Sot mbushet 1 vit nga fillimi i pandemisë COVID-19 në vendin tonë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot në vëmendje betejën një vjeçare të stafeve mjekësore në përballje me pandeminë.
Manastirliu shprehet se mjekët dhe infermierët kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues.
Ajo apelon që t’i ndihmojmë bluzat e bardha të gjithë bashkë, duke mos e ulur vigjilencën në luftë me COVID-19.
“Si sot një vit më parë, nisi beteja në vijën e parë të frontit e stafeve tona mjekësore në përballje me COVID19, në shërbim të jetës. Megjithë vështirësitë, kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues të përballjes me pandeminë, që njerëzimi e ndesh një herë në shekull. T’i ndihmojmë të gjithë bashkë, duke mos e ulur vigjilencën, me durim e sakrificë, ta çojmë deri në fund luftën me armikun e padukshëm. Sepse drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet, me intensifikimin e vaksinimit antiCOVID”, shprehet ministrja. / KultPlus.com
Si shumë vende në botë, Turqia është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, ku shumica e rasteve ndodhen në Stamboll. Por kjo nuk është hera e parë që qyteti më i madh i Turqisë preket nga shpërthime të tilla pandemie.
Rreth vitit 540 p.e.s, Stambolli, i njohur si Kostandinopoja në atë kohë, u prek nga një prej shpërthimeve më të rënda të murtajës, Vdekjes së Zezë, që çoi në vdekjen e mijëra njerëzve, çdo ditë.
Kur u godit nga një shpërthim tjetër në shekullin e XVI, shumë u larguan nga qyteti, dhe disa zgjodhën të strehoheshin në Ishujt e Princave, që ndodhen rreth 90 minuta larg qendrës së qytetit. Kështu, 9 ishujt në detin Marmara dukeshin dikur si toka e premtuar, ndërsa qyteti po shkatërrohej nga pandemia.
Büyükada dhe Heybeliada, ishujt idilikë, me arkitekturë të shekullit të XIX, të një stili osman, u ofrojnë vizitorëve sot një pushim nga energjia e furishme e Stambollit. Nëse rrugët e zhurmshme të Stambollit janë të mbushura me trafik, në ishuj makinat janë të ndaluara dhe ritmi është shumë më i ngadaltë.
Ishujt, veç të tjerash, ishin një vend mërgimi për mbretërit gjatë epokës Bizantine, dhe më vonë u bënë një strehë për pakicat fetare, veçanërisht të krishterët, ndaj mban një numër të madh monumentesh historike fetare.
Pianisti gjerman është bërë gati për të filluar koncertin maratonik që zgjat 20 orë të shtunën, në të cilin ai do të luajë një vepër të vetme muzikore për të ngritur vetëdijen në lidhje me gjendjen e vështirë të artistëve gjatë pandemisë.
Igor Levit do të luajë “Vexations” nga Erik Satie, një nga veprat më të gjata në historinë e muzikës, që përbëhet vetëm nga disa nota që luhen 840 herë.
“Këto kohë janë brutale për artistë, si në aspektin fizik, atë mental dhe emocional. Prandaj, kjo pjesë funksionon shumë mirë, sipas mendimit tim për të rritur vetëdijen për atë që po kalojmë”, ka thënë Levit për agjencinë telegrafike të Gjermanisë.
Pianisti do të luajë notat e tij të para në ora 02:00 të mëngjesit dhe të fundit në mbrëmjen e së shtunës. Do të transmetohet live nga një studio në Berlin përmes disa kanaleve nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogaritë e 33-vjeçarit në Instagram dhe Twitter.
Vepra muzikore e vitit 1893 nga Satie (1866-1925) përbëhet nga një temë e shkurtër dhe variacione, dhe të gjitha notat e saj janë të shkruara brenda një faqeje. Sipas pianistit Levit, është diçka që të kujton një “britmë të heshtur” gjatë monotonisë së saj.
“Artistët kanë nevojë për skenë. Situata e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë dhe këtu flas edhe për veten time, po ashtu”, ka shtuar ai. “Pamja është e errët, duke vënë në pah këtu rregullat për ngjarje kulturore”.
Më 10 mars, Levit ka luajtur koncertin e tretë dhe të pestë të Beethovenit në “Elbphilharmonie” në Hamburg. Ishte ditëlindja e tij dhe koncerti i tij i parë para një audience virtuale për të ardhmen e paparashikueshme.
Ditën tjetër, kancelarja Angela Merkel njoftoi për të ardhmen e paqartë pasi që vendi filloi të mbërthehet nga novela e koronavirusit. Brenda disa ditëve një mbyllje kombëtare u shpall për të mbajtur nën fre rastet, duke anuluar mbledhjen e një numri të madh të njerëzve. Që atëherë, Levit ka mbajtur më shumë se 50 performanca nga shtëpia. / DW/ KultPlus.com
Njerëzit duhet të ndalen së keqpërdoruri natyrën ngase përndryshe do të ketë më shumë pandemi vdekjeprurëse, si COVID-19, kanë paralajmëruar shkencëtarët që kanë analizuar lidhjen midis viruseve, botës së egër dhe shkatërrimit të natyrës.
Prerja e pyjeve dhe format e tjera të shkatërrimit po i largojnë speciet ekzotike prej pyjeve në drejtim të mjediseve ku jetojnë njerëzit, duke e nxitur bashkëveprimin dhe krijimin e llojeve të reja sëmundjesh, kanë thënë ekspertët.
Tri të katërtat e sëmundjeve të reja ose të porsashfaqura dhe që infektojnë njerëzimin, origjinën e kanë nga kafshët, kanë bërë të ditur qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke shtuar se është faktori njeri dhe aktivitetet e tij ato që i shumëfishojnë rreziqet nga infektimet.
Një trup hulumtues ka konfirmuar se origjina e COVID-19 është nga lakuriqët, të cilët natyrshëm i grumbullojnë viruset. E këto viruse më pas, me shumë gjasë, barten te njerëzit apo kafshët e tjera po qe se ato jetojnë në apo afër mjediseve njerëzore, siç janë pyjet e pastruara ose tokat e përgatitura për bujqësi, projekte të minierave ose projekte banimi.
Në natyrë, lakuriqët më pak mund t’i transferojnë viruset te kafshët e tjera ose të vijnë në kontakt me patogjenë të rinj, sepse këto specie kanë tendencë të përshtaten përbrenda mjediseve të dalluara dhe të krijuara mirë. Por pasi toka të shndërrohet në përdorim njerëzor, probabiliteti është më i madh që këto viruse të kalojnë nga një specie në tjetrën.
Përderisa natyra po pakësohet, kafshët e egra u drejtohen territoreve të banuara nga njerëzit, siç janë shtëpitë, shtëpizat dhe hambarët. Kjo vlen veçanërisht për lakuriqët, të cilët ushqehen me numrin e madh të insekteve ose frutave në pemishte.
Dy vjet më parë, shkencëtarët parashikuan se një koronavirus i ri do të shfaqet nga lakuriqët në Azi, pjesërisht sepse kjo ishte zona më e prekur nga prerja e pyjeve dhe presionet e tjera që i janë bërë mjedisit.
Një nga autorët, Roger Frutos, specialist për sëmundjet infektive në Universitetin e Montpellierit, ka thënë se studime të shumta kanë konfirmuar densitetin dhe shumëllojshmërinë e viruseve të ardhura nga lakuriqët, kryesisht në zonat e banuara nga njerëzit.
“Njerëzit shkatërrojnë mjedisin e lakuriqëve dhe pastaj ata na ofrojnë viruset. Disa përshtaten në mjediset ku jetojnë njerëzit dhe disa nuk do të përshtateshin në natyrë”, ka thënë Frutos.
Shkatërrimi i natyrës është kushti thelbësor për përhapjen e një virusi të ri, shtoi ai, por ka shtuar se ky është vetëm njëri prej faktorëve.
Lakuriqët natyrshëm i bartin sëmundjet te njerëzit. Por nuk ekziston ndonjë provë se kjo gjë vlen edhe për koronaviruset. Deri më tani mendohet se në pyetje ka qenë një ndërmjetës, kafshë shtëpiake apo e egër, me të cilën njerëzit kanë rënë në kontakt përmes ushqimit, tregtisë apo ilaçeve.
Në shpërthimin e SARS-it më 2003 në Kinë, në pyetje ishte një lloj maceje tropikale. Gjatë MERS-it në Lindjen e Mesme më 2012, ishte një deve.
Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se cila ishte kafsha që e barti virusin e COVID-19, megjithëse Frutos ka thënë se teoritë fillestare ishin për një pangolinë, porse tani kjo teori besohet të jetë më pak e mundshme.
Deri më tani, shkencëtarët kanë zbuluar rreth 3.200 lloje të ndryshme të koronavirusit te lakuriqët. Shumica e viruseve nuk janë të dëmshme për njerëzit, por dy lloje të viruseve të gjetura në Azinë Lindore janë të lidhura ngushtë dhe ishin përgjegjëse për SARS-in dhe COVID-19. Shfaqja e ardhshme e virusit me siguri do të ndodhë në Azinë Lindore, por epidemitë e sëmundjeve të tjera të reja mund të shkaktohen diku tjetër.
Amerika e Jugut është një zonë shqetësuese, për shkak të shkatërrimit të shpejtë të Amazonës dhe pyjeve të tjera. Shkencëtarët në Brazil kanë zbuluar se përhapja e viruseve ishte me shkallë prej 9.3 për qind në mesin e lakuriqëve nëpër vendet e shpyllëzuara. Kjo krahasuar me 3.7 për qind në pyjet e pacenuara.
“Me shpyllëzimin dhe ndryshimin e përdorimit të tokës, ju u hapni derën viruseve”, ka thënë Alessandra Nava, nga qendra e kërkimit Biobank me qendër në Manaus.
Ajo tha se sëmundjet zhduken në mënyrë të natyrshme në natyrë, por kjo nuk ndodh kur njerëzit prishin ekosistemin. Sipas një shembulli vendor, ajo tregoi për sëmundjen Lyme, e cila është përhapur te njerëzit përmes capybaras (një brejtësi tropikal).
“Problemi është kur bashkoni specie të ndryshme që nuk përshtaten në të njëjtin ambient. Kjo lejon që mutacionet e virusit të barten edhe te speciet e tjera”, ka thënë ajo. “Duhet të mendojmë se si t’i trajtojmë kafshët e egra dhe natyrën. Aktualisht jemi duke u marrë me këto çështje”. \ Guardian / KultPlus.com