke na kthyer të e vërteta, hulumtimi, shkrimi, tregimet, novelat, e të gjitha të tjerat që na japin kënaqësi kur ne lexojmë një libër. Unë si kryetar komune e di se sa hekin organizatorët për të kërkuar fonde për realizimin e këtij panairi. Ata trokasin në çdo derë për ta mbajtur gjallë këtë panair dhe për t’ia pfruar lexuesit një mundësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se ministria e ka parë të rëndësishëm përkrahjen e botuesve të librit duke e trefishuar edhe buxhetin për mbështetjen e botuesve. Para të pranishmeve aktori Çun Lajçi solli edhe një poezi.

“Kur të kthehesh lum trimi, pështyje hijen prapa e mos shkel fërkemit të ikjes/ merri sytë e territ e përpiju veshi t’malit/ përpije rrugën e me shpinën tanë peshoje/ ndrydhja mendimit para se t’ia besosh fjalën mikut. Panairi për të gjithë të pasionuarit pas librave do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./KultPlus.com

Nesër nis Panairi i 20-të i Librit në Tiranë

Nesër më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com

Nëntori sjellë Panairin e 20-të të Librit në Tiranë

Më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com