Papa Françesku: Vështroni përtej shkëlqimit të dritave dhe kujtohuni për të varfrit

Papa Françesku, duke udhëhequr katolikët në festimin e Krishtlindjes, tha të premten se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve fyejnë Zotin, duke u bërë thirrje të gjithëve që “të shikojnë përtej gjithë dritave dhe dekorimeve” dhe të kujtojnë më nevojtarët.

Në Krishtlindjen e tij të nëntë, Papa Françesku kremtoi një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth 2 mijë persona, me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të COVID-19 në gati një të pestën e përmasave të viteve para pandemisë.

Pak minuta para fillimit të meshës së Krishtlindjes, Italia raportoi një rekord të dytë të njëpasnjëshëm ditor të rasteve të COVID-19, me infeksionet e reja që kanë arritur në 50.599 raste në ditë.

Papa Françesku, i veshur me rrobë të bardhë, e ndërtoi predikimin e tij me temën se Jezusi lindi pa asgjë.

“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar përpara djepit, ne soditim atë që është qendrore, përtej të gjitha dritave dhe dekorimeve, të cilat janë të bukura. Ne soditim fëmijën”, tha ai në predikimin e meshës së bashku me më shumë se 200 kardinalë, peshkopë dhe priftërinj. Me përjashtimin e Papës, të gjithë pjesëmarrësit mbanin maska.

Papa Françesku, i cili mbushi 85 vjeç javën e kaluar, tha se foshnja Jezus i lindur në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se shërbimi ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kërkimi i statusit ose dukshmërisë sociale, apo kalimi i një jete në kërkim të suksesit.

“Është tek ata (të varfrit) që ai dëshiron të nderohet”, tha Papa Françesku, i cili e ka bërë mbrojtjen e të varfërve një gur themeli të papatit të tij.

“Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mund të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfrit me indiferencën tonë. Jezusi i do ata shumë dhe një ditë ata do të na mirëpresin në parajsë”, tha ai.

Të shtunën, Papa Françesku do të japë bekimin dhe mesazhin e tij që jepet dy herë në vit, “Urbi et Orbi” (drejtuar qytetit dhe botës), nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit. / KultPlus.com

Papa Françesku në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë, përkulet para përmendores së saj

Papa Françesku pas takimit me krerët shtetëror dhe korin diplomatik në Vodno, ka arritur tek shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës.

Ai është përkulur para përmendores së Nënë Terezës, ku edhe ka vendosur lule. Papa u shoqërua nga katër motra të nderit, të cilat i takojnë rendit të themeluar nga Nënë Tereza, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, papa do të ketë takime me liderët e bashkësive fetare në vend dhe përfaqësues tjerë të organizatave qytetare.

Më pas, kreu i Kishës Katolike do të drejtohet për tek sheshi “Maqedonia” ku do të mbajë liturgji, e cila pritet të ndiqet nga një numër i madh i qytetarëve nga vendi dhe jashtë./KultPlus.com