Zelensky në Parlamentin Europian: Na ndihmoni të kthehemi në shtëpi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur sot një fjalim në Parlamentin Europian gjatë së cilit këmbënguli në kërkesën që vendi që ai drejton t’i bashkohet familjes europiane.

“Ne duam të vijmë në shtëpi, në Europë,” tha Zelensky gjatë fjalës së tij.

Lideri i Ukrainës theksoi se Ukraina ndan vlera të përbashkëta me Europën, ndryshe nga Rusia që siç u shpreh ai, po tenton që ta kthejë Ukrainën pas në kohë.

“Unë jam këtu që të mbroj rrugën e popullit tim drejt shtëpisë”, u tha Zelensky ligjvënësve europianë.

Ai shtoi se Rusia po tenton të shkatërrojë mënyrën ukrainase dhe europiane të jetesës.

Më tej, presidenti i Ukrainës falënderoi Unionin për “ndihmën jetësore” që i ka mundësuar deri më tani vendit që ai drejton, duke përfshirë këtu edhe ndihmën në armë, furnizime ushqimore, pajisje energjetike dhe karburant.

Zelensky e nxiti bllokun po ashtu që të vijojë të mbajë të njëjtën linjë të mbështetjes për Ukrainën./A2CNN / KultPlus.com

Parlamenti Europian kërkon që Serbia të penalizohet për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë

Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi raportin për strategjinë e re të zgjerimit. Përmes këtij raporti kërkohet që procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian, por edhe dhënia e fondeve të BE-së, të kushtëzohet me mbështetjen e Beogradit për sanksionet ndaj Moskës.

“Duhet të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Dhe të avancojnë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe të bëjë përparim domethënës në reformat e nevojshme për integrim në BE”, thuhet në raportin e PE-së.

Raporti për strategjinë e re të zgjerimit kërkon që procesi i zgjerimit të reformohet, në mënyrë që të shpërblehen ato vendeve që avancojnë në përmbushjen e kritereve, por edhe të sanksionohen ato shtete që shënojnë kthim prapa në këtë proces.

Raporti u përgatit nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula, dhe ai u miratua me 49 vota për, pesë kundër dhe tetë abstenime.

PE-ja, përmes raportit për strategjinë e zgjerimit, po ashtu ka propozuar që të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti për të kaluar në votim me shumicë të kualifikuar në Këshill.

Marrja e vendimeve përmes votimit unanim shpesh ka mundësuar që në të kaluarën, shtete të caktuara anëtare të bllokojnë hapjen apo mbylljen e kapitujve negociues.

Në këtë raport, disa herë përmendet se besueshmëria e procesit të zgjerimit, por edhe i BE-së në tërësi, është dëmtuar për shkak se disa shtete anëtare, për shkak të interesave nacionale kanë bllokuar këtë proces. Kjo, sipas raportit, ka “krijuar hapësirë për ndikimin e Rusisë, Kinës dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm në rajon”.

Në raport, PE-ja ka folur edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. Aty u kërkua një angazhim më i madh i palëve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellët.

PE-ja po ashtu nënvizon se nuk duhet të ketë alternativë procesit të zgjerimit. Madje, në raport propozohet që negociatat e anëtarësimit me vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, të përmbyllen deri në fund të kësaj dekade.

BE-ja, sipas raportit, duhet të punojë që ndihma e saj të jetë më e dukshme, në mënyrë që të rrisë ndikimin në rajon dhe më gjerë./REL/ KultPlus.com

Mandl kritikon pesëshen e BE-së: Flisni kundër autoritarizmit dhe s’e njihni Republikën e Kosovës

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, i cili është edhe raportues për Kosovën në Parlamentin Europian, ka folur në debatin e PE-së mbi draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë. Fjalimin e tij, ai e filloi me kritikën që ia bën shpesh vendeve anëtare të BE-së për mosmbajtjen e premtimit për liberalizim të vizave për kosovarët, derisa më pas e ashpërsoi kritikën për pesëshen e BE-së që vazhdon të këmbëngulë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Është një kohë kritike kur jemi duke diskutuar raportin e ri të Parlamentit Europian për Kosovën. Fakti që qytetarët e Kosovës ende nuk lejohen të hyjnë në BE pa viza është absurd. Nëse ky lëshim i madh i BE-së nuk do të ishte aq tragjik, kjo do të ishte thjesht qesharake. Kriteret ishin vërtet të tepërta, por janë përmbushur prej kohësh. Komisioni Europian e ka konfirmuar këtë. Parlamenti Europian ka folur vazhdimisht në mënyrë të qartë në favor të udhëtimit pa viza. Një pakicë e qeverive të shteteve anëtare po e ngadalësojnë dhe bllokojnë [procesin]”.

“Për pakicën e vogël të vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, tani është koha për të zënë hapin. Është e pabesueshme të flitet për unitetin e botës së lirë kundër autoritarizmit dhe dhunës nga njëra anë dhe nga ana tjetër të mos e njohësh Republikën e Kosovës. Me raportin aktual të Kosovës, Parlamenti Europian më shumë se kurrë duhet të vendosë për tejkalim të urrejtjes dhe dhunës, të ecjes drejt të bazuar në fakte, racionalitetit, mirëkuptimit, paqes dhe lirisë”.

Mandl në PE tha se në vend të pajtimit, plagëve të Kosovës po i hidhet kripë pa ndalë.

“Agresioni i Kremlinit kundër popullit në Ukrainë, i shoqëruar me krime lufte, zgjon kujtimet e popullit në Kosovë dhe e ushqen frikë”.

Eurodeputeti ka thënë se pikërisht në këtë kohë, shteti serb po refuzon të mbrojë qytetërimin e botës së lirë kundër luftës së përgjakshme të Rusisë dhe për më tepër po tregon mirëkuptim edhe më shumë.

“Si në zyrat e qeverisë ashtu edhe në rrugë kjo është e papranueshme, veçanërisht jo duke pasur parasysh faktin se BE-ja deri tani është donatori më i madh i Serbisë dhe madje i jep Serbisë edhe statusin e kandidatit, përndryshe prej Kosovës dhe Bosnjës”.

Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, ka shtuar Mandl, mundet që me punë të përkushtuar të bëhet diçka si Silicon Valley i Europës.

“Popullsia më e re e Europës jeton atje, nuk ka pothuajse asnjë industri tradicionale, por ka shumë vullnet”./Express/ KultPlus.com

Osmani për vdekjen e Sassolit: Një mik i vërtetë i kombit dhe popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Europian, Davide Sassoli, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani shprehet tejet e pikëlluar për vdekjen e Sassolit, duke shtuar se ai ishte mik i Kosovës.

“Shumë e pikëlluar të dëgjoj për vdekjen e Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli. Një person me vlera të mëdha, të cilin pata privilegjin ta takoj personalisht vetëm një vit më parë”, shkroi presidentja Osmani në Twitter.

“Një mik i vërtetë i kombit dhe popullit tonë. Kjo është një humbje shkatërruese për familjen e tij, por edhe për BE-në dhe botën”, shtoi ajo.

Sassoli ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i tij, përmes një postimi në Twitter, derisa sot është konfirmuar edhe vdekja e tij nga zëdhënësi i tij. /KultPlus.com

Nora Sefa fiton çmimin e Rinisë Charlemagne 2020

Sapo janë shpallur fituesit e Çmimit të Rinisë Charlemagne 2020 dhe 2021, e në mesin e tyre është edhe organizata “Arbeit an Europa”, pjesë e së cilës është edhe gazetarja nga Frankfurti, Nora Sefa. Organizata “Arbeit an Europa” është shpërblyer me këtë çmim për projektin e tyre European Archive of Voices. Në kuadër të këtij projekti edhe akademiku Rexhep Qosja është intervistuar nga Nora Sefa.

Fituesit do të marrin një çmim monetar ku ata do të kenë mundësinë të vizitojnë Parlamentin Evropian dhe të takojnë bashkëmoshatarët e tyre dhe të ndërveprojnë në një mjedis ndërkombëtar.

Për 13 vjet, Parlamenti Evropian dhe Fondacioni i Çmimit Ndërkombëtar të Karlit të Madh të Ahenit kanë inkurajuar të rinjtë të paraqesin projekte që do të lejojnë të ketë një zë në evolucionin e Bashkimit Evropian.

Çmimi Evropian i Rinisë Charlemagne iu dha në të kaluarën ideve të panumërta brilante që kishin për qëllim ndërtimin e një identiteti të fortë evropian, siç janë aktivitetet kulturore, shkëmbimet e huaja dhe ngjarjet sportive.

European Archive of Voices

Çmimi i jepet projekteve evropiane të drejtuara nga të rinj të moshës 16-30 vjeç, duke ofruar modele për të rinjtë që jetojnë në Evropë. / KultPlus.com

Beethoveni jehon në Parlamentin Europian

Nuk ka gjë më të bukur se sa shpërndarja e lumturisë për shumë njerëz, janë fjalët e Ludwig van Beethovenit, të shprehura edhe nga muzika e tij.

Për të muzika ishte toka në të cilën shpirti jeton, mendon dhe shpik.

”Muzika dhe pasioni i tij simbolizojnë idealet e Europës, të solidaritetit, paqes dhe lirisë dhe projekti ynë për një botë më të mirë”, kështu u shpreh presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli duke folur në seancë plenare.

“Me rastin e 250-vjetorit të lindjes së Beethoven, dëshiroj të ndaj me ju një moment frymëzimi”, shtoi ai.

Himni i gëzimit i Simfonisë IX nga Beethoven u miratua si himni zyrtar i Bashkimit Europian.

Ai dëgjohet në Parlament në hapjen e secilës prej seancave si edhe në raste solemne.

Ai do të interpretohet sot nga ansambli ”Oxalys” nga Brukseli, me aranzhim nga kompozitori Jago Moons.

Është himni i Europës për të gjithë: Të bashkuar në diversitet./ atsh/ KultPlus.com

Florent Shasivari i dërgon letër Parlamentit Europian, proteston për problemet në Kosovë

Florent Shasivari me profesion kompozitor i cili jeton në Francë, së fundi i është adresuar Parlamentit Europian me një letër e cila duke u bazuar në ngjarjet e fundit në Kosovë, vie si shenjë proteste në këtë kohë pandemie, shkruan KultPlus.

Letra është shkruar në gjuhën frënge, dhe i është drejtuar deputetve të Francës, Gjermanisë, Belgjikës, si dhe ekipit te presidencës, Jaume Duch Guillot i cili është bartës i fjalës së presidentes së komisonit europian, Ursula von Der Leyen.

Shasivari për KultPlus tregoi të jetë falenderues ndaj disa deputetëve të cilët tashmë i janë përgjigjur letrës së tij.

‘Letra nuk përmban asnjë nuancë partiake, përpos problemeve që jemi ballafaquar dhe ballfaqohemi tash, e këto 21 vite’, shprehet tutje Shasivari. / KultPlus.com