Paris 2024: Çfarë duhet të dini për Lojërat Paralimpike

Rreth 4000 sportistë po “luftojnë” për medaljet Paralimpike në Paris, duke dërguar edhe mesazhe me rëndësi në botë.

Rreth 4000 sportistë, gra dhe burra, po performojnë në Lojërat Paralimpike në 22 disiplina sportive. 98 pjesëmarrës nga Rusia dhe Bjellorusia kanë të drejtë të performojnë. Megjithatë, për shkak të sanksioneve, si pasojë e agresionit në Ukrainë, ata mund të performojnë vetëm si atletë neutralë, pra pa flamurin e vendit të tyre. Ata nuk do të marrin pjesë as në ceremoninë e hapjes së Lojërave dhe në rast fitoreje në disiplinat e tyre nuk do të ketë himne të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Tetë sportistë, meshkuj e femra, do të performojnë në Paris si pjesë e ekipit më të madh të refugjatëve deri më tani (Ekipi Paralimpik i Refugjatëve). Ata do të përfaqësojnë rreth 120 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën. Një ekip refugjatësh prej gjashtë anëtarësh performoi në Lojërat Paralimpike në Tokio 2021.

Sipas organizatorëve, në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Paralimpike, u shitën më shumë se gjysma e 3,4 milionë biletave për 164 gara në kuadër të Lojërave. Në shtatë vitet e fundit janë investuar rreth 125 milionë euro për ta bërë metropolin francez sa më të përshtatshëm.

76 vite histori

Në verën e vitit 1948, neurologu gjerman Ludwig Guttmann, i cili në vitin 1939 si hebre u arratis nga nazistët në Britaninë e Madhe, organizoi ofertën e parë për gara për njerëzit në karrige me rrota në Londër, të cilin e quajti “Lojërat e Stoke Mandeville”. Kështu lindi ideja e Lojërave Paralimpike, të cilat u mbajtën për herë të parë në Romë në vitin 1960. Në to morën pjesë 400 sportistë nga 23 vende. Që atëherë, Lojërat Paralimpike janë mbajtur çdo katër vjet.

Lojërat e para Paralimpike Dimërore u mbajtën në Suedi në vitin 1976. Edhe ato mbahen në një ritëm katërvjeçar. Bazuar në marrëveshjen e Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik (IPC) dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Lojërat Paralimpike janë mbajtur që nga viti 1988 në të njëjtin vend ku më parë janë mbajtur Lojërat Olimpike.

Modele për njerëzit e tjerë

Lojërat Paralimpike janë një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e para-sporteve. Numri i pjesëmarrësve rritet vazhdimisht, ashtu siç rritet edhe interesimi i mediave. Nuk ka të bëjë më kjo vetëm me aftësitë e kufizuara të njerëzve, por gjithnjë e më shumë me njerëzit, me personazhet, dhe ka për synim motivimin, tha për DW para-sprinteri gjerman Floors, fitues i medaljes së artë në Tokio 2021.

Për paranotarin dhe kampionen e botës Elena Semechin, Lojërat Paralimpike janë shumë më tepër se një garë sportive: “Unë e shoh si një lloj aktiviteti të një ambasadori, një model për njerëzit e tjerë. Dhe kjo është arsyeja pse është edhe më e rëndësishme për mua që të mund të përfaqësoj Gjermaninë në Lojërat në sportin tonë”, tha për DW fituesja e medaljes së artë në Tokio.

Lojërat Paralimpike Paris 2024 filluan më 28 gusht e do të zgjasin deri më 8 shtator. /atsh/ KultPlus.com

‘Paris 2024’- Një mysafir surprizë viziton Lojërat Olimpike

 Të gjithë sytë nga oqeani në ditën e fundit të garës së sërfit në Lojërat Olimpike të Parisit, në Tahiti të hënën pasdite, ku papritmas u shfaq një mysafir surprizë, një balenë, sipas AP.

Në një distancë të sigurt nga atletet Tatiana Weston-Webb nga Brazili dhe Brisa Hennessy nga Kosta Rika, të cilët po garonin në një gjysmëfinale, balena doli në sipërfaqe dhe u dha spektatorëve dhe fotografëve momentin olimpik dhe epik të jetës.

Nuk është e pazakontë që kafshët e egra si zogjtë, fokat dhe madje edhe peshkaqenët të shfaqen gjatë surfimit nëpër botë.

Në Tahiti, ku u mbajt gara olimpike e surfing 2024, gati 10 000 milje larg nga qyteti pritës i Parisit, balenat mblidhen rreth ishujve gjatë sezonit të çiftëzimit, pjelljes dhe migrimit.

Tahiti gjithashtu ka disa zona të mbrojtura detare.

Në prill, udhëheqësit indigjenë të Paqësorit, duke përfshirë disa nga Tahiti, nënshkruan një traktat që i njeh balenat si “persona juridikë”, megjithëse kjo deklaratë nuk pasqyrohet në ligjet e kombeve pjesëmarrëse./ atsh/ KultPlus.com

‘Paris 2024’, Luiza Gega nuk kualifikohet në finalen e garës 3000 metra me pengesa

Atletja shqiptare Luiza Gega nuk ka arrtiur të kualifikohet në finalen e garës 3000 metra me pengesa në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”.

Gega zbriti sot në pistë, në ‘Stade de France’ duke debutuar në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” në baterinë e dytë, por nuk arriti që të japë më të mirën e saj dhe nuk ka mundur që të kualifikohet për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa për femra.

Atletja kuqezi mbylli garën me kohën 9.27.41 dhe u rendit në vendin e 9-të në baterinë e dytë.

5 atletet e para të baterisë u kualifikuan në finalen e kësaj gare. Përfundon këtu aventura e Luiza Gegës në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”./ATSH/ KultPlus.com

Kosova përfaqësohet nga 4 xhudistë në Kampionatin Botëror të xhudos, mungon kampionia olimpike

Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.

“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.

Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com

Distria Krasniqi: Shpresoj që Kosova do fitojë edhe më shumë medalje në “Paris 2024”

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka folur për media pas ardhjes në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se është mirënjohëse për pritjen që i është bërë dhe ka falënderuar të gjithë popullin shqiptar për përkrahjen që i është dhënë tërë kohën sa ajo ishte në Tokio.

“Jam mirënjohëse për këtë pritje kaq të ngrohtë. Ju kisha falënderuar të gjithëve, sidomos popullit shqiptar që na ka mbështetur vazhdimisht. Shpresojmë që s’kemi me mbet vetëm me këto tri medalje, por nga Parisi shpresojmë me u kthy me më shumë”, ka thënë ajo.

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë dhe ishte e fituesja e dytë e Kosovës në histori. Pas saj fitoi edhe xhudistja, Nora Gjakova. / KultPlus.com