Justin Bieber anulon koncertet për shkak të paralizës në fytyrë

Justin Bieber po lufton me një sëmundje të rrallë që shkakton paralizë të fytyrës, e cila e ka detyruar atë të anulojë koncerte të shumta.

Këngëtari i “One Time”, 28 vjeç, njoftoi të premten se vuan nga sindroma “Ramsay Hunt”, e cila ndodh kur virusi i herpesit synon një nerv të fytyrës pranë njërit vesh dhe bllokon lëvizjen në gjysmën e fytyrës te individi.

“Siç mund ta shihni, ky sy nuk po pulson. Unë nuk mund të buzëqesh në këtë anë të fytyrës sime. Kjo vrimë e hundës nuk mund të lëvizë”, tha Bieber në një video në Instagram në të cilën ai demonstroi mungesën e lëvizjes në anën e djathtë të fytyrës së tij.

“Kam një paralizë të plotë në njërën anë të fytyrës sime”, deklaroi ai.

Bieber kishte anuluar disa koncerte në vendin e tij në Kanada ditët e fundit, duke i lënë fansat të zhgënjyer.

“Për ata që janë të frustruar nga anulimet e mia të shfaqjeve të ardhshme, unë thjesht nuk jam në gjendje fizikisht, t’i bëj ato”, tha ai.

Bieber tha se ai po bënte ushtrime për të rifituar lëvizjet në anën e djathtë të fytyrës. Sindroma “Ramsay Hunt” zgjat mesatarisht rreth tre javë. / KultPlus.com

250 vite nga lindja e Sir Walter Scott, themelues i romanit historik

Sër Valter Skot, shkrimtar, poet, historian, koleksionist i antikuareve e avokat i njohur skocez. Eshtë quajtur si themeluesi i romanit historik.

U lind në Edinburg më 15 gusht 1771, në familjen e juristit të kamur Valter Xhon (1729-1799) dhe Ana Rezerford (1731-1819), bija e profesorit të mjekësisë të Universitetit të Edinburgut. Ishte fëmija i nëntë, por nga 13 fëmijë, vetëm gjashtë prej tyre mbijetuan. Në janar të vitit 1772 i ra sëmundja e paralizës së fëmijës, humbi lëvizshmërinë e këmbës së djathtë dhe mbeti gjithë jetën i çalë.

E kaloi fëmijërinë në fermën e gjyshit të tij. Pavarësisht të metës fizike, që në moshë të re i befasonte të tjerët me mençurinë dhe kujtesën fenomenale. Lexonte shumë, veçanërisht autorët antikë, tërhiqej nga romanet dhe poezia, i kushtonte vëmendje baladave tradicionale dhe gojëdhënave skoceze.

Së bashku me shokët e tij të kolegjit organizuan “Shoqërinë poetike”, studioi gjermanisht dhe u njoh me krijimtarinë e poetëve gjermanë. I rëndësishëm për Valter Skotin ishte viti 1792, kur në Universitetin e Edinburgut dha provimet për avokat. Që nga ajo kohë u bë njeri i nderuar me një profesion prestigjioz dhe pati veprimtari avokatore. Në vitet e para si avokat udhëtoi në gjithë vendin, duke mbledhur edhe legjenda e balada popullore për herojtë skocezë të së shkuarës.

I apasionuar pas poezisë gjermane, botoi me pseudonim përkthimin e “Lenora” dhe “Gjahtari i egër” të Byrgerit. Në vitin 1799 përktheu dramën e Gëtes “Gëci i Berlihingenit”.

Skoti është i pari autor anglez që pati njohje ndërkombëtare jo vetëm në Europë por edhe në Australi e Amerikën e Veriut.

Romanet dhe krijimtaria e tij poetike lexohen me ëndje nga lexuesi i sotëm si: Aivenhoi, Rob Roi, Zonjusha e liqenit, Nusja e Lamermurit etj.

Valter Skoti vdiq nga infarkti më 21 shtator 1832. / KultPlus.com