Sot nis panairi kombëtar i suvenireve turistike në Sarandë

Mbrëmjen e sotme në Sarandë, çel siparin Paniri IX Kombëtar i Suvenireve Turistike, miqësore me mjedisin, një event i përvitshëm dhe tradicional tashmë, i cili do të shtrihet në tri ditë nga 19-21 gusht.

Panairi organizohet nga Qendra AJMMI, në Sarandë (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) me mbështetjen e Bashkisë Sarandë. Eventi përfshihet çdo vit në kalendarin e aksioneve kulturore jo vetëm të Bashkisë po edhe të Ministrisë së Kulturës dhe të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Sipas burimeve të AJMMI-t dhe atyre te drejtorisë së Turizmit në Bashki, në këtë edicion marrin pjesë rreth 70 subjekte artizanë nga territore  etnokulturore të ndryshme të bashkive në vend si dhe nga trevat etnike të  Kosovës, Malit të Zi, etj.

Panairi i 9-të Kombëtar “Saranda, 2021″ synon të promovojë  resurset e pamata të  traditës së artizaneve shqiptare në fushën e punimeve te dorës, me realizime të artikujve ne lloje te ndryshme materiali si: punime ne qëndisje, në material leshi, druri, guri, lekure, qeramike, guacka, aplikacione  artistike nga mbetje të ndryshme të lëndëve të para, etj,.

Drejtuesi i AJMMI-t Shkëlqim Hajno tha se “gjatë këtij edicioni  i cili përfshin edhe përmasën e një festivali të etnokulturës shqiptare që përcillet nga duart dhe mendimi artistik i artizanëve; në rreth 70 minipavione  me artikuj sipas kritereve strikte të paravendosura; mëtohet të sillet tradita burimore dhe prurjet bashkëkohore, përmes së bukurës dhe gjetjeve të saj si koncept estetik që evoluon në kohëra”.

Pritet që artizanet të sjellin pranë njeri-tjetrit traditën e punëve të dorës nga treva të ndryshme si Saranda dhe Gjirokastra, Shkodra dhe Prizreni, Prishtina dhe Kruja,  Berati, Korça, Tepelena, etj,.

Sipas AJMMI-t, në pikëpamje të lëvrimit dhe teknikave të punës  së dorës, eventi i 9-t Kombëtar përfshin qëndistarinë e dorës dhe punët në tezgjah, punime arti në gjilpërë dhe endje, mjeshtërinë e filigramit dhe delikatesën e prodhimit të bizhuterive  shqiptare, krahas veshjeve kombëtare që përbëjnë gjithmonë një magji më vete.

Qasja mjedisore në lëndën e parë dhe tradita autentike shqiptare sipas trevave, kanë qenë evidente në rrugëtimin e këtij aktiviteti kombëtar, në Sarandë një nga kryeqendrat turistike të hapësirës mbarëshqiptare, e preferuar përherë e më tepër si një destinacion.

President i Panairit të 9-të Kombëtar është kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma.

I planifikuar të organizohet ne 100-vjetorin e Bashkisë Sarandë, në zemrën e shëtitores së re të qytetit bregdetar që mban emrin e poetit kombëtar “Naim Frashëri”; eventi konfirmon edhe një herë, dimensionin dhe promovimin e kësaj infrastrukture publike, si shëtitorja e panaireve dhe ngjarjeve kulturore të larmishme gjithëvjetore, krahas vendstartimit të turizmit blu të trageteve, në një magnet atraktiv për mijëra turistë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com

Hapet edicioni i 8-të i Panairit të Suvenireve Turistike

Në qytetin e Sarandës ka startuar edicioni i 8-të i Panairit të Suvenireve Turistike me qasje mjedisore.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma ishte i pranishëm në hapjen e panairit i shoqëruar nga dy nënkryetarët Ramiz Hysi e Jorgo Mitro.

Panairi synon promovimin turistik të resurseve të traditës së artizanëve shqiptarë në fushën e punimeve të dorës, me realizime të artikujve në lloje të ndryshme materiali si, punime në qëndisje, në material leshi, druri, guri, guaska deti, lëkurë, qeramikë, metal, etj.

Artizanët shqiptarë sjellin pranë njëri-tjetrit në këtë event kombëtar traditën e punëve të dorës. Panairi përfshin qëndistarinë me dorë dhe punët në tezgjah, punime në material druri, në lesh, me shtiza, në filigram, në bizhuteri dhe veshje kombëtare, në guaska të qëmtuara nga brigjet e Jonit përmes një larmie teknikash aplikative, etj.

Panair Kombëtar i Suvenireve pritet të përcillet nga shumë vizitorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët ashtu si edhe në vitet e mëparshme, kanë blerë kujtimet e pushimeve të tyre nga Saranda në këtë panair. /atsh / KultPlus.com