Shtyhet ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar propozimin e GLPS dhe Qytetarë Aktivë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës për lejimin e realizimit të projektit “Parku i Aventurave” në Gërmi deri në vendosjen meritore të çështjes.

Më 12 shkurt 2021, organizatat Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Qytetarë Aktivë kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit kundër Vendimit për Leje Mjedisore Komunale 04 Nr. 352/10-151458/20 të datës 15.10.2020, vendim me të cilin Komuna e Prishtinës kishte lejuar realizimin e projektit “Parku i Aventurave“ në Peizazhin e Mbrojtur Gërmia.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar si të bazuar propozimin e GLPS dhe Qytetarë Aktivë për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit 04.nr. 352/10-1511458/20 të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të çështjes.

Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtij vendimi do t‘i sillte dëm natyrës i cili vështirë do të riparohej, dhe se shtyrja e ekzekutimit nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare.

GLPS dhe Qytetarë Aktivë mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

Siç kanë theksuar organizatat paditëse në padi, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës ka potencuar se lokacioni ku planifikohet të ndërtohet “Parku i Aventurave” është zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë, ku gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë. GLPS dhe Qytetarë Aktivë kanë theksuar ndër të tjera se Vendimi është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Komuna ka vepruar jashtë autorizimeve që i jep Udhëzimi Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, si dhe ka vepruar në kundërshtim me procedurat e parapara për këtë kategori të projekteve në Ligjin për Ndikim në Mjedis.

Në anën tjetër, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, po ashtu, nuk ka vlerësuar drejtë kërkesën e Komunës dhe sipas kërkesave/procedurave ligjore, siç janë të përcaktuara me Ligjin për Ndikim në Mjedis. Kështu, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e e Ekonomisë dhe Ambientit kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje për një projekt të rëndësishëm për qytetarët dhe natyrën.

Mbi këtë bazë, GLPS dhe Qytetarë Aktivë kanë kërkuar nga Gjykata që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të rastit dhe në fund të anuloj vendimin e Komunës së Prishtinës. / Gazeta Express / KultPlus.com