Studentët e UP-së organizojnë protestë kundër Asociacionit

Parlamenti studentor ka organizuar një protestë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës për respektimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të arritura në mes të Kosovës dhe të Serbisë. 

Parlamenti studentor ka caktuar datën 15 shkurt të këtij viti si datë të protestës, datë e cila shënon edhe përvjetorin e 53-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

“Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj”, shkruan në njoftimin për protestë. 

Vendtakimi për protestën është tek Biblioteka Kombëtare në orën 16:00. 

Ky është njoftimi i plotë: 

Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.

Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.

Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.

Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.

Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.

DATA: 15.02.2023
VENDTAKIMI: Biblioteka Kombëtare
ORA: 16:00 / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, në krye me Erzen Hysenin.

 Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur që i mirëpret në takim, meqenëse rinia është fokus i saj prej marrjes së mandatit.

Ministrja i informoi për ndryshimet që po bëhen në Ligjin për Rininë i cili do të parashohë ndryshime të shumta pozitive për të rinjtë e Kosovës. Vlen të përmendet ndryshimi i moshës nga 15-24 vjeç në 15-29 vjeç si dhe për njohjen e vullnetarizmit si përvojë punë.

Gjithashtu i njoftoi për mbështetjen financiare që u është bërë të rinjve përmes thirrjes publike ku MKRS ka ndarë 500.000 euro për ndërmarrësi, 100.000 mijë euro për integrim shoqëror, 120.000 euro për promovim dhe edukim shëndetësor dhe 100.000 euro për edukim jo-formal në fushën e rinisë.

 Të njëjtat çështje ishin fokus i interesimit edhe nga ana e përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të cilët u shprehën shumë të lumtur që ka zhvillime për të mirën e të rinjve të Kosovës.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor e njoftuan për punën e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm brenda Universitetit të Prishtinës, ndonëse në periudhë pandemie.

Ndër të tjera shpalosën edhe dy ide për projekte për të cilat kërkuan ndihmën e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi u shpreh e angazhuar dhe e determinuar të mbështesë secilën iniciativë që vjen nga të rinjtë dhe për të rinjtë. / KultPlus.com