Margariti: Manastiri “Fjetja e Shën Marisë”, në Parkun e Apolonisë, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore

Për t’u uruar gjithë besimtarëve të krishterë “Gëzuar Ditën e Shën Marisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti zgjodhi të ndante online një imazh nga manastiri “Fjetja e Shën Marisë”, në Parkun të Apolonisë. Ministrja Margariti e ka konsideruar këtë manastir si, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore.

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitohen në të gjithë vendin.

Ndërtimi i ketij manastiri mendohet se ka nisur në shekullin e XIII, por materialet e përdorura datojnë shumë më herët, duke qënë se u përdorën blloqet e shkallareve të amfiteatrit apo të rrënojave të tjera të lashtësisë që gjendeshin përreth.

Ky takim mes antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare.

Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjëve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Në vitin 1927 u rindërtua ikonostasi si dhe u ndërtua këmbanarja e bukur që i jep një tjetër pamje gjithë zonës. Disa qiparisë të vetmuar shërbejnë si dekor perfekt në këtë kompleks që ngjan i krijuar enkas për t’i lënë hapësirë udhëtimit shpirtëror./ atsh / KultPlus.com

Aktivitete artistike në Parkun e Apolonisë

Vizitorët e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, përveç monumenteve dhe muzeut arkeologjik, tashmë kanë mundësinë të shijojnë edhe dy ekspozita.

“Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore” u çelën në Parku Arkeologjik Kombëtar Apolonia me dy aktivitete artistike që shkrihen në një sinergji unike mes monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Njëra prej tyre është ekspozita vetjake e artistes britaniko-irakiane Lina Sami Ogaily, e titulluar “Një realitet parallel”. Veprat e artistes së artit pamor, janë ekspozuar në ambientet e kishës byzantine, shoqëruar nga persona të veshur me kostume popullore tradicionale.

Përvec ekspozitës, në mjediset e parkut është interpretuar edhe një pjesë e shfaqjes teatrale “Madergona”, e cila më herët ishte vënë në skenën e teatrit Bylis.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur pranë Trapezarisë deri në datën 25, për t’i lënë vendin një tjetër ekspozite, në 27 shtator. /atsh /KultPlus.com