Pas 31 dhjetorit

Poezi nga Nerimane Kamberi

Nuk pat borë,
as mysafirë nuk patem,
pak zbukurime, shumë pak, gati hiç,
gjithçka ishte ndryshe këtë 31 dhjetor.
Nuk përgatita pulë,
edhe pse i kemi pre në fundvere,
ato ditë kur na le.
As valle, as përqafime.
Vetëm gishti që rrëshqiste në ekranin e telefonit,
tu i kërku fotografitë e festave bashkë,
shkëmbimin e dhuratave.
Djali më tha se patëm momente të bukura vitin që lamë pas.
Ah? T’i rilexoj poezitë e mia.
Dhe kur qielli në katund u ndriçua
me qindra fishekzjarre,
desha të ta uroj vitin e ri,
lypa nje yll lart, më të ndriçueshmin,
i lëviza buzët,
urime, nanë.
Filloi të fryej
a ishe ti?
U ktheva brenda,
tu ofshamë,
shyqyr shkoi ky vit.
Ardhtë më i mirë.
E qetësia ra. / KultPlus.com