Komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në komision tha se lidhja e marrëveshjes së administrimit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, ka si qëllim administrimin efektiv, sipas një modeli administrimi, i cili synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Në bazë të kuadrit ligjor, ligji i njeh gjithë të drejtën Fondacionit që jo vetëm të menaxhojë këtë entitet të ri, por edhe mbi të gjitha të vazhdojë të kërkojë donatorë të tjerë dhe partnerë të tjerë në Fondacion”, theksoi Margariti. / KultPlus.com