Adem Mikullovci kërkon që Kodi i Ri Penal të bazohet në Kanunin e Lekë Dukagjinit (VIDEO)

Sot në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është diskutuar për Kodin e Ri Penal, shkruan KultPlus.

Sa i përket kësaj, në këtë seancë fjalën e mori edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili tregoi se është i pakënaqur me ligjin dhe ai kërkoi që të merren parasysh edhe Kanuni e edhe Pleqnarët. Sipas tij, ligjit nuk po i vije era shqip, dhe kësisoj siç e tha ai: “po bëhemi më Papë se Papa”.

Adem Mikullovci në këtë deklaratë skandaloze, thotë edhe: “Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni”.

Ai po ashtu merr një shembull dhe i pyet deputetët se çfarë mendojnë: “Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni”.

Po sjellim të plotë deklaratën e aktorit, e tash edhe deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Adem Mikullovcit:

“Unë dua të them, ju e dini që nuk jam jurist, por e shfletova materialin dhe u mundova të kuptoj ca gjëra. Por e vërejta dhe nuk më pëlqeu që këtij kodi nuk po i vije era shqip. Mendoj që është dashtë të mbështetën ata ekspertët e juaj pak edhe në tradita e edhe në pleqnarë. Pleqnia jonë ka ditur të zgjidhë konfliktet që nuk kanë ditur as juristët t’i zgjidhin. Por unë u ndala edhe në dhunën familjare. Të kuptohemi që dhuna familjare nuk mund të aplikohet si në Amerikë e Angli e ata tjetër atje, ne jemi tjerë dhe duhet të iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni. Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni. Mandej këtu e përkrahi plotësisht Mialim Zekën, dhe mendoj që pak tepër po mundohemi të bëhemi anglez, si thotë ajo fjala popullore më papë se Papa, nuk po vjen era shqip, e kjo më ka penguar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2520407978185017/UzpfSTEyNzE0OTY2NzI6MTAyMTU4NTUxNDE1OTI3NDA/