Një grup ekspertësh që këshillon Organizatën Botërore të Shëndetësisë për vaksinat, rekomandoi që njerëzit e moshuar dhe ata me sistem të komprometuar imunitar të marrin dozën shtesë të vaksinës kundër koronavirusit, transmeton KultPlus.
Drejtoresha për vaksina e OBSH-së, Kate O’Brien, tha se doza e tretë duhet t’u jepet njerëzve një deri në tre muaj pas dozës së dytë, për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e rënda, shtrimi në spital dhe vdekja.
O’Brien tha se kjo nuk vlen për të rriturit e shëndetshëm, që kanë reagim normal imunitar ndaj vaksinimit dhe nuk kanë sëmundje të tjera.
Studimet kanë treguar se mbrojtja nga vaksinimi te njerëzit mbi 65 vjeç zvogëlohet më shpejt, sesa te të rinjtë.
Shumë vende të pasura, përfshirë Britaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, kanë rekomanduar tashmë dozën e tretë për të moshuarit dhe njerëzit me sistem të dobësuar imunitar.
OBSH-ja u bëri thirrje qeverive që kanë shumë vaksina, që të mos iu ofrojnë ato personave nën 65 vjeç, por t’iu japin vendeve që nuk kanë doza të mjaftueshme për t’i vaksinuar njerëzit në nevojë.
Sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 238 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.8 milionë kanë vdekur.
Deri më 12 tetor, në të gjithë botën janë dhënë mbi 6.4 miliardë vaksina. / KultPlus.com