Mungesa e gjelbërimit, statujës së Fehmi Aganit e Anton Çettës: Këshilli Studentor bën thirrje për bojkot të bizneseve sipër Parkingut

Këshilli Studentor që përfaqëson studentët e Fakultetit të Filologjisë është shprehur shumë i zhgënjyer me mënyrën e finalizimit të projektit për parkingun para Filologjikut, me ç’rast nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, është bërë thirrje ndaj bojkotimit të bizneseve të ngritura në hapësirat gjelbëruese të Universitetit, përcjell KultPlus.

Ata kanë theksuar edhe mungesën e statujës së Fehmi Aganit që nuk është vendosur në hapësirën gjelbëruese edhe pse ishte premtuar që do vendoset. Po ashtu, është dalluar edhe mungesa e statujës së Fehmi Aganit që nuk është rivendosur në vendin që ishte por e ka mbuluar pluhuri në podrumin e Filologjisë.

“Sepse sa të ketë Universitet, do ketë edhe shtet!”, thuhet në reagimin e tyre.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Reagim!

Këshilli Studentor që përfaqëson studentët e Fakultetit të Filologjisë janë shumë të zhgënjyer me mënyrën e finalizimit të projektit për parkingun para Filologjikut!

Nga fillimi është premtuar që hapësira gjelbëruese do rikthehet edhe më e mirë se më përpara dhe ky ishte premtimi i parë nga Legjislatura udhëheqëse nën Shpend Ahmetin në Komunën e Prishtinës, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë!

Zhgënjimi ynë është edhe me udhëheqsinë komunale të tashme, të cilët nuk reaguan aspak për gjendjen e tanishme të parkingut!

Përderisa hapësira gjelbëruese është gllabëruar apo uzurpuar, tashmë as statuja e Fehmi Aganit nuk është rivendosur në vendin që ishte por e ka mbuluar pluhuri në podrumin e Filologjisë, ku puntorët e kompanisë punë-kryese nuk kanë marrë as mundin më të vogël të kujdesen sadopak për të!

Vlen të ceket që edhe statuja e të madhit Anton Çeta, nuk është vendosur në hapësirën gjelbëruese edhe pse ishte premtuar që do vendoset!

Reagimi ynë nuk është politik ashtu si i organizatave dhe perfaqësuesëve tjerë, por është në kontekst dhe koherencë ndaj përgjegjësve të kaluar dhe të tanishëm, varësisht se cilit oborr politik i takojnë!

Stop zvogëlimit të hapësirës gjelbëruese në kampusin tonë!

BETONI DHE MONETAT nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë të drejtën e studentëve për hapësira gjelbëruese para Fakultetit!

Duke u thirrur në parime dhe sakrifica të studentëve për vijim të studimeve sa më të mira dhe më produktive, atëherë i bëjmë thirrje të gjithë studentëve të Filologjisë dhe jo vetëm, që t’i BOJKOTOJNË dhe mos frekuentojnë asnjëherë bizniset e ngritura në hapësirat gjelbëruese të Universitetit!

Ndoshta nga mos reagimet komunale kemi hasur në neglizhencë, por ne ju themi që s’jemi pak por jemi shumë, e kur bëhemi shumë, atëherë gjithmonë fitojnë parimet dhe idealet mbi të cilat është ngritur ky Universitet!

Sepse sa të ketë Universitet, do ketë edhe shtet!

Uzurpimi i hapësirës publike në UP nga bizniset, nënkupton që nesër ose pasnesër do uzurpohen edhe më shumë hapësirat tjera vitale në shtetin tonë, nga Aristokratë biznisor dhe me aspak moral dhe etikë shtetndërtuese!

Këshilli Studentor i Filologjisë! / KultPlus.com

Parkingu Nëntokësor dhe Parku Qendror i kryeqytetit mbi të, projekti më i ri i Prishtinës

Parkingu Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, është një nga projektet e mëdha të Kryeqytetit që do të ndërtohet përmes Partneritetit Publiko-Privat.

Deri në fillim e punimeve, janë tri faza procedurale nëpër të cilat duhet të kalohet:

1. Shpalla e kërkesës për kualifikim
2. Shpallja e kërkesës për propozim
3. Përzgjedhja e ofertuesit më të suksesshëm

“Kërkesa për kualifikim ka për qëllim që t’i përzgjedhë kompanitë që kanë potencial financiar dhe operativ për realizuar projektin, dhe bazohet në kualifikimet minimale teknike si dhe kualifikimet minimale financiare. Në fazën e parë kanë aplikuar 6 kompani/konzorciume serioze, dhe tani jemi duke e shqyrtuar dokumentacionin e tyre. Brenda pak ditësh, do të dalim me rezultatet, me c’rast mbyllet faza e parë dhe shpallet kërkesa për propozim. Do të jenë 40-60 ditë afat për t’i dërguar propozimet, dhe më pas futemi në vlerësim të detajuar të secilës ofertë. Deri në muajt e fundit të këtij viti, presim që të dalim me ofertuesin më të suksesshëm, të nënshkruajmë kontratën dhe kësisoj të krijohen kushtet për fillimin e punëve”, tha Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, në prezantimin që e bëri para gazetarëve për këtë projekt.

Sipërfaqja e ndarë për parking nëntokësor është 13,990 metër katror, dhe është planifikuar që të ndërtohen në 2 etazhe. Disniveli në pjesën perëndimore të lokacionit, mund të shfrytëzohet për ndërtimin e disa lokaleve afariste, në sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrash katror. Një prej pjesëve të rëndësishme të këtij projekti, është parku mbi parking, i cili do të jetë edhe Parku Qendror i Kryeqytetit. Secili ofertues duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë dukjes së këtij parku./KultPlus.com