Kufizimet e lëvizjes përreth botës kanë bërë që praktikat tona të ndryshme, e që janë të dëmshme për insektet, të ndalen për një kohë, me këtë duke e krijuar një botë më miqësore për bletët.
Derisa njerëzit janë të mbyllur në shtëpi këtë pranverë, kafshët po përballen me më pak pengesa nga njerëzit, nga trafiku dhe ndotja. Në Izrael, derrat e egër kanë hyrë në qytetin Haifa, ndërsa delfinët po notojnë në Bosfor, ngushticë në Turqi që zakonisht është shteg i ngjeshur i transportit ujor.
Një kafshë e cila mund të përjetojë ringjallje tepër të nevojshme është edhe bleta e egër, thonë shkencëtarët. Numri i bletëve në tërë botën është duke përjetuar zvogëlim shumë të madh, për shkak humbjes së mjedisit të përshtatshëm, ndotjes dhe përdorimit të pesticideve, pos tjerash.
Një botë pa bletë do të dukej shumë ndryshe, dhe do të ndryshonte jetët tona jashtëzakonisht. Bletët janë polenizuesit kryesorë të planetit tonë, dhe fertilizojnë një të tretën e tërë ushqimit tonë dhe 80% të luleve, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Njëri nga ndikimet më të mëdha që kanë pasur mbylljet e ekonomive ka qenë zvogëlimi i dukshëm i ndotjes së ajrit.
Në një botë me ajër më pak të ndotur, bletët mund të bëjnë udhëtime më të vogla por më produktive të polenizimit.
Më pak gazra nga automjetet ua lehtëson bletëve të gjejnë ushqim, ngase ndotja e ajrit e zvogëlon fuqinë dhe kohëzgjatjen e aromës së luleve, sipas një studimi të vitit 2016. Ndotësit i zbërthejnë molekulat e aromës së lëshuar nga bimët, duke ua vështirësuar bletëve detektimin e ushqimit.
Andaj, kushtet e jetesës për bletët në këto kohëra janë duke u përmirësuar dhe shkencëtarët shpresojnë se vetëdijesimi i rritur mund të ndihmojë në ruajtjen e këtyre kafshëve. Por, si me të gjitha ndryshimet mjedisore që po i shohim gjate kufizimeve të pandemisë, çfarëdo përfitimi afatgjatë për bletët do të varet nga ndryshimet që do t’i bëjmë kur të hiqen kufizimet. Për disa gjëra, ndryshimet nuk do të jenë të vështira që të vazhdohen. Por për të mbajtur trafikun në numër të ulët, ndryshimet duhet të jenë shumë më sistematike. / KultPlus.com
Kur izolimi ka thyer zinxhirin e mënyrës së bartjes së virusit, me lehtësimin e masave njerëzit janë bërë pjesëmarrës në një eksperiment vëzhgimi, kanë bërë të ditur një grup shkencëtarësh. Sipas tyre, lirimi i masave të izolimit në këtë fazë eksperimentale mund të shkaktojë një valë të dytë masive të infektimeve.
Mirëpo, dalja nga izolimi kërkon një qasje të matur dhe të sigurt. Distanca sociale dhe fizike si dhe puna nga shtëpia do të jenë veçori të jetës së njeriut, deri në kohën e gjetjes së një vaksine.
“Duhet të heqim masat që mund të konsiderohen si të sigurta dhe pastaj t’i monitorojmë me shumë kujdes”, ka thënë Mike Tildesley, mjek i përfshirë në studimin e Universitetit të Warwickut.
“Në këtë aspekt, teksa po kalojmë fazën e të mësuarit, ne jemi sikur derrat nga Guinea. Por, derisa të vazhdojë kjo fazë, duhet të përmirësojmë mënyrën e të kuptuarit tonë se sa të efektshme janë këto masa”, ka shtuar mjeku Tildesley.
Veçanërisht për shkollat, këto masa të kujdesit dhe mësimi i nxjerrë prej tyre do të jenë shumë të rëndësishme.
“Gjithçka duhet të jetë graduale. Por, natyrisht se prindërit dhe mësuesit janë shumë të shqetësuar”, ka sqaruar ai.
Hapja e dyqaneve, puna nga shtëpia
Në aspektin afatshkurtër, heqja e çfarëdo mase të distancës, me gjasë do ta nxiste pikun e infektimeve në çdo shtet që ka tentuar t’i shmanget kësaj. Studimi i prirë nga profesori Matt Keeling, ka zbuluar disa masa lehtësuese që mund të nisin të përdoren. E ato janë: Hapja e dyqaneve joesenciale dhe bizneseve, në të cilat mund të funksionojë distanca fizike, puna nga shtëpia për një të ardhme të pacaktuar dhe mbrojtja e të moshuarve, që veçse dihet se janë cak i disa sëmundjeve.
Sipas shkencëtarëve, nëse ka shenja të rritjes së numrit të infeksioneve, masat e izolimit duhet të rivendosen menjëherë.
“Me izolime e kemi bllokuar ndërveprimin, por edhe bartjen. Pasi kemi hequr masat, krijuam një lidhje të këtij rrjeti. Ky është mekanizmi me të cilin po përhapet virusi”, ka thënë Dnaiela De Angelis, profesoreshë në Universitetin e Cambridges. “Duhet të shikojmë për mënyrat e lidhjes mes njerëzve para se të rritet numri i të infektuarve”, ka thënë ajo.
Azra Ghani nga Imperial College në Londër ka thënë se maksimumi i kontaktit mes njerëzve do të duhej të ishte 20 deri në 30 për qind.
“Vaksina është mënyra e vetme për t’i shpëtuar virusit”, ka thënë Ghani. “Në të njëjtën kohë, njerëzit duhet të adaptohen në mënyrat e reja të të jetuarit”, ka shtuar ajo.
“Jeta e përditshme”
Nëse tërë kjo do të ishte eksperiment i vërtetë, Ghani ka thënë se shkencëtarët do ta kishin në kontroll të plotë.
“Do të rregullonin krejt gjërat, ama kjo është jeta e përditshme. Ka të bëjë me jetët e njerëzve dhe përfshin sjelljet e tyre”, ka thënë Ghani.
“Duhet të ekzistojë një baraspeshë midis rrezikut nga sëmundja dhe jeta e përditshme. Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse njerëzit sillen me përgjegjësi të lartë sociale”, ka thënë ajo. /KultPlus.com
Sektori i gastronomisë llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.
Segmentet më të dëmtuara të këtij sektori janë restorantet, hotelet, baret dhe klubet e natës/diskotekat si dhe sallat e dasmave, që nuk kanë alternativa tjera të të bërit biznes. Kurse edhe tash pas lehtësimit të masave kufizuese, e vetmja formë e lejuar e një pjese të veprimtarisë është ofrimi i ushqimeve përmes shpërndarjes.
Organizatat joqeveritare në Kosovë thonë se humbjet llogariten të jenë të konsiderueshme për sektorin direkt, por edhe për sektorët e tjerë që në ndonjë mënyrë janë të ndërlidhur me këtë sektor.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, (IETL) i themeluar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka publikuar rezultatet e një hulumtimi në këtë sektor, para, gjatë dhe pas pandemisë.
Drejtoresha ekzekutive në këtë Institut, Besa Zogaj-Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë kohës së masave emergjente, nga të gjitha bizneset e anketuara, vetëm 2,3 për qind kanë zhvilluar veprimtarinë përmes shpërndarjes së ushqimit me një qarkullim simbolik monetar, kurse pjesa tjetër kanë deklaruar se gjatë këtyre muajve qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie në 100 për qind.
“Nëse e krahasojmë qarkullimin mesatar mujor me vitin e kaluar (2019), rreth 16,1 për qind e respodentëve u deklaruan se kanë pasur qarkullim mesatarisht 10,000 deri në 15,000 euro, ndërsa 13,8 për qind e tyre prej 15,000-20,000 euro. Kurse rezultatet e hulumtimit flasin se 67,3 për qind të anketuarve kanë pohuar se qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie 100 për qind”, thotë Zogaj-Gashi.
Me një situatë të tillë është përballur edhe kafiteria “Babel Café” në qendër të Prishtinës, e cila para pandemisë ka pasur të punësuar dhjetë punëtorë. Pronari i kafiterisë Shpat Hashani, më herët ka thënë për Radion Evropa e Lirë se humbjet mujore janë me mijëra euro.
“Humbjet mujore janë me mijëra euro. Dëmi është shumë i madh sepse me qarkullim ditor ne mbulojmë shërbimet komunale, punëtorët dhe të gjitha shpenzimet tjera. Rezervat janë shumë të vogla, pasi gjithsecili biznes, dëshiron të bëjë renovime të ndryshme. Ne së fundmi kemi bërë një renovim shumë të madh në lokal. Po mundohemi të mbijetojmë, por e vështirë është edhe mbijetesa”, ka thënë Hashani.
Gjatë kësaj kohe, sipas hulumtimit, pronarët kanë ndërprerë edhe investimet, kurse nuk kanë arritur të përfundojnë obligimet edhe ndaj furnitorëve si dhe këstet e kredive në bankat komerciale në Kosovë.
Shumica e këtyre bizneseve janë me qira
Shumica e bizneseve, thotë Besa Zogaj-Gashi, veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në objekte me qira, që paraqitet problem shtesë në mundësinë e pagesës së tyre.
Të gjitha këto probleme, sipas saj, në disa raste mund të falimentojë bizneset.
“Bazuar në rezultatet e hulumtimit, situata e krijuar nga pandemia sipas 75,90 për qind e bizneseve të anketuara në sektorin HoReCa (hotele, restorant dhe ofrues i shërbimeve), në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata epidemiologjike dhe masat përcjellëse, sidomos distanca sociale do të na përcjellë tutje në muajt e ardhshëm përgjatë vitit 2020”, shtoi ajo.
Për evituar një situatë të tillë, shoqata e gastronomëve të Kosovës kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Veton Zuka, nënkryetar në këtë shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma lehtësuese, kryesisht në kredi bankare për këtë sektor, pasi llogaritet se është më i godituri nga pandemia. Ai ndërkaq shprehet se edhe në fazën tjetër të lehtësimit të masave, ky sektor do të punojë me gjysmën e kapacitetit, për shkak të hapësirës në mes tavolinave.
“Kërkesat e gastronomëve janë që të gjejnë mënyra për lehtësim në obligimet e qirasë dhe kësteve të kredive ndaj bankave. Këstet e kredisë që duhet të paguhen, mundësisht të krijohet një greis periudhë njëvjeçare dhe interesin e kësaj periudhe ta garantojë shteti. Fillimisht këto janë kërkesat, sepse deri sa të rifillohet zhvillimi i veprimtarive, nuk dihet shuma e humbjeve financiare. Pastaj edhe më masat e reja, parashihet që puna të zhvillohet përgjysmë”, thotë Zuka.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës të vazhdojë masat për lirime nga tatimet dhe subvencione për punëtorë, të ketë subvencione të drejtpërdrejta me kritere me të lehta për kualifikim si dhe subvencionim të qirasë edhe në muajt e ardhshëm për qiramarrësit.
Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes Pakos Emergjente Fiskale, për sektorin privat ka paguar punëtorët e bizneseve të cilët nuk kanë punuar për shkak të masave emergjente, por edhe 50 për qind të qirasë. Kurse tashmë ka filluar përgatitja e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në bazë të cilës do të ndihmohen bizneset përmes kredive, me normë të ulët të interesit.
Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara. / KultPlus.com
Festivalet e përvitshme të filmave që janë anuluar për shkak të pandemisë këtë vit do të jenë online. Organizatorët e festivaleve në të gjithë botën kanë vendosur që të shfaqin në livestram një pjesë të produksioneve të tyre.
Pas anulimit të eventeve të përvitshme të filmit në Kanë dhe Nju Jork, për shkak të pandemisë, më shumë se 20 Festivale filmash në botë kanë vendosur të shfaqin produksionet e tyre në livestream. Për 10 ditë, festivali onlinë do të shfaqë filma, dokumentarë dhe muzikë. Programi i plotë ende nuk është bërë publik, megjithatë mundësitë që të shfaqen produksionet e reja janë të pakta.
Anulimi i festivalit të filmit në Kanë në maj dhe pasiguria rreth eventeve të Venecias dhe Torontos në shtator për shkak të epidemisë së koronavirusit, i ka vendosur producentët dhe studiot e filmit në dilemë sa I përket promovimit të produksioneve të reja për median dhe publikun. Megjithatë organizatorët e Kanës u shprehën krenarë që u bashkuan në ngjarjen në Youtube.
Jane Rosenthal, bashkëthemeluese e festivalit të filmit Tribeca në Neë York që gjithashtu pritet të anulohet, tha se ideja ishte të frymëzonte dhe bashkonte njerëzit përtej kufijve gjatë pandemisë.
“E gjithë bota ka nevojë për shërim tani” tha Rosenthal.
Festivale të tjera që marrin pjesë janë ato në Jeruzalem, Mumbai, Sarajevo, Sidnej, Tokio dhe Londër. Filmat do të jenë falas ndërse shikuesve do t’u kërkohet të kontribuojnë në Fondin e Solidaritetit të COVID-19 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /KultPlus.com
Një epidemi vdekjeprurëse u përhap nëpër Kinë, në vitin 1911, duke kërcënuar për një pandemi të mundshme. Origjina dukej se kishte të bënte me tregtinë e kafshëve të egra, por në atë kohë askush nuk ishte i sigurt.
Bllokimet, masat karantinë, veshja e maska, kufizimet e udhëtimit dhe kontrolle kufitare, u vendosën për të ulur e nivelit të infeksionit. Më shumë se 60,000 njerëz vdiqën në Kinën verilindore të ditëve moderne dhe u bë një nga epidemitë më të mëdha në botë në atë kohë.
Kur sëmundja u vu nën kontroll përfundimisht, qeveria kineze mblodhi Konferencën Ndërkombëtare të Murtajës në qytetin verior të Shenyang – afër epiqendrës së shpërthimit.
Të pranishëm ishin virologë, bakteriologë, epidemiologë dhe ekspertë të sëmundjeve nga shumë prej fuqive kryesore të botës – Shtetet e Bashkuara, Japonia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Qëllimi ishte të gjente shkakun e shpërthimit, të mësonte se cilat masa ishin më efektive, të zbulonin pse sëmundja ishte përhapur deri më tani dhe të vlerësonte, se çfarë mund të bëhej për të parandaluar një valë të dytë. Ndërsa konferenca nuk ishte pa akuza për përgjegjësinë, por ishte vetëm për të mësuar të vërtetën.
Teksa bota tani përballet me një pandemi të karakterizuar nga mungesa e një reagimi të koordinuar globalisht dhe përpjekjes shumëpalëshe nga ana e liderëve politikë, aspektet bashkëpunuese të konferencës së vitit 1911 në Kinën veri-lindore ia vlen të rishqyrtohen.
Në krahasim me 1911-ën, na paraqitet një botë e polarizuar dhe e ndarë. Më 1911 nuk kishte asnjë organizatë shëndetësore të përbashkët.
Përgjigja ndaj epidemisë, detyra e të provuarit për të kufizuar përhapjen e saj, i lihej secilit shtet, shpesh atyre me antagonizma politike.
Në Shenyang nuk kishte politikanë, vetëm shkencëtarë që panë nevojën për një përgjigje globale ndërqeveritare – dhe një organizatë globale shëndetësore. Kjo filloi të shfaqej pas Luftës së Parë Botërore me Lidhjen e Kombeve të formuar pas Konferencës së Paqes, në Paris më 1919. Lidhja mori çështjet në lidhje me shëndetin përmes Byrosë së Shëndetit, formuar nga seksioni ekzekutiv i ekspertëve mjekësorë.
Byroja synoi zhdukjen e lebrozës, malaries dhe etheve të verdha, si dhe ndihmoi me sukses në kontrollin e epidemisë së tifos në Rusi, apo shpërthimet e sëmundjeve të kolerës dhe tifos në Kinë, midis luftrave. Pas Luftës së Dytë Botërore, pasardhësi i Lidhjes, Kombet e Bashkuara, do të krijonte OBSH.
Plaga e Madhe mançuriane nuk u përhap në asnjëherë shumë rëndë, në pjesën tjetër të Kinës, Mongolisë apo Rusisë. Mbyllja e portit Dalian, ndaloi përhapjen nga Mançuria në destinacione kryesore në Japoni, Kore, Hong-Kong dhe në Azi e gjetkë.
Nga atje mund të ishte zhvendosur në Evropë, Amerikë dhe në të gjithë botën. Por nuk ndodhi. Sumers, historiani, tha se kjo ndodhi si pasojë e një përgjigje të bashkuar.
“Një bashkim i tillë i njohurive të duhura, burimeve të duhura dhe njerëzve të duhur nuk ka qenë gjithmonë rasti në sfidat e tjera globale të sëmundjeve epidemike” – tha ai.
Masat e marra sot në të gjithë botën – spitalet karantinë të ndërtuara posaçërisht, ordinancat e veshjes me maskë, praktikat e përmirësuara sanitare, kufizimet e udhëtimit, aeroplanët e bazuar dhe ekipet e përkushtuara të punonjësve të kujdesit shëndetësor – në shumë mënyra, përsërisin ato të marra 110 vjet më parë, në Kinën verilindore.
Sidoqoftë, lojtarët kryesorë sot – SHBA, Kina, vendet e Bashkimit Evropian dhe Japonia – me sa duket, kanë pak interes për një përgjigje të koordinuar ndaj krizës shëndetësore dhe perspektivat e çdo konference apolitike duken të largëta.
Në vitin 1911, ekspertët kryesorë në botë për sëmundjen, ishin të etur për ta parë nga afër situatën në Kinë.
Ndoshta kjo është ajo që duhet të ndodhë në një moment pas pandemisë koronavirus: shkencëtarët mund të anashkalojnë politikanët, që të gjejnë kështu një mënyrë për të përmbushur, shkëmbyer dhe diskutuar Covid-19, në një forum të hapur.
OBSH akuzohet si e kompromentuar, virusi është racionalizuar, fuqitë e mëdha konkurrojnë për burime dhe kontrollin e mjeteve, ndërsa vendet më të varfra kanë mbetur të mbrojtur kryesisht, vetëm nga vetë ato./ Konica.al / KultPlus.com
Ndoshta të është dukur e tillë kur qëndroje në radhë para një ushqimoreje, por jo para kasës, por jashtë dyqanit, rreptësisht 2 metra larg nga blerësit e tjerë. Mbase të është dukur kështu, kur vizitove gjyshen në spital, por u detyrove të qëndrosh matanë dritares së dhomës, duke biseduar me të përmes telefonit.
Ndoshta t’u duk e tillë edhe kur dëgjove një doktor në Nju Jork, të tregonte se si spitali i tij u stërmbush aq shumë me pacientë të sëmurë me koronavirus, sa që duhej të sillnin një rimorkio frigoriferike për të futur aty të vdekurit.
Ose ndoshta kur dëgjove se brenda një jave të papunët në SHBA u shtuan nga 282.000 në 3.3 milionë njerëz, teksa industritë e shërbimit janë mbyllur. Apo ndoshta kur e kuptove se tek e fundit letra higjienike nuk rritet në pemë.
E gjitha kjo është surreale, ke thënë me vete. Ndoshta e ke përsëritur këtë fjali pushim. Dhe ke dëgjuar miqtë dhe familjen të thotë të njëjtën gjë:kjo që po përjetojmë është thjesht surreale. Ne në media e quajmë gjatë gjithë kohës surreale. Pasi surrealja “karakterizohet nga realiteti intensiv irracional i një ëndrre”, kështu thotë të paktën fjalori “Merriam-Uebster”.
Por çfarë do të thotë kjo fjalë në terma shkencorë? Studimi i surreales, nuk është tama një fushë zyrtare e psikologjisë. Ajo është më shumë si pikturat e Salvador Dalisë dhe shkrimet e Franc Kafkës, apo një ndjenjë përafërt. Por ka arsye të mira psikologjike, se pse po ndjehesh kështu. “Mendoj se pjesa surreale vjen kur zhytesh në një situatë në të cilën nuk keni qenë kurrë më parë. Është jashtëzakonisht çorientuese”-thotë psikiatri për fëmijë Fredrik Matzner, që studioi shokun psikologjik që shkaktuan ngjarjet e 11 shtatorit 2001.
“Nëse ke shkuar ndonjëherë në një muze arti, dhe je futur në një dhomë që ka një pikturë të madhe abstrakte në mur, ti e sheh atë dhe nuk mundesh të thuash dot se çfarë është, dhe do të ndihesh në ankth. Por në fund arrin ta kuptoni:Oh, është një varkë me vela. Ankthi zhduket. Në fund të fundit, ne njerëzit jemi ndërtuar për të kërkuar modele, dhe zgjidhja e kaosit në një model përjetohet shumë mirë”- thotë Matzner.
Tani për tani, shumë modele që njohim dhe i duam, janë lënë mënjanë. Ne nuk mund të kalojmë dot orë të lumtura, nuk mund të blemë dot letër higjienike kur duam, nuk mund ta planifikojmë udhëtimin tonë vjetor. “Gruaja ime ma tha këtë vetëm disa ditë më parë:Duket sikur nuk ka më të ardhme”- shprehet më tej Matzner.
Dhe ajo që nënkuptonte bashkëshortja e tij, është se ne nuk mund të bëjmë plane për të ardhmen, sepse në epokën e koronavirusit, ne nuk dimë se çfarë do të bëjmë pas 6 muaj, apo qoftë edhe nesër. Ne kemi ngecur në një lloj të ri të së tashmes të përhershme.
“Dhe kështu çdo gjë na duket krejtësisht si e një bote tjetër”- deklaron eksperti. Prishja e jetës sonë normale, shkatërroi rutinat tona, që garantojnë zakonisht ekulibrin tone mendor:ne ngriheshim zakosniht në mëngjes nga gjumi, visheshim, hanim mëngjesin dhe të pimin kafen, pastaj niseshim për në punë.
“Studimet tregojnë se kur i largon njerëzit nga gjërat që janë të njohura për ta, është çuditërisht e lehtë që ata të humbin disi vetveten:identitetin e tyre, gjërat që janë të rëndësishme për ta”- thotë Suzan Klejton, psikologe në Kolegjin Uoster.
Kjo është diçka që e shohim të ndodhë edhe tek sektet. Kur njerëzit përpiqen të rekrutojnë njerëz të tjerë në sektin ku bëjnë pjesë vetë, një nga strategjitë është t’i heqësh ata nga ajo që është normale”. Dhe kur rekrutët nuk janë më të rrethuar nga gjërat e zakonshme që i rrethojnë dhe ndërveprimet sociale, është më e lehtë t’i bindësh ata që adoptojnë praktika të reja, dhe të rishqyrtojmë atë që është e rëndësishme për ta.
“Rutina jonë është bazamenti i jetës tonë”-thotë Adrien Hajnc, psikologe klinike në Qendrën Kombëtare të Çështjes të Veteranëve për Sindromat e Stresit Post-traimatik (PTSD). “Rutina ka të bëjë me mënyrën se si ne organizojmë informacionin dhe kohën tonë. Dhe pa të, ne mund të ndjehemi vërtet të humbur”- shton ajo.
Dhe me ketë ndjenjë, lind edhe një stres i jashtëzakonshëm. Të vetmuarit dhe të izoluarit, janë sot tani më të vetmuar dhe të izoluar. Konfliktet ekzistuese dhe stresorët, si abuzimi me substancat dhe marrëdhëniet abuzive, mund të rishfaqen ose të përkeqësohen.
“Unë jam shumë e shqetësuar për familjet. Jam e shqetësuar për rritjen e përdorimit të alkoolit, për dhunën në familje, për abuzimin me fëmijët, pasi prindërit kanë shumë pak burime financiare”- thotë ajo. Dhe nuk është se ndihmon shumë fakti që në televizion shfaqen figura të njohua, që na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur të sigurt veten dhe familjet tona. “Shumica nga ne, nuk janë përballur ndonjëherë me një situatë dhe me një distancim të tillë social. Pra, nuk kemi asnjë përvojë të mëparshme që mund ta përdorim për ta interpretuar këtë gjendje. Ne nuk kemi asnjë lloj udhëzimi se si duhet të reagojmë”- thotë Klejton.
Në një botë jo-kafkiane, amerikanët mund të mbështeten në qeverinë e tyre federale për t’i nxjerrë ata nga ky kaos. Por mosmarrëveshjet e qeverisë federale mbi reagimin ndaj koronavirusit, kanë prodhuar disa përvoja tërësisht surreale.
Në një konferencë për shtyp , presidenti Donald Trump shmangu shtrëngimin e duarve të atyre që ai i ftoi të flisnin, teks ekspertët e shëndetit publik i kërkuan që ai të respektojë distancimin social. Në të njëjtën konferencë, ai përmendi një faqe interneti mbi testet e koronavirusit që nuk ekzistonte.
Në këtë tabllo surreale të udhëheqjes anmerikane, kanë ndërhyrë guvernatorët dhe kryetarët e bashkive në të gjithë SHBA-në, që ndërmorën njëfare reagimi:Disa qytete u urdhëruan të vetë-izolohen, të tjerët se të praktikojnë vetëm distancimin shoqëror.
Amerikanët nuk dinë se çfarë dhe kur duhet ta bëjnë. Nëse kanë ethe ose kollë, t’i telefonojnë mjekut të familjs, apo të shkojnë direkt në spital? A duhet të vënë maskë në fytyrë apo jo ? Keni nevojë për një test, dhe nëse po ku mund ta gjesh atë? Pa këshilla të qarta se si të trajtojmë një krizë të paparë, ne ndihemi të pafuqishëm.
Kjo dukuri është e frikshme, thotë Elena Portakolone, sociologe në Universitetin e Kalifornisë në San Françisko. “Frika vjen nga pasiguria, se po përballemi me sfida që janë më të mëdha se ne”- thotë ajo. Ndërsa pandemia është globale, ne e përjetojmë atë si individë.
Njerëzit janë të shqetësuar për vendet e tyre të punës apo për shëndetin e tyre, apo nga vdekja të vetmuar në një spital, me familjarët e tyre që nuk lejohen t’u qëndrojnë pranë. Ne jemi detyruar tën ndryshojmë rrënjësisht stilin e jetës, si pasojë e një armiku që nuk mund ta shohim.
Virusi është një kërcënim mikroskopik, që nuk ndërhyn me realitetin që ne përjetojmë:po të mos ishin mrekullitë e shkencës moderne, ne as që do ta dinim se ai ekziston. “Një pjesë e situatës sonë surreale, është se koronavirusin nuk mund ta shohim dot. E megjithatë ai është i rrezikshëm, dhe njerëzit po vdesin prej tij”- thotë Portakolone.
Psikologët thonë se për të luftuar këtë gjendje tonë, ne kemi nevojë për vazhdimësi, dhe fatmirësisht kjo është një nga gjërat e pakta që mund t’i jepni tani vetes. Aktiviteti fizik është jetik, ndaj vraponi si gjithmonë, thjesht bëjeni këtë 2 metra larg të tjerëve.
Të qenit socialë është gjithashtu jetike. Ndaj pini diçka çdo ditë, gjatë kohës që bisedoni online me miqtë. Bëni tele-yoga, nëse ambjenti shtëpiak e mundëson këtë gjë. ”Në rast se arrijmë të ruajmë disa nga zakonet tona të vjetra, sidomos ato që na pëlqejnë më shumë, në rastin tim duke jogën, atëherë do të jemi më pak të çorientuar. Pra situata do të na duket më pak surrealiste. Mësuesit na thonë: Ndjejini këmbët tuaja, për të kultivuar një ndjenjë të bazuar tek realiteti”-thekson Portakolone. /wired/ KultPlus.com
Pandemia që ka përfshirë pothuajse të gjithë botën ka ndryshuar shumë në jetët tona.
Që nga rregullat e distancimit social, mjetet mbrojtëse apo aktivitetet në karantinë kjo seri fotosh nga Ashley Gilbertson përkufizon botën në këtë kohë krize.
Kosova si shumë vende të tjera nëpër botë po përballet me pandeminë Covid-19.
Krahas rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtje dhe parandalim të virusit, duhet kushtuar kujdes edhe higjienës orale.
Më poshtë ju sjellim disa rekomandime te përgatitura nga Valon Berani, Specialist i Parodontologjisë dhe Mjeksisë Orale, për dhëmbët dhe gojën si shtesë e masave të rekomanduara deri më tani nga IKSHP-së.
Dezinfektoni furrçën e dhëmbëve nëse jeni të sëmurë.
Nëse dyshoni që ju apo ndonjë anëtarë tjetër i familjes është i infektuar me COVID-19, ju duhet rregullisht të dezinfektoni objektet ose sipërfaqet ku mund të ketë pika të pështymës. Furrça e dhëmbëve mund të ketë pështymë ose gjak në të, të cilat janë treguar që e bartin virusin.
Peroksidi i Hidrogjenit 0.5% në mënyrë efektive redukon virulencën e virusit korona për vetëm 1 minut dhe se është përbërës aktiv në produktet dezinfektuese kundër korona virus SARS-CoV-2. Që të përfitoni Peroksid të Hidrogjenit (H2O2) 0.5%, atëherë Peroksidi i Hidrogjenit H2O2 3% duhet të zbutet me ujë të destiluar.
Përmirësoni shprehitë tuaja të higjienës orale.
Edhe gjërat e vogla kanë peshë. Praktiko higjienën e mirë orale që ta mbash vetën dhe të tjerët të shëndetshëm. Pastro dhëmbët edhe më shpesh gjatë kesaj kohe (të paktën 2 herë në ditë) me furrçë të dhëmbëve dhe me penje në mes të dhëmbëve. Gjithashtu ndërrojeni furrçën e dhëmbëve.
Mos i prekni gojën, buzët, dhëmbët, gingivën (mishin e dhëmbëve) apo gjuhën me duar të papastërta.
Kafshimi i thonjëve dhe gjesendeve të tjera është i keq jo vetëm për dhëmbët por edhe për shëndetin në pergjithësi. Mund të përhapen bakteriet dhe viruset.
Gjithashtu mos e përdorni të njëjtën furrçë dhëmbësh apo të njëjtat gjësende për t’u ushqyer.