Lojërat Olimpike “Tokio 2020” edhe zyrtarisht kanë nisur, me ceremoninë hapëse që po mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.
Tashmë ka nisur prezantimi i ekipeve olimpike në “Tokio 2020”.
I pari që parakaloi në ceremoninë hapëse ishte ekipi i Greqisë. Ndërsa, pas Greqisë, radhën e pati ekipi olimpik i refugjatëve dhe pastaj Islanda, transmeton KultPlus.
Tashmë edhe ekipi olimpik i Shqipërisë ka parakaluar në ceremoninë e Lojërave Olimpike.
Luiza Gega dhe Briken Çalaj ishin bartës të flamurit shqiptar në këtë ceremoni. Shqipëria në Lojërat Olimpike prezantohet me tetë sportistë.
Në mesin e shteteve pjesëmarrëse, është edhe Kosova që po paraqitet për herën e dytë në Lojërat Olimpike pas debutimit në vitin 2016.
Kosova në këtë ngjarje po prezantohet me 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë janë me normë olimpike derisa pesë të tjerët me ftesa. Medalistja e artë olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova do ta bartin flamurin e Kosovës në këtë ceremoni.
Derisa ka nisur ceremonia hapëse, protestuesit anti-Olimpiadë janë mbledhur para stadiumit olimpik dhe po i vazhdojnë protestat e tyre edhe gjatë ceremonisë të Lojërave Olimpike.
Protestuesit kanë kritikuar qeverinë japoneze që sipas tyre po i jep përparësi Olimpiadës para shëndetit të popullit të saj.
Spektatorët janë ndaluar që të jenë të pranishëm në të gjitha ngjarjet sportive që do të mbahen në zonën e Tokios, me audiencë të kufizuar që lejohet në disa zona periferike.
Rreth 23 për qind të popullsisë prej më shumë se 120 milionë banorësh është vaksinuar plotësisht në Japonisë.
Megjithatë, numri i infeksioneve javën e shkuar po rritet vazhdimisht, me Tokion që regjistroi 1979 raste të enjten. / KultPlus.com