Përqafimi, simbol i pandemisë

Pas 50 viteve martesë, Giorgio nuk do ta ketë më Rozën në krah të tij. Pas përkeqësimit të kushteve shëndetësore, 74 vjeçarja, fotoja e të cilës së bashku me bashkëshortin u bë protagoniste e pandemisë së Covid-19 në Itali, ndërroi jetë nga virusi vdekjeprurës, transmeton KultPlus.

Ai përqafim i ëmbël në repartin e spitalit në Cremona, Itali, ku të dy ishin të shtruar për shkak të Covid-19, ishte bërë një mesazh i fuqishëm shprese dhe dashurie. ‘Ajo foto ishte një dhuratë për mamin dhe babin’, ka deklaruar djali i çiftit.

Në ditët e fundit Giorgio po priste me padurim në shtëpi që ajo të kthehej, duke kërkuar lajme për të çdo mbrëmje. Flinte keq i ndarë nga bashkëshortja me të cilën kishte kaluar një jetë dhe të cilën nuk do e ketë më. / KultPlus.com

Italia dikur vendi më i goditur nga korona, sot rekord shërimesh

Ndonëse Italia ishte vendi më i goditur nga koronavirusi në Evropë, përveç numrit të madh të të prekurve, kishte edhe viktima të shumta.

Së fundi, Instituti italian për Sëmundjet Ngjitëse ka njoftua se javën e fundit në Itali janë shënuar shumë pak të vdekur nga koronavirusi, për dallim nga javët dhe muajt më parë.

Ndryshe, qeveria italiane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.

Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore italiane kanë njoftuar zyrtarisht se nga numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi, 196,246 persona janë shëruar plotësisht.

Deri më tani është bërë testimi i 6,103,492 personave nën dyshimin se mund të jenë të prekur nga koronavirusi në Itali.

Sipas statistikave, deri më tani ka pasur 243,736 persona të infektuar me COVID-19 dhe se infektimet ende po vazhdojnë të jenë të pranishme në këtë shtet.

Po ashtu, Italia regjistron 35,017 viktima deri më tani që nga rastet e para në këtë vend. /albinfo/ KultPlus.com

Kosova e para në Evropë për raste të reja me COVID-19 në dy javët e fundit

Në dy javët e fundit në Kosovë ka pasur një rritje të madhe të numrit të të infektuarve me COVID-19. Një gjë e tillë reflektohet edhe në tabelën e ESI (The European Stability Initiative) të cilën e kanë krijuar me të dhënat e marra nga European Center for Dissease Prevention and Control.

Bazuar në të dhënat e  dy javëve të fundit, Kosova është e para në Evropë sa i përket mesatares së rasteve të reja të infektimit me COVID-19 për 100 mijë banor.

Sipas kësaj përllogaritje Kosova për 100 mijë banorë ka 124 raste të reja me COVID-19.

Në vendin e dytë renditet Mali i Zi me 123 raste të reja, i ndjekur nga Luksemburgu me 100 raste.

Maqedonia e Veriut renditet në pozitën e katërt me 94 raste, e ndjekur nga Suedia me 76.

Ndërkohë marrë përgjithësi Ballkanin Perëndimor si rajon, për 100 mijë banorë, raste të reja janë 73.

https://twitter.com/adicerimagic/status/1283412078271901697?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1283412078271901697%7Ctwgr%5E&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fkosova-e-para-ne-evrope-per-raste-te-reja-me-covid-19-ne-dy-javet-e-fundit%2F

Si pasojë e rritjes së madhe të infektimeve me COVID-19, Kosova ka vendosur që të bëjë obligative bartjen e maskës, derisa është në shqyrtim e sipër edhe mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjithashtu janë vendosur edhe kufizime të lëvizjes nga 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhe orar i veçantë i lëvizjes për personat mbi 65 vjeç. / KultPlus.com

Dr. Anthony Fauci: Rihapja e parakohshme shkaktoi shtimin e infektimeve të reja

Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci thotë se shtimi i ritmeve të përhapjes së koronavirusit ditët e fundit në SHBA është rezultat i faktit se Shtetet e Bashkuara nuk e mbyllën plotësisht aktivitetin për të ndalur avancimin e sëmundjes.

“Nuk realizuam një mbyllje të plotë dhe për këtë arsye shohim rritje,” tha të hënën drejtori i Institutit të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjike në një intervistë me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Stanford, transmeton KultPlus.

“Ritmet kishin filluar të binin, realizuam një sheshim të kurbës me shifra gjithsesi shumë të larta prej rreth 20 mijë infektimesh të reja në ditë. Pastaj filloi rihapja dhe tani po shohim shtim të rasteve, në Kaliforni, në Arizona, në Teksas e Florida si dhe shtete të tjera,” tha Dr. Fauci.

Eksperti u shpreh gjithashtu me “optimizëm të matur” se brenda vitit do të ketë të paktën një vaksinë kundër koronavirusit. / KultPlus.com

Kanadezët kanë dorën e shtetit, kryeministri po bën mrekulli për qytetarët në kohë të pandemisë

Justin Trudeau kryeministri i Kanadasë, një shpirtmadh dhe një kryeministër i rrallë.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka një shtëpi të thjeshtë dhe një zyrë të thjeshtë. Ai përjashton taksat, ai dërgoi aeroplanët në të gjitha vendet e botës për të sjellë përsëri bashkëatdhetarët e tij të bllokuar në vendet e tjera! Ai i dha rrogat, dha edhe ushqimin, ai qëndroi në rrugë për një orë megjithë të ftohtin nën akullnajë, për të parë kushtet dhe nevojat e tyre!

Dhe dje, ai po shikonte nga kopshti i tij i përulur me sytë që i lotojnë për njerëzit e tij dhe u thotë atyre: “Nëse jeta ime do të ishte në këmbim për t’ju kursyer, unë gjithashtu nuk do të kisha ndërmjetës, dhe nuk do të prisja shumë para se të mendoja”. Ai shtoi: “Gruaja ime gjithashtu është e infektuar dhe unë nuk bëj ndryshim midis saj dhe jush”.

Ai jep një raport (dhe jo një fjalim) para një gazetari çdo ditë në orën 1 të mëngjesit, për të dhënë informacionin e duhur, udhëzimet dhe të vërtetën në lidhje me atë që bëri makina shtetërore në 24 orë. Ne fund të llogaridhënies ai shtoi:

“Ata që janë përgjegjës për t’i shërbyer popullit janë punonjës të njerëzve dhe jo Lordë për adhurim dhe etje për fuqi. Mirënjohja ime iu drejtohet edhe kryeministrave të provincave, të cilët po bëjnë të njëjtën punë kolosale për të mirën e shëndetit të popullatës.” / KultPlus.com

Shpiket filtri i ajrit që vret koronavirusin

Një filtër ajri që është i aftë të “vrasë në moment” koronavirusin është dizenjuar nga një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Hjustonit në SHBA, transmeton KultPlus.

Studimi, i publikuar në revistën “Materials Today Physics”, thotë se filtri arrin të eliminojë 99,8% të patogjenit që shkakton Covid-19.

Kërkuesit shkencorë amerikanë mendojnë se koronavirusi nuk mund të mbijetojë në temperatura mbi 70 gradë dhe për këtë arsye e kanë prodhuar filtrin duke e nxehur në 200 gradë Celcius, çka e bën të pamundur për koronavirusin që të kalojë përmes tij.

Në kushte normale, virusi mund të qëndrojë në ajër për 3 orë dhe prandaj ky filtër është i dobishëm për aeroportet, avionët, zyrat dhe shkollat. / KultPlus.com

Hoti: Do ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse rekomandojnë Ministria dhe IKSHKP

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë sot në Kuvend se ekspertët ligjorë të zyrës së tij kanë analizuar dhe kanë dalë me përfundim se projektligji për menaxhimin e pandemisë nuk është i mjaftueshëm, nëse duhet të merren masa më ekstreme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

“Ne sot në Qeveri e kemi shqyrtuar projektligjin për pandeminë. Ky ligj nuk e zgjedh problemin. Sepse nuk mundet ky ligj , e vetmja zgjidhje nëse duam të shkojmë në ekstreme të kufizimit të lëvizjes në nivel vendi, kjo duhet të bëhet me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Ai ka thënë se diçka e tillë do të mund të bëhet vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe se nuk heziton të kërkojë shpalljen e saj , transmeton KultPlus.

“Unë jam në konsultim të ngushtë me Institutin Shëndetit Publik edhe me Komitetin që udhëheq ministri, unë nuk do të hezitoj që të vijë për të kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse këtë e kërkojnë ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka me pas asnjë hezitim në këtë drejtim”, tha Hoti.

Ndërkaq kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas fjalëës së kryeministrit, ka thënë se atij nuk i takon të sjellë në Kuvend propozim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, dhe se kjo mund të bëhet vetëm nga Presidenti. / KultPlus.com

Hynë në fuqi masat e Qeverisë kundër virusit Korona

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim me institucionet shëndetësore për të diskutuar me masat që do të ndërmerren për të parandaluar numrin e madh të rasteve me Covid-19, si dhe shtimin e numrit të viktimave.

Hoti në një konferencë për media njoftoi se nga masat kryesore që do të zbatohen është kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në ora 05:00 e mëngjesit.

Kreu i ekzekutivit njoftoi po ashtu se në lokalet e gastronomisë gjatë kohës së lejuar do të kenë të drejtë të punojnë ambientet e jashtme si tarracat si dhe do të aplikohet shërbimi merre me vete “Take Away”.

Masat kanë hyrë në fuqi sonte nga ora 21:00. /KultPlus.com

Në botën me Covid-19 s’ka edhe punë edhe fëmijë, duhet të zgjedhësh njërën

Gazeta e njohur “New York Times” ka publikuar një shkrim të njërit nga miliona prindër që janë të brengosur për edukimin e fëmijëve të tyre dhe krizën ekonomike të shkaktuar nga Covid 19. Ky prind, në tekstin e tij ngrit një dilemë të madhe që po e imponon bota aktuale e influencuar krejtësisht nga virusi Corona.

“Javën e kaluar kemi pranuar një e-mail nga kujdestarët e fëmijëve të mi, me sqarimet e nevojshme se si do të ndodh rikthimi në objektet shkollore si dhe masat që do të merren në përputhje me situatën. Aty sqarohej se si një nxënësi i duhen 65 metra katrorë hapësirë në klasë dhe se si do të zhvillohej mësimi me orare të ndryshme.” shkruan prindi i brengosur.

“Po të kesh tre fëmijë, do të duhet t’i dërgosh tre herë në ditë në shkollë, pasi do të reduktohen nxënësit nëpër klasa e do të shtohen ndërrimet. E them me zë të lartë: Në Covid 19, ju mund të keni vetëm një fëmijë ose një punë, është i pamundur një skenar tjetër në këto rrethana.” shtoi ai, transmeton Insajderi.

“Kam biseduar me shumë prindër dhe ata kanë shqetësime të njëjta. Siç duket në këtë situatë, mund të mbijetosh vetëm nëse je i pasur” përfundon ai.

Covid 19 ka goditur çdo shtet në botë dhe përveç ekonomisë ka dëmtuar rëndë edhe edukimin e jetën sociale. /Insajderi.com /KultPlus.com

Pandemia godet turizmin kulturor

Situata ku gjendemi prej përhapjes së covid-19, ka goditur rëndë turizmin kulturor. Kalatë, muzetë dhe sitet arkeologjike po vuajnë mungesën e vizitorëve, duke shënuar ditët më të vështira.

Situata e krijuar nga pandemia, i ka lënë thuajse bosh pikëtakimet me historinë, që prisnin mijëra vizitorë. Gjirokastra është një prej qyteteve që sezonin turistik e ka të bazuar mbi turizmin kulturor. Por, Kalaja e Argjirosë, muzeu i Armëve dhe Shtëpia e Kadaresë, vuajnë mungesën e vizitorëve.

Vitin e kaluar, qyteti i gurtë përllogaritet se u vizitua nga rreth 90 mijë turistë. Këtë sezon të huaj mungojnë, ndërsa ata vendas janë të paktë.

“Vizitorët vendas janë të rritje, ndërsa ata të huaj nuk kanë ardhur ende. Shpresojmë që të në ditët në vijim, të rritet fluksi.”

Shqipëria ka hapur kufijtë pa kushte, por turistët e huaj, që janë edhe vizitorët kryesore të muzeve e siteve arkeologjike, mungojnë dukshëm. /KultPlus.com

Bota po bashkëjeton me realitetin e ri

Ndërsa infeksionet masive godasin edhe në vendet që dukeshin se e kishin zbutur koronavirusin, zyrtarët po kthehen drejt qasjeve të targetuara dhe të shpejta, por fleksibile, për të ndaluar valët e treta ose të katërta. Kina po teston punonjësit e restoranteve dhe shoferët shpërndarës të ushqimeve, bllok pas blloku pallatesh. Koreja e Jugut u thotë njerëzve të mbajnë dy lloje maskash për situata të ndryshme sociale me risk. Gjermania kërkon që komunitetet të mbyllen kur numri i infeksioneve kalon pragje të caktuara. Britania do të ketë në shënjestër shpërthimet lokale. Në të gjithë botën, qeveritë që dukej se e kishin zbutur koronavirusin po përshtaten me realitetin e ri, dhe mendimin se sëmundja është këtu për të qëndruar. Por duke u larguar nga izolimet e dëmshme mbarëkombëtare, ato po kërkojnë mënyra të targetuara për të gjetur dhe ndalur shpërthimet para se të bëhen valë të treta ose të katërta.

Strategji të ndryshme për qëllim të njëjtë

Ndërsa detajet ndryshojnë, strategjitë synojnë t’u japin qeverive fleksibilitet, që të shtrëngojnë ose lehtësojnë masat, sipas nevojës. Ato synojnë një përzierje të testimit dhe monitorimit intensiv, kohë të shpejtë të reagimit nga autoritetet, menaxhim strikt të kufijve dhe kujtesa të vazhdueshme për qytetarët, mbi rreziqet e kontaktit të shpeshtë njerëzor. Strategjitë shpesh i detyrojnë qeveritë qendrore dhe zyrtarët lokalë të ndajnë të dhëna dhe të punojnë ngushtë së bashku, duke kapërcyer sistemet kompjuterike të papajtueshme, luftërat e egove dhe rivalitetet e tjera burokratike. Tashmë, në Britani, disa zyrtarë lokalë thonë se përpjekjet e tyre nuk janë të koordinuara sa duhet.

Ndryshimi i strategjive është një konfirmim që edhe vendet më të suksesshme nuk mund të shpallin fitoren, derisa të gjendet një vaksinë. Ato gjithashtu nxjerrin në pah sfidën e përballuar nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku autoritetet kurrë nuk frenuan plotësisht shpërthimet fillestare, dhe nga ku koronavirusi do të rrezikojë të përhapet.

“Gjithmonë do të jetë me ne”, thotë Simon James Thornley, epidemiolog nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re.

“Unë nuk mendoj se mund ta eliminojmë virusin. Ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin”. Edhe në vendet ku koronavirusi dukej se ishte nën kontroll, shpërthimet masive mbeten një rrezik i madh. Në Tokio ka pasur 253 infeksione të reja javën e kaluar, 83 nga një lagje me klube nate. Në Gütersloh në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 1.500 punëtorë nga një fabrikë për përpunimin e mishit dolën pozitivë, duke bërë që autoritetet të mbyllnin dy qarqe, transmeton KOHA.

Koreja e Jugut, një tjetër shtet që u lëvdua për reagim të shpejtë, ka njoftuar dhjetëra infeksione të reja ditët e fundit. Në Romë, e cila kohët e fundit doli nga një prej izolimeve më të rrepta në Evropë, 122 persona janë pozitivë, të lidhur me një rast vatre në një spital, Instituti San Raffaele Pisana. Disa ditë më vonë, 18 njerëz që jetojnë në një ndërtesë me banjë të përbashkët dolën pozitivë me virusin.

“Sapo ne ulëm vigjilencën, na goditi”

“Sapo ne ulëm vigjilencën”, thotë Paolo La Pietra, që zotëron një dyqan duhani në këtë lagje, “na goditi”. Koreja e Jugut e quan strategjinë e saj “karantinë të jetës së përditshme”. Vendi kurrë nuk zbatoi masat e rrepta që u panë në vende të tjera, dhe masat për distancimin shoqëror, megjithëse inkurajohen fuqimisht, mbeten udhëzime. Megjithatë, ajo ka vendosur një objektiv të një maksimumi rreth 50 infeksioneve të reja në ditë – një objektiv që thotë se sistemi i vet shëndetësor publik, duke përfshirë edhe testimin dhe aftësinë për gjurmim, mund t’i përballojë.

Zyrtarët zhvendosin rregullat sipas nevojës. Pas një vale të dytë të infeksioneve që shpërtheu në Seul, zyrtarët e qytetit i detyruan njerëzit të mbajnë maska në transportin publik dhe ambiente të mbyllura publike për dy javë.

Kriza nga pandemia, Gjermania ndihmon artistët me 1 miliard euro

Qeveria gjermane e ka miratuar një paketë ndihme për kulturën në vlerë 1 miliard euro, me qëllim përmirësimin e mundësive të punësimit për artistët, pas kufizimeve të vendosura kundër COVID-19.

“Duhet të mirëmbajmë atraksionet kulturore dhe vendet e performances”, njoftoi ministrja e Kulturës, Monika Gruetters, në një deklaratë pas një takimi të kabinetit në Berlin.

Një e katërta e financimit do të shkojë për vendet e asistencës për zbatimin e masave higjienike, biletave në internet dhe sistemeve të ventilimit.

Deri në 480 milionë euro kanë për qëllim të ndihmojnë artistët të kthehen në punë me kohë të plotë.

Pjesa tjetër, 150 milionë euro janë siguruar për dixhitalizimin dhe 100 milionë euro do të kompensojnë humbjen e të ardhurave nga pandemia. / KultPlus.com

Mashtrime, gënjeshtra dhe urrejtje, ‘Infeksioni’ tjetër prej koronavirusit

Teksa qeveritë luftojnë për të frenuar transmetimin e covid-19, ato gjithashtu luftojnë për të ndalur përhapjen e dezinformatave në internet, të lidhura me të.

Pandemia ka rezultuar në përhapjen e shpejtë të teorive të komplotit që paraqesin rrezik për shëndetin publik, një rritje të urrejtjes anti-aziatike në internet, si dhe një përhapje të mashtrimeve mbi covid-19.

Pjesa më e madhe e dezinformatave në internet rreth koronavirusit po shpërndahen nga faqet që kanë mbështetur teoritë e komplotit për tema të tjera, siç janë vaksinat dhe sulmet e 11 shtatorit, thotë John Gregory i NeësGuard, një firmë që vlerëson besueshmërinë e lajmeve dhe faqeve të informacionit. Firma fillimisht vuri re një rritje të dezinformatave mbi covid-19 në javën e fundit të janarit, pasi virusi filloi të mbulohet gjerësisht në emisionet e lajmeve.

“Pjesa më e madhe e faqeve që ne kemi identifikuar për shkëmbimin e dezinformatave mbi koronavirusin dhe pandeminë janë sitet që ne i kishim vlerësuar tashmë si jo të besueshme”, thotë Gregory.

Në Evropë, firma identifikoi 36 faqe në Facebook që i konsideronte “super-përhapëse” të dezinformimit mbi koronavirusin, të cilat së bashku kishin më shumë se 13 milion përdorues. “Vëllimi është i pashembullt,” thotë Gregory.

Disa faqe janë duke përdorur covid-19 si një mënyrë të re për të përhapur lajme, thotë Gregory. Për shembull, faqet e komplotit që kishin pohuar në mënyrë të rreme se sinjalet 5G shkaktojnë kancer, që atëherë kanë nisur të lidhin 5G me pandeminë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Kate Daunt në Universitetin e Cardiffit dhe kolegët e saj anketuan më shumë se 700 njerëz midis 21 Marsit dhe 5 Prillit, dhe zbuluan se 51 përqind e të anketuarve kishin parë dezinformata rreth koronavirusit gjatë muajit të kaluar.

Në mesin e grupit që raportoi se nuk kishin parë ndonjë lajm të rremë në lidhje me covid-19, studiuesit zbuluan se 41 përqind nuk i kontrollonin kurrë lajmet për vërtetësinë e tyre, para se t’i ndanin ato me të tjerët. “Këta individë janë më pak të informuar dhe mund të shohin dezinformim, por pa e kuptuar atë,” thotë Daunt.

Nuk janë thjesht lajme të rreme që po përhapen në internet. Srijan Kumar në Institutin e Teknologjisë së Georgias në Atlanta dhe kolegët e tij vunë re rritje të gjuhës së urrejtjes anti-aziatike në Tuiter, duke analizuar gati 31 milion postime në këtë platformë, në lidhje me covid-19.

Ata e përkufizuan gjuhën e urrejtjes anti-aziatike, si çdo postim që ishte abuziv ose poshtërues ndaj një individi ose grupeve të njerëzve aziatikë, apo që i fajësonin ata për krijimin, përhapjen ose keqinterpretimin e covid-19.

Ekipi identifikoi afërsisht 3 përqind – ose 891,000 postime – si gjuhë urrejtjeje, dhe 10 përqind e tyre u postuan nga bot-et në internet. Ai gjithashtu zbuloi se rreth 200,000 postime ishin kundër-urrejtës, domethënë ata kritikonin në mënyrë aktive racizmin dhe gjuhën e urrejtjes, ose mbështesin apo mbronin njerëzit aziatikë.

Gjuha e urrejtjes, si virusi, duket se është ngjitëse. Edhe duke marrë parasysh faktin se njerëzit kanë tendencë të ndjekin të tjerët me pikëpamje të ngjashme, përdoruesit që panë gjuhë urrejtjeje anti-aziatike të postuar nga dikush që e ndiqnin, kishin pesë herë më shumë të ngjarë të hidhnin më shumë postime me përmbajtje urrejtëse.

Në të kundërt, studiuesit zbuluan se postimet kundër-urrejtjes dekurajuan të tjerët që të hidhnin mesazhë të ngjashme. Kjo sugjeron që platformat e mediave sociale duhet të marrin masa për të zvogëluar ekspozimin e përdoruesve ndaj përmbajtjes së urrejtjes, thotë Kumar. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën e urrejtjes në internet,” thotë ai. “Eshtë gjithashtu se si njerëzit ndikohen në botën reale.”

Mashtrimet

Pandemia e koronavirusit gjithashtu ka çuar në një shtim të mashtrimeve. Në prill, rregullatori i komunikimit në Mbretërinë e Bashkuar Ofcom paralajmëroi për thirrje telefonike dhe tekste nga mashtrues që hiqeshin si qeveri, agjensi shëndetësore publike dhe madje edhe vetë Ofcom.

Mesazhet me tekst shpesh imitojnë formulimet zyrtare, të tilla si kërkimi i parave përmes gjobave të rreme për gjoja shkelje të rregullave të bllokimit. Telefonuesit janë paraqitur si punonjës shëndetësie ose gjurmues të kontaktit, duke ofruar teste dhe trajtime.

Deri në 29 maj, gati 4.7 milion stërlina ishin humbur prej këtyre lloj mashtrimeve në të gjithë vendin, dhe më shumë se 2000 njerëz ishin mashtruar, sipas ActionFraud, qendra e raportimit në Mbretërinë e Bashkuar për mashtrime dhe krime në internet.

Ajo gjithashtu kishte marrë më shumë se 11,200 raportime mbi e-maile mashtruese të lidhura me koronavirusin, të cilat kërkojnë të vjedhin informacionin personal të një përdoruesi.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Mbretërinë e Bashkuar ka vërejtur një rritje në faqet e internetit, të mashtrimeve që shesin teste të rreme, maska për fytyrën dhe vaksina.

Ajo nisi një shërbim raportimi për postë elektronike të dyshimtë në 21 prill, duke marrë më shumë se 600,000 ankesa në pak më shumë se pesë javë.

Kriminelët në internet po përfitojnë nga frika e njerëzve për shëndetin, thotë Jake Moore në firmën e sigurisë në internet ESET. “Të kapur prej këtij paniku, [njerëzit] po japin shumë informacione për të cilin ata ndoshta do të mendoheshin dy herë, në një tjetër situatë,” thotë ai.

Moore thotë se mashtrimet në lidhje me koronavirusin kanë ndjekur tendencat në lajme. Një shqetësim aktual ka të bëjë me ata rreth aplikacionit të gjurmimit të kontakteve në Mbretërinë e Bashkuar, ku njerëzit marrin tekste ose emaile false nga adresa vetëm pak të ndryshme nga ato zyrtare. /NewScientist/ KultPlus.com

Parashikimi i pandemisë nga fiset e lashta

Për më shumë se një shekull, grupet indigjene kishin paralajmëruar se shkatërrimi i natyrës mund të shpjerë deri tek sëmundjet e tek shkatërrimi i jetës.

Levi Sucre Romero është anëtar dhe lider i Bribrit, ku ky grup është një prej grupeve më të mëdha indigjene.

Romero kujton lajmin që e dëgjoi gjatë janarit për koronavirusin që po infektonte njerëzit në Kinë, dhe thotë nuk e kishte pritur aq shpejt këtë gjë.

“Sinqerisht nuk besoja se do të arrinte kaq shumë. Thosha se ishte shumë larg nesh”.

Po ashtu ai beson se virusi u krijua nga lakmia e njeriut dhe trajtimit të keq ndaj planetit. /KultPlus.com

Shkencëtarët bëjnë thirrje: Hapni shkollat për adoleshentët sa më parë

Neuroshkencëtarët në Britani thonë se reduktimi i kontaktit mes adoleshentëve dhe miqve të tyre gjatë pandemisë mund të ketë pasoja të dëmshme afatgjata.

Në një kohë të vështirë, zhvillimi i trurit, sjellja dhe shëndeti i tyre mendor mund të jetë në rrezik. Përdorimi i rrjeteve sociale mund të përbëjë disa efekte negative të distancës sociale.
Ekspertët bëjnë thirrje që shkollat të rihapen për të rinjtë dhe të sigurohen sa më shpejt.

Adoleshenca e përcaktuar nga shkencëtarët midis moshës 10 dhe 24 vjeç është një fazë e çuditshme kur të rinjtë duan të kalojnë më shumë kohë me miqtë sesa familjen e tyre.
E kombinuar me ndryshime të mëdha hormonale dhe biologjike, është një kohë kyçe për zhvillimin e trurit.

Është gjithashtu periudha kur ka më shumë gjasa të kenë probleme me shëndetin mendor.

“Por koha e koronavirusit ka ndikuar shumë në shëndetin e tyre mendor, pasi izolimi nuk funksionon për askënd” thotë Prof Sarah-Jayne Blakemore, nga departamenti i psikologjisë në Universitetin e Kembrixhit.

Psikologja thotë se për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19, shumë të rinj në të gjithë botën aktualisht kanë më pak mundësi për të bashkëvepruar ballë për ballë me bashkëmoshatarët dhe kjo është thelbësore për zhvillimin e tyre.

Artikullinnë revistën “Viewpoint”, i shkruar nga Amy Orben, studiuese në Kembrixh dhe Livia Tomova, nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, bën thirrje që të bëhen më shumë hulumtime për të kuptuar efektet e “privimit social” tek adoleshentët.

Disa studime kanë treguar që përdorimi aktiv i mediave sociale, siç është mesazhet ose postimet direkte në profilin e një personi tjetër, rrit mirëqenien dhe ndihmon në mirëmbajtjen e marrëdhënieve personale. Sidoqoftë, është treguar që përdorimet pasive të rrjeteve sociale, ndikojnë negativisht në mirëqenien. /bbc/ KultPlus.com

Pandemia mbyll edhe “Shotën”, stafi në vetizolim

Stafi administrativ i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” prej sot (e enjte) është në vetizolim.

Punonjësi i këtij institucioni, që dyshohej se është infektuar me koronavirus, ka rezultuar pozitiv të mërkurën. I njëjti është bashkëshorti i punonjëses së Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19 të martën. Si pasojë, pas Galerisë tashmë edhe “Shota” është mbyllur. Megjithëse punonjësi i këtij institucioni nga e mërkura e javës së kaluar ishte në vetizolim, Ministria e Kulturës do të kërkojë testim për punonjësit e “Shotës” dhe disa të vetë Ministrisë që ishin raste kontakti, shkruan Koha.net

“Punonjësi i ‘Shotës’ ka dalë pozitiv. Edhe pse ai ka qenë në vetizolim nga e mërkura e javës së kaluar, ne kemi kërkuar vetizolim të punëtorëve të ansamblit të cilët kanë pasur kontakt me punëtorin në fjalë. Të enjten do të kërkojmë testimin e punëtorëve që kanë pasur kontakt me të infektuarin”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës. / KultPlus.com

Pandemia rëndoi gjendjen e fëmijëve në Kosovë

Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tej pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet, nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku KOMF ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, tha Kelmendi.

Bukureza Surdulli nga KOMF tha se për këtë raport kanë monituar 7 komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mos implementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime.

“Mos vullneti politik nga niveli qendror dhe lokal, dhe kështu nuk është implementuar procesi i decentralizimit. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale. Deri më tani nuk është bërë postimi i shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa do të jetë shuma në bazë të nevojave. Sa i përket buxhetit të ndarë nga komunat, ndajnë disa fonde ne formë të subvencioneve për OJQ-të që këto shuma janë të pakta dhe nuk mjaftojnë”, tha Surdulli.

KOMF vlerëson se duhet të fuqizohet komunat dhe qendrat sociale dhe se niveli lokal duhet të ketë persona të profilizuar të cilët merret vetëm me qendrat sociale./ KultPlus.com

Pasojat e pandemisë, 9 milionë turistë në vit, sot Amsterdami është bosh

Në ditë normale, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, mbyllën dyert për vizitorët për shkak të pandemisë koronavirus.

Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.

1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frank, nga këta 92% turistë të huaj. Edhe ky muze tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.

“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90% të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë për të rihapur dyert për turistët e huaj”, thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.

Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do e bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.

“E di që kemi 55 mijë shtretër hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori hotelier.

Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Holandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj kur niveli i vdekjeve u vu në kontroll.

Nga data 1 qershor do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh. / KultPlus.com

Axha Ramadan, 93 vjeçari që u bë frymëzim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, në krye të lagjes gjendet shtëpia dy katëshe e axhës Ramadan (Ramadan Rafuna), 93 vjeçarit që u bë inspirim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës. Ballkoni i shtëpisë së tij rrallë qëllon i zbrazët, axha Ramadan është figura qendrore e këtij balloni nga ku banorët shpesh i kthejnë sytë për të parë skenat më të mira që mund t’i pikasësh gjatë një kohe të tillë izolimi, shkruan KultPlus.

Në rrethana normale, mëngjesi axhën Ramadan e ka gjetur në Tokbashqe apo Gërmi, ku bashkë me shokët kanë luajtur ndonjë lojë shah apo kanë ecur rreth parkut, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19, e ka detyruar atë të izolohet në shtëpi. Por, kjo asnjëherë nuk ja ka zbehur energjinë e vullnetin për të kaluar ditën në mënyrën më të mirë. Në kushtet që ofron shtëpia, ai e ka shfrytëzuar ballkonin e shtëpisë për të bërë ushtrimet e mëngjesit, për të luajtur letra me mbesat e tij, teksa afër e mbante edhe një gotë çaj si shoqëruesin më të mirë në momente të tilla, e besa, ndonëse ju duket e pamundur për shkak të moshës së shtyrë, ai edhe ka lexuar gjatë kësaj kohë. Anekdotat e Anton Çettës, librin “Pa atdhe nuk kam fe” nga Selman Vokshi dhe “999 anekdota” të Salih Zogianit kanë qenë librat që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe karantine.

“Masi na izoluan ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, po masi i kam mbesat prapë mirë, se kemi lujt me letra, shah e domino, kështu që më ka kalu koha mirë, jo keq”, thotë ai për KultPlus.

Në rininë e tij ai ishte polic, por më vonë ai u bë pjesë e Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë pjesë e kësaj iniciative që ka arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90, ai padyshim ishte edhe afër Anton Çettës, kryetarit të kësaj lëvizje. E si duket “Plaku i urtë”, epitet të cilin Anton Çetta e kishte marrë nga populli i cili e respektonte dhe donte shumë, kishte ndikuar edhe te axha Ramadan. Ndonëse kanë kaluar vite e vite nga ajo kohë, ai e kujton me shumë nostalgji atë moment historik për shqiptarët.

“Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Rinia sot nuk e kuptojnë, ka qenë një fushë që është quajtur ‘Fusha  e Pajtimit të Gjaqeve’, ku janë falë 7 mijë gjaqe. Kur u qojke nana e ja falke gjakun e djalit, ose baba të djalit, apo vllau të vllaut, ka qenë shumë e vështirë, gjithë ai popull që ka qenë prezent nuk kanë mundur t’i mbajnë lotët”, tregon axha Ramadan i cili edhe sot, pas kaq shumë vitesh, teksa rrëfente, nuk mund t’i mbante emocionet, zëri i dridhej e lotët gati e tradhtuan.

“Me Anton Çettën kemi kaluar shumë kohë bashkë. Ka qenë një njeri i urtë, me fjalë të matura e të mira. Anton Çetta e ka hapë një rrugë në shqiptari që asnjëherë më parë, askush nuk ka vepru më mirë. Me u pajtu njerëzit mes vete në atë mënyrë, kjo ka qenë e jashtëzakonshme. Edhe në të ardhmen ka me vazhdu mu shkru për këtë ngjarje historike për vendin tonë”, thotë ai.

Një 93 vjeçar duke lexuar, është një pamje frymëzuese të cilën nuk ka mundur ta neglizhojë as fotografi Nok Selmani i cili qëllon të jetë komshiu i tij i parë. Duke u ndjerë i frymëzuar çdo ditë nga kjo figurë dhe energjia e tij, Noku ka ngrirë disa nga këto momente që për të kanë një domethënie të madhe. E 93 vjeçari shprehet i lumtur që ka frymëzuar banorët.

“Jam i lumtur që i kam frymëzuar banorët e lagjes edhe pse pa vetëdijen time, unë thjesht e kam bërë rutinën time ditore. Me ushtrime merrna gjithmonë kapak, më ka mbet shprehi prej moti. Ushtrimet më kanë ndihmu e më ndihmojnë ende për me qenë ma i shëndetshëm”, thotë axhi Ramadan.

Ndërsa, sot pas më shumë se dy muajve, ai ka dalë për herë të parë në qytet.

“Gjatë kësaj periudhe më ka mungu shumë koha kur dilja. Sot kam dal në mëngjes me ec. Kur dola i gjeta shokët aty, ju thash mos mu afroni, të ruhemi, po jo vallahi than, krejt në n’gryk më kanë marrë”, pohon teksa fytyra i buzëqeshte. Vërehej qartë në fytyrën e tij që dalja nga karantina dhe takimi me shokë e kishin rilindur edhe njëherë.

Krejt për fund të intervistës, ai deshi të ndajë edhe një mesazh me lexuesit e KultPlus.

“Kjo koha e karantinës e ka pasur anën pozitive dhe atë negative. Besoj që ka ndiku për mirë shumë tek njerëzit, që me dashtë më shumë njëri tjetrin. Besoj që e kanë kuptu sa e rëndësishme është me pas shoqëri, dashni e rahati në mes vete, jo mu marrë me ngatërresa. Se kohëve të fundit njerëzit e këqyrshin veç interesin personal, e tash besoj që kjo situatë ka ndiku me pa botën ma ndryshe, me dashni.” / KultPlus.com

Studentët në Itali do t’i mbajnë provimet në mes të ullinjve

Imagjinoni t’i nënshtroheni provimeve finale ulur në një tavolinë pikniku në qiellin e kaltër dhe në mes të plantacioneve të ullinjve, e zhurmës së zogjve në periferi të Umbrias.

Ky skenar dramatik i pret studentët në Institutin Agrokulturor Ciuffelli, pasi organizimi i provimeve në ambient të mbyllur është i pasigurt dhe i paparashikueshëm shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Në kampusin 75 hektarë të shkollës në periferi të qytetit Todi të martën, shtatë profesorë dhe një student kanë bërë një provë për provimet që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Në Itali gjithë studentët i nënshtrohen provimeve me gojë dhe me shkrim për të marrë një diplomë apo gradë. Normalisht të gjithë ato mbahen në ambient të mbyllur, por këtë javë provimet me shkrim janë anuluar për të evituar ngarkesën në klasa shkollore.

Zyrtarët e institutit kanë vendosur të mbajnë provimet me gojë në ambient të jashtëm.

Profesorët, duke mbajtur maska, qëndronin ulur me laptopët e tyre dhe printerët në një tavolinë pikniku rreth 19-vjeçarit Matteo Lenticchia, që po i përgjigjej një numri të pyetjeve hipotetike për qumështin, djathin, sigurinë e ushqimit, konsumimin dhe shpërndarjen.

Ata ishin vendosur nën hije të pemëve.

“Në fakt, është më relaksuese të jesh jashtë. Është më relaksuese të dëgjosh tingujt e zogjve sesa të dëgjosh sirenat e veturave”, ka thënë Lenticchia.

Në Institut gjatë pesë vjetëve studentët mësojnë çdo aspekt të agrokulturës, si të drejtosh një fermë, për kafshët, për bimët dhe madje edhe si të përdoren dronët për të monitoruar lagështinë në fusha.

Umbria, që gjendet në qendër të Italisë, është e famshme për prodhim bujqësi. / KultPlus.com

Studimi nga Australia ndez dritën e gjelbër për rihapjen e shkollave

Drita e gjelbër është ndezur nga një studim nga New South Wales, Australi, mbi çështjen e shqetësuar të rihapjes së shkollave.

Qëllimi i studimit ishte të ekzaminonte transmetimin e COVID-19 në 15 shkolla dhe qendra të kujdesit për fëmijë shkruan Mirror.

Raporti nga Qendra Kombëtare e Kërkimit dhe Mbikëqyrjes së Imunizimit (NCIRS) hetoi të gjitha rastet COVID-19 në shkollat ​​e NSW nga 5 Mars – 3 Prill 2020.

Nëntë fëmijë dhe nëntë mësues nga 15 shkolla u konfirmuan raste dhe të gjithë kishin mundësinë për të infektuar të tjerët në shkollat ​​e tyre. Nga ato 18 raste, gjurmimet e kontaktit identifikuan 735 fëmijë dhe 128 mësues që mund të kishin kontraktuar me COVID-19.

Asnjë mësues nuk kontraktoi virusin nga ndonjë prej fëmijëve të shkollës fillore. / KultPlus.com

A do ta ndryshojë botën pandemia covid-19?

Murtaja, Gripi Spanjoll, dhe sëmundje të tjera epidemike e kanë transformuar rrënjësisht mënyrën se si jetojnë njerëzit.

Po, nëse ajo është e ngjashme me pandemitë e dikurshme. Epidemitë dhe sëmundjet virale, kanë diktuar rregullisht rrjedhën e civilizimit njerëzor, duke vrarë miliona njerëz, dhe duke shkatërruar ekonominë. Por kur secila prej pandemive zhduket, ajo lë pas ndryshime të thella kulturore, politike dhe shoqërore që kanë zgjatur shumë kohë më pas.

Epidemitë më të mëdha në historinë njerëzore, që përfshijnë Epideminë Atheniane, Murtajën dhe Gripin Spanjoll, e kanë shndërruan kujdesin shëndetësor, ekonominë, fenë, mënyrën e socializimit dhe mënyrën e punës. “Pas një pandemie, gjërat nuk janë asnjëherë të njëjta si më parë”- thotë dr.Liam Foks, ish-sekretar i mbrojtjes i Britanisë së Madhe, që i ka studiuar në detaje këto epidemic, në kuadër të një libri që po shkruan. “Dhe shpërthimi epidemik aktual, nuk do të jetë një përjashtim”- shton ai.

Kur ndodhi pandemia e parë?

Pandemia më e hershme e dokumentuar, ka ndodhur gjatë Luftës Peloponeziane në vitin 430 Para Krishtit. Sot besohet se ajo ishte një formë e etheve tifoide. Epidemia goditi në fillim Libinë, Etiopinë dhe Egjiptin përpara se të mbërthente qytetin e Athinës, që në atë kohë ishte e rrethuar nga ushtria e rivales së saj, Spartës.

Tukididi kronikoi në detaje gjendjen e mjerueshme të Athinës në atë kohë, duke përshkruar plagët e të sëmurëve, lëkurën e tyre të kuqe, grykët dhe gjuhët e përgjakura, dhe skenat apokaliptike brenda mureve të qytetit, ku “njerëzit në agoni binin mbi njëri-tjetrin nëpër rrugë”.

Epidemia do të luante një rol përcaktues në humbjen e Athinës përballë Spartës, dhe ndjenja e dëshpërimit, çoi në një rritje të degradimit moral në mesin e popullatës.

Gjatë shumë pandemive, njerëzit gjejnë strehë tek seksi dhe pirja masive e alkoolit, si dhe në rritjen e ndjenjës fetare. Kështu Murtaja Justiniane e vitit 541 Pas Krishtit, nxiti ngritjen e shpejtë të Krishterimit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Po çfarë e shkaktoi Murtajën Justiniane?

Yersinia pestis, një bakter i përhapur nga pleshtat tek minjtë, i njëjti fajtor që fshihet pas njërës prej pandemive më të këqija në historinë e njerëzimit:Vdekjës së Zezë. Pasi mbërriti në Siçili përmes nga një anije tregtare në vitin 1347, Vdekja e Zezë u përhap në mbarë Evropën dhe vrau rreth 200 milionë njerëz, ose deri në 60 për qind të popullsisë së botës në atë kohë.

Njerëzit pësuan një vdekje të tmerrshme, të sfilitur nga dhimbje të tmerrshme, të vjella dhe nga plagë të shumta të mbushura me qelb dhe me gjak në sqetullat dhe ijët e tyre. Gjithsesi kur kjo sëmundje preku Evropën, ajo i detyroi autoritetet të krijojnë masa shëndetësore që zbatohen ende sot.

Venecia e shekullit XIV, urdhëroi periudha të izolimit të të sëmurëve, të quajtur “Quaranta Giorni” “ose siç u njoh globalisht “karantinë ” – për të përshkruar 40 ditët e izolimit të imponuara ndaj pasagjerëve në anijet që bëheshin gati të ankorohehin në port. Inspektimet mjekësore u bënë një praktike e zakonshme, ndërsa në gjithë Evropën u ndërtuan spitale për të kuruar të sëmurët.

Çfarë ndikimi tjetër pati ajo pandemi?

Trashëgimia më e madhe socioekonomike e Vdekjes së Zezë, ishte roli i saj në dhënien fund të feudalizmit. Feudalizmi, ishte një sistem mesjetar që fuqizoi shumë fisnikët e pasur, të cilët lejuan përdorimin e tokës së tyre nga fshatarët, në këmbim të punës së këtyre të fundit:pra me qira, paga, dhe kushte të tjera të përcaktuara nga zotërit e tokës.

Pasi shfarosi një pjsë të madhe të njerëzve që punonin në këto toka, Vdekja e Zezë shkaktoi një mungesë të madhe të krahut të punës. Kjo u dha fshatarëve mundësinë që të negocionin kushtet e reja të punës, çka i dha fund skllavërisë, dhe i hapi rrugën kapitalizmit modern.

Po epidemitë e tjera?

Në vitin 1802, një shpërthim epidemik i etheve të verdha në koloninë Franceze të Shën Domingut (Haiti i sotëm), shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në një shtrirje të madhe të saj në Shtetet e Bashkuara. Epidemia, e shkaktuar nga një virus që transferohej tek njerëzit nga mushkonjat, vrau rreth 50.000 ushtarë franceze që përpiqeshin të kontrollonin Haitin, duke e detyruar Francën që të tërhiqej prej andej.

Humbja e kësaj kolonie të rëndësishme të Karaibeve, ishte aq shumë e dëmshme në aspektin ekonomik për Francën, sa që Napoleon Bonaparti i shiti 2.1 milionë km2 territor francez në Amerikën e Veriut, që shtrihej nga Nju Orleansi në Kanada, presidentit amerikan Tomas Xheferson për vetëm 15 milionë dollarë. Ajo mund të ketë qenë epidemia me më shumë pasoja në historinë e Amerikës, derisa shpërtheu Gripi Spanjoll në vitin 1918.

Çfarë ishte Gripi Spanjoll?

Ishte një shtam virulent i virusit të gripit H1N1, që mund ta ketë pasur origjinën e vërtetë në një fermë shpendësh në Kansas të SHBA-së. Dhe një nga viktimat e saj të para, ishte pikërisht një ushtar amerikan në një bazë ushtarake në Kansas. Në dallim nga epidemitë me origjinë bakteriale të së kaluarës, Gripi Spanjoll ishte një virus, që u bë më vdekjeprurës kur u bashkua me materiale gjenetike nga një virus që infektonte zogjtë.

Duke u përhapur si zjarr i madh në mesin e ushtarëve në llogoret e Francës dhe Belgjikës, dhe më pas në mbarë globin, pandemia ndikoi në rrjedhën e Luftës së Parë Botërore dhe kontriboi me siguri për shpërthimin e të dytës, thotë historiania Laura Spinej, autore e një libër mbi Gripin Spanjoll.

Virusi vrau afërsisht 50 milionë njerëz në të gjithë botën, përfshirë 675.000 amerikanë. Në mesin e viktimave, ishin një numër delegatësh amerikanë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Shumë nga ata ishin kundër detyrimit të Gjermanisë, për t’i paguar fitimtarëve shuma të mëdha parash në formën e dëmshpërblimeve.

Në mungesë të amerikanëve, delegatët e tjerë i miratuan masat ndëshkuese, dhe poshtërimi që i shkaktuan gjermanëve, ishte një nga faktorët kryesorë në ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit. Ashtu si Vdekja e Zezë, edhe Gripi Spanjoll, e revolucionarizoi sistemin e shëndetit publik, duke nxitur lindjen e disiplinave të reja mjekësore të epidemiologjisë dhe virologjisë.

Ai nxiti ndërkohë disa shtete të Evropës Perëndimore, që të vënë në zbatim sisteme universale të kujdesit shëndetësor, të cilat janë në fuqi edhe sot. “Gripi Spanjoll, ndryshoi shumë popullatat njerëzore”- thotë Spinej. /Bota.al /KultPlus.com

Një përqafim në kohë pandemie kushton 400 euro!

Përqafoi të dashurën, ndërsa ishin duke ecur në rrugën ”Strada Nuova”, në qendër të qytetit të Pavias, dhe për këtë gjest u gjobit nga policia.

Një impuls emocional që nuk pranohet nga rregullat aktuale kundër përhapjes së koronavirusit.

”I riu, pak më shumë se 20 vjeç, u gjobit nga një patrullë policie, dhe do të duhet të paguajë gjobën prej 400 eurosh”, shkruan gazeta lokale “La Provincia pavese”.

Si djaloshi ashtu dhe e fejuara e tij kishin në përdorim maskat.

Por, problemi ishte përqafimi i papritur, një sjellje që sipas autoriteteve nuk përputhet me rregullat e distancimit social.

Agjentët, pasi kanë konstatuar se janë dy të rinjtë bashkëjetonin, kanë sanksionuar djalin.

Nga kontrollet e intensifikuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit në qytetin e Pavias janë gjetur disa persona pa maska si dhe persona që nuk respektojnë distancimin social./ atsh/ KultPlus.com