Mbyllja e sezonit turistik ndryshon oraret e monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjike

Në zbatim të udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë sezonit turistik”, për një shërbim sa më të mirë dhe cilësor ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mundësuar një periudhë sa më të gjatë të vizitueshmërisë, DRTK Vlorë njoftoi se, sezoni turistik veror 2024, konsiderohet i përfunduar më datë 31 tetor 2024.

Me përfundimin e sezonit turistik, orari i vizitave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, që administrohen nga DRTK Vlorë, do të jetë si më poshtë:

Në Parkun Arkeologjik të Amantias, Orikut dhe Finiqit:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Kalanë e Kaninës, Himarës dhe Porto Palermos:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Manastirin e 40 Shenjtorëve, në Sarandë:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 200 lekë/personi dhe 100 lekë/personi për grupet.

Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:

– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Amantias, qyteti antik në pritje të vizitorëve

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ftoi vizitorët e qytetit bregdetar që të përfitojnë nga afërsia e Parkut Arkeologjik të Amantias me qytetin dhe të vizitojnë varrezën monumentale pranë saj.

Në varrezën antike të Amantias, gjenden një numër i madh varresh me arkitekturë monumentale, çka tregon jo vetëm praninë e një elite të pasur në këtë qytet antik, por edhe zhvillimin dhe pasurinë e madhe që karakterizonte qytetin në shekujt IV-II p.Kr.

Tipat më përfaqësues të varreve monumental në Amantia, janë varret me dhomë të mbuluar me qemer, që shfaqen në Iliri të paktën që nga fundi i shekullit IV p.Kr, madje ka studiues që mendojnë se Amantia është qendra ku këto monumente funerare dalin për herë të parë.

Një ndër më të njohurit prej tyre është varri me dhomë e paradhomë në nekropolin verilindor të Amantias, i dokumentuar prej arkeologut Carl Patsch që në vitin 1904. Monumenti ndodhet tashmë në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik dhe është një atraksion që mund të vizitohet nga kushdo./atsh/KultPlus.com