COVID-19: Liderët botërorë kërkojnë marrëveshje për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u është bashkuar më shumë se 20 liderëve të botës në thirrjen për një marrëveshje të re për të ndihmuar botën që të përgatitet për pandemitë e ardhshme.

Në një artikull për gazetat në botë, liderët përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë thënë se COVID-19 ka qenë sfida më e madhe e botës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një tjetër pandemi apo krizë shëndetësore s’është çështje “nëse do të ndodhë, por kur”, kanë thënë ata.

Dhe pandemia ka treguar se “askush s’është i sigurt përderisa të gjithë të jenë të sigurt”.

Duke shkruar për “Telegraph” në Britani dhe mediume si “Le Monde” në Francë a “El Pais” në Spanjë, 24 liderë botërorë kanë argumentuar që një traktat i ngjashëm sikur ai pas Luftës së Dytë Botërore është i nevojshëm për bashkëpunim më të mirë.

Nënshkruesit, ku përfshihet edhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thonë se në atë kohë, pas dy luftërave shkatërruese, liderët botërorë ishin bërë bashkë për të tejkaluar krizën, ndërsa tash shtetet duhet të bëhen bashkë për të luftuar izolimin dhe nacionalizmin si dhe për të adresuar sfidat që mund të tejkalohen vetëm me bashkim dhe bashkëpunim. / KultPlus.com