Sot Parlamenti Evropian diskuton për situatën në veri

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës do të jetë temë diskutimi në Parlamentin Evropian.

Kjo pas sulmit terrorist mbi policinë e Kosovës që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

PE-ja pritet më vonë gjatë muajit ta miratojë edhe një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo u bë e ditur nga eurodeputeti kroat Tonino Picula.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula./KlanKosova/KultPlus.com

Nesër në Parlamentin Evropian votohet për vizat e Kosovës

Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian do të votojë për liberalizimin e vizave të kosovarëve.

Ky do të jetë edhe votimi përfundimtar për heqjen e vizave.

Zhvillimi i nesërm në PE vjen pas draft-agjendës së miratuar në Konferencën e Presidentëve që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian.

Pas votimit të 18 prillit, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ishte ai i cili e ka propozuar që të hidhet në votim pika e liberalizimit të vizave.

Para PE-së, pro liberalizimit të vizave për Kosovën më 9 mars votoi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, duke thënë se lëvizja e lirë për kosovarët mund të ndodhë nga 1 janari i vitit 2024.

Kujtojmë se ditë më parë, blloku njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse ky sistem nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, heqja e vizave për kosovarët bëhet realitet më 1 janar 2024.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Zelensky në Parlamentin Europian: Na ndihmoni të kthehemi në shtëpi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur sot një fjalim në Parlamentin Europian gjatë së cilit këmbënguli në kërkesën që vendi që ai drejton t’i bashkohet familjes europiane.

“Ne duam të vijmë në shtëpi, në Europë,” tha Zelensky gjatë fjalës së tij.

Lideri i Ukrainës theksoi se Ukraina ndan vlera të përbashkëta me Europën, ndryshe nga Rusia që siç u shpreh ai, po tenton që ta kthejë Ukrainën pas në kohë.

“Unë jam këtu që të mbroj rrugën e popullit tim drejt shtëpisë”, u tha Zelensky ligjvënësve europianë.

Ai shtoi se Rusia po tenton të shkatërrojë mënyrën ukrainase dhe europiane të jetesës.

Më tej, presidenti i Ukrainës falënderoi Unionin për “ndihmën jetësore” që i ka mundësuar deri më tani vendit që ai drejton, duke përfshirë këtu edhe ndihmën në armë, furnizime ushqimore, pajisje energjetike dhe karburant.

Zelensky e nxiti bllokun po ashtu që të vijojë të mbajë të njëjtën linjë të mbështetjes për Ukrainën./A2CNN / KultPlus.com

Parlamenti

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas mureve të rënda,
atje brenda,
thonë natën e varrosnin,
thonë ditën e përsosnin,
sa shpresa,
sa ëndrra
atje brenda.
Atje brenda?
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avione, parajsa,
duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.

Përjashta të uriturit ulërinin! / KultPlus.com