Xhudistja Laura Fazliu vazhdon garën për medaljen e bronztë

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se xhudistja Laura Fazliu do të vazhdojë garën për medaljen e bronztë përmes repesazhit.

“Xhudistja jonë, pësoi humbje nga kampionia olimpike, Clarisse Agbegnou, në çerekfinale”, thuhet në njoftimin e tyre.

Nga komiteti i kanë uruar fat Fazliut në rrugën drejt të bronztës./KultPlus.com

Laura Fazliu kalon në çerekfinale të Lojërave Olimpike

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, e ka filluar rrugëtimin në mënyrën më të mirë në Lojërat Olimpike, duke fituar lehtësisht ndaj kinezes Jing Tang në kategorinë deri në 63 kilogram.

Pas medaljes së Distria Krasniqit, eliminimit të hershëm të Nora Gjakovës dhe paraqitjes së mirë të Akilit, radha në tatami sot është për Laura Fazliun, e cila synon medalje olimpike.

Laura raundin e parë e kaloi pa luftë, teksa në raundin e dytë u përball me kinezen Jing Tang.

Numri 3 i botës në këtë kategori ishte dominuese gjatë kohës së rregullt, ku e detyroi kundërshtaren të marrë dy ndëshkime të njohura si ‘shido’.

Laura tani në çerekfinale e pret fituesen nga përballja Agbegnenaou – Quadros.

Kjo përballje pritet të zhvillohet brenda gjysmë ore, me katër takime për t’u zhvilluar deri në çerekfinale./KultPlus.com

Notari Adell Shaboviq në Lojërat Olimpike, ministri Çeku: Ai ka shënuar rekord shtetëror

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka njoftuar se notari Adell Shaboviq, ka garuar sot në Lojërat Olimpike Paris 2024, garë të cilën e ka përfunduar me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në baterinë e tij.

“Në përgjithësi, u rendit i 58-ti nga 79 garues, duke lënë prapa 21 notarë. Koha e tij e sotme është rekord shtetëror”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku u shpreh se Shaboviq ka shënuar sot rekord shtetëror.

“Garën në Lojërat Olimpike #Paris2024, e përfundoi me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në disiplinën e 100 metrave stil i lirë. Përkundër që kësaj radhe nuk arriti kualifikimin, jemi gjithmonë krenarë me përkushtimin e tij”, ka shkruar Çeku në rrjete sociale.

Tutje, ai tha se sportistët tanë plot potencial, po na nderojnë çdo ditë./KultPlus.com

PARIS2024 – Si do të zhvillohet ceremonia hapëse e Olimpiadës?

Parisi është gati që shkëlqimin e Olimpiadës t’ua paraqesë miliona njerëzve, përmes një ceremonie hapëse në lumin Senë, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Kështu, kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium.

Rreth 85 anije do të bartin gati 7 000 atletë, një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e Parisit.

Nisja do të bëhet prej urës Austerlitz, anijet do të lundrojnë rreth katedrales Notre-Dame, për të arritur më pas afër Kullës Eiffel, si dhe nën shumë ura tjera që gjenden rreth qendrës së kryeqytetit francez.

Ceremonia do të nisë në orën 19:30 të premten e 26 korrikut, dhe do të zgjasë rreth tri orë e 45 minuta.

Çfarë do të shohim?

Organizatorët kanë premtuar ceremoni si asnjë tjetër.

Ata deklarojnë se do t’i shfrytëzojnë monumentet historike, qiellin, ujin dhe “nuk do të jetë asnjë urë e pashfrytëzuar për të lëshuar muzikë, për të vallëzuar apo për performanca tjera”.

Rreth 80 ekrane gjigante nëpër Paris do të transmetojnë gjithë ceremoninë, në të cilën do të ketë edhe vallëzues që do të performojnë prej kulmeve të ndërtesave afër Senës.

Në këtë ceremoni do të festohet për Parisin, Francën dhe Lojërat Olimpike, dhe do të ketë paradë të atletëve, performanca artistike dhe pika tjera sipas protokollit, ka thënë Thomas Jolly, drejtor artistik i ceremonisë hapëse.

Detajet se kush do të ndezë fanarin olimpik për të shënuar nisjen e Lojërave, dhe cilët artistë do të marrin pjesë, janë mbajtur sekrete.

Megjithatë, dihet që Lady Gaga dhe Celine Dion janë në mesin e këngëtarëve që janë parë në Paris, duke zgjuar thashetheme se ato ka mundësi të jenë pjesë e ceremonisë.

Mediat franceze kanë thënë se ylli Aya Nakamura, këngëtarja më e dëgjuar franceze në botë, do të jetë pjesë e ceremonisë.

Nakamura ka qenë shënjestër e abuzimit racor online, kur kanë qarkulluar fjalët e para se ajo do të mund të marrë pjesë në ceremoni.

Ajo këndon në gjuhën frënge, përdor shumë lokalizma dhe stili i saj është i ndikuar prej muzikës Indie, e përzier me R’n’B amerikan dhe ritme afrikane.

Një e panjohur e madhe lidhet me motin.

Parashikimet aktuale janë për mot me vranësira, ndonëse organizatorët kanë pritur se do të ketë perëndim të artë dielli, për ta bërë ceremoninë edhe më magjike.

Kush do të marrë pjesë në ceremoni?

Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë dhe më shumë se 300.000 spektatorë, kanë thënë organizatorët.

Komiteti i Lojërave Olimpike ka thënë se rreth 222.000 njerëz kanë fituar ulëset falas, ndërsa 104.000 është dashur të blejnë biletë.

Anijet, që do t’i bartin atletët, do të jenë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar shikuesve prej larg që të shohin gjithçka sikur të ishin aty, ka thënë komiteti.

Po siguria?

Organizimi i ceremonisë në zemër të Parisit mund të jetë diçka fantastike për të bërë fotografi, mirëpo përbën edhe sfidë të madhe në aspektin e sigurisë.

Rreth 2.000 pjesëtarë të sigurisë dhe 45.000 policë do të jenë të shpërndarë për të garantuar sigurinë e ceremonisë, përfshirë forcat speciale të intervenimit.

Snajperistët do të jenë të angazhuar në kulmet e ndërtesave. I aktivizuar do të jetë edhe sistemi anti-dron.

Spektatorët dhe banorët lokalë do të duhet të kenë leje të posaçme dhe kodin QR për të depërtuar afër zonës ku do të mbahet ceremonia.

Qarkullimi i makinave do të ndalohet, përveç disa përjashtimeve të vogla.

Stacionet e afërta nëpër metro do të jenë të mbyllura, ashtu sikurse kalimi nëpër disa ura.

Aeroplanët nuk do të mund të fluturojnë mbi Paris – përveç atyre që do të jenë pjesë e ceremonisë.

Luftërat në Gazë dhe Ukrainë, si dhe shqetësimet për siguri në shtëpi, e kanë bërë Francën që veçse të jetë e alarmuar në nivelin më të lartë në aspektin e sigurisë.

Zyrtarët kanë thënë se nuk ekziston ndonjë kërcënim specifik për terrorizëm në këtë ceremoni.

Kërcënimi i vetëm potencial mund të jetë prej ndonjë sulmuesi që mund të veprojë vetëm, ose edhe prej ndonjë proteste që mund të mbajnë aktivistë për mjedisin, ata të së djathtës ekstreme, të së majtës ekstreme, apo lëvizjet pro-palestineze.

Një burrë është arrestuar në maj në qytetin francez Saint-Etienne, i dyshuar për planifikim të një sulmi në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në stadiumin e futbollit, në kohën e mbajtjes së Olimpiadës.

Një simpatizues i krahut të djathtë është arrestuar në lindje të Francës në korrik, nën dyshimet se ka bërë komplot për sulme gjatë kohës sa mbahen Lojërat.

Ceremonitë e mëparshme të hapjes së Lojërave Olimpike verore

Tokio 2020: Ceremonia hapëse pati rënë në hije nga pandemia e koronavirusit. Ndonëse është shtyrë për një vit, për shkak të rrezikut nga koronavirusi, Lojërat janë mbajtur kryesisht pa shikues.

Rio 2016: Brazili, i ndrydhur financiarisht atë kohë, nuk ka pasur shumë zgjidhje përveç organizimit të një ceremonie modeste dhe të varur shumë prej traditave të karnavaleve, që mbahen atje rregullisht.

Londra 2012: Mbretëresha Elizabetë, e ndjerë tashmë, është parë në hapje në helikopter bashkë me aktorin Daniel Craig – të njohur për rolin e tij të James Bondit – me të cilin ka udhëtuar rreth Pallatit Buckingham, duke e shtuar madhështinë e gjithë organizimit.

Pekini 2008: Rreth një miliard njerëz, apo 15 për qind e popullsisë së botës, e kanë shikuar ceremoninë hapëse, në të cilën janë përfshirë 10 000 performues, 2 008 bateristë dhe një finale dramatike me “ecjen” e performuesve nëpër qiell./ (REL)/KultPlus.com

Ministri Çeku: Sot nis rrugëtimi i sportistëve tanë në Lojërat Olimpike

Ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot do të fillojë rrugëtimi i sportistëve nga Kosova, në Lojërat Olimpike Paris2024.

“Sot nis rrugëtimi i sportistëve tanë në Lojërat Olimpike #Paris2024“, ka shkruar ai.

Tutje, Çeku ka shkruar se të gjithë i kemi sytë nga ata dhe se iu urojmë shumë suksese, duke shtuar se ndihemi të gjithë krenarë./KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e liderëve botërorë për sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Paris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në prag të hapjes së lojërave olimpike “Paris2024”, janë ftuar nga Presidenti Macron në Samitin e liderëve botërorë për sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në njoftim ajo ka shkruar se Kosova beson në fuqinë transformuese të sportit dhe do të jetë përherë në mbështetje të atyre që promovojnë vlerat, të cilat i mishëron sporti.

“Kosova beson në fuqinë transformuese të sportit dhe do të jetë përherë në mbështetje të atyre që promovojnë vlerat, të cilat i mishëron sporti. Prandaj jemi të gjithë bashkë në përkrahje të ekipit të artë të sportistëve tanë me besimin e plotë në përfaqësimin e dinjitetshëm të shtetit tonë”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com