Ernest Hemingway
Toronto Star Weekly/24 qershor, 1922
Benito Mussolini, kryetar i lëvizjes fashiste, ulet para tavolinës së punës si para siguresës së depos së madhe të barutit që e ka shtrirë përgjatë krejt Italisë Veriore dhe Qendrore dhe, herë pas here, ledhaton veshët e qenushes, që ngjason me sojin e qenve veshshkurtër, që po luan me letrat e zhubravitura përtokë afër tavolinës së madhe. Mussolini është njeri me fytyrë të madhe e me ballë të gjerë, me gojën që ka një nënqeshje të lehtë e me duar të mëdha ekspresive.
“Fashistët tani janë forcë gjysmëmilionëshe”, më deklaron mua. “Jemi një parti politike e organizuar si forcë ushtarake”.
Teksa flet ngadalë në italisht dhe zgjedh fjalët me qëllim që të sigurohet se po kuptoj gjithçka që po nxjerr nga goja, tregon se si fashistët kanë 250 mijë trupa të organizuara në skuadra në Camicie Nere, ose këmisha të zeza, si trupa të gatshme reagimi në shërbim të partisë politike. “Garibaldi kishte këmishët e kuqe”, qeshet në shenjë protestimi ndaj pakënaqësisë eventuale.
“Nuk kemi dalë që ta kundërshtojmë asnjë qeveri italiane. Nuk jemi kundër ligjit”, shpjegonte Mussolini teksa me kujdes theksonte fjalët, duke lëshuar trupin në kolltukun e tij, njëherësh duke vënë theksin në pikat më të rëndësishme nëpërmjet gjesteve të duarve. “Por”, theksoi ai ngadalë dhe me kujdes, “ne kemi mjaftueshëm forcë sa për të rrëzuar çdo qeveri që mundohet të na kundërshtojë ose të na shkatërrojë”.
“Po puna e Guardia Regia?” – e pyes unë. (Guardia Regia është forcë e trupave, e organizuar së fundi nga Jugu i Italisë, prej ish-kryeministrit Nitti, për ta ruajtur paqen në rast të plasjes së luftës civile.)
“Guardia Regia kurrë nuk do të na luftojë!” – thekson Mussolini.
Dhe tani rendi e do që të bëhen disa shpjegime a krahasime. Platforma fashiste është asi e konservatorizmit të skajshëm. Merreni me mend Partinë Konservative të Kanadasë me 25 mijë burra dhe gra me armë në duar, si “parti politike të organizuar si një forcë ushtarake” me prijatarin e saj që deklaron se ka forcën e nevojshme për ta rrëzuar çdo qeveri liberale ose cilëndo tjetër që mund ta kundërshtojë. E keni një pasqyrë të qartë, apo jo? Njëherësh, merreni me mend një forcë policore ushtarake speciale të krijuar për t’i parandaluar konservativët që të maten me liberalët në rrugë, dhe mund të keni një vlerësim edhe më të kristalizuar. /KultPlus
(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)