Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës, një perlë e natyrës në Korçë do të shndërrohet në një destinacion të vizitueshëm për turizmin familjar dhe sportet e aventurës.
Bashkia Korçë, bën të ditur se, ka nisur projektin për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës së nevojshme në këtë park, që e bën më të aksesueshëm nga vizitorët dhe turistët.
“Rehabilitimi i rrugës, sinjalistika, hapësira për piknik, pika e hedhjes me parashutë dhe markimi i shtigjeve për të shëtitur do të realizohen si një bashkëfinancimin i bashkisë Korçë dhe fondeve IPA të Bashkimit Europian për ta kthyer Bozdovecin në një prej zonave natyrore më të frekuentuara për banorët dhe turistët”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.
Bredhi i Drenovës është një park kombëtar në Qarkun e Korçës që ka një sipërfaqe prej 1,380 hektarë me një bimësi të veçantë dhe reliev të thyer natyror. /KultPlus.com