34 vite më parë u miratua dekreti që u lejonte shqiptarëve pajisjen me pasaporta

Për një kohë të gjatë jo të gjithë shqiptarët kishin të drejtën për të pasur një dokument për të dalë jashtë shtetit. Në kohën e diktaturës pasaporta për disa qytetarë konsiderohej si luks.

Pas vdekjes së diktatorit dhe në grahmat e fundit të komunizmit, shqiptarët u dyndën në ambasada, për t’u larguar nga vendi që ishte izoluar për gati pesë dekada. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në këto kushte, në 12 qershor të vitit 1990, u miratua një dekret që lejonte pajisjen me pasaporta për udhëtim jashtë shtetit.

Qeveria shqiptare kërkonte që shqiptarët të dilnin nga ambasadat në mënyrë që të pajiseshin me pasaporta e më pas me vizën nga ambasadat e huaja. Në këtë mënyrë shqiptarët nuk do të konsideroheshin azilantë politikë dhe as do të prezantonin një imazh negativ për Shqipërinë, e cila aspironte anëtarësimin në disa organizata evropiane. Në atë kohë edhe evropianët kërkuan ndërmjetësimin e OKB-së, për t’i kërkuar qeverisë shqiptare respektimin e të drejtave të njeriut./atsh/KultPlus.com

Pasaportat më të fuqishme në 2022, kryeson SHBA, Shqipëria në vendin e 89

Pasaporta amerikane është renditur si më e fuqishmja në botë për vitin 2022. Global Citizen Solutions, një kompani konsulence mbi investimet për emigracionin bazuar në të dhënat ka publikuar Indeksin Global të Pasaportave, duke përdorur një sistem të fuqishëm vlerësimi sasior për disa kritere dhe kategori. Indeksi ka përfshirë jo vetëm faktin se në sa vende ke akses falë pasaportës që posedon, por edhe mundësitë e investimeve dhe treguesit e cilësisë së jetesës në secilin shtet.

Vendi i parë

Me një total prej 96.4 pikësh, Shtetet e Bashkuara kanë përformuara më mirë në mundësinë e investimeve të reja, cilësinë e jetës dhe lëvizshmërinë e udhëtimeve. Në studimin e përgjithshëm janë përfshirë tre indekse:

Indeksi i Investimeve (me një rëndësi 25%)

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 4-t. Me të ardhura kombëtare bruto (GNI) prej 66,080 dollarësh dhe tatimin personal prej 37%, SHBA-ja është një opsion “më i favorshëm” për investitorët.

Indeksi i Lëvizshmërisë (50%) SHBA renditet në vendin e 10-të.

Një pasaportë amerikane ofron akses pa viza ose viza pas mbërritjes në 172 vende ose territore.

Indeksi i Cilësisë së Jetës (25%) Shtetet e Bashkuara në vendin e 23-të.

SHBA renditet lart në shumë aspekte që lidhen me cilësinë e përgjithshme të jetës, duke përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm, lirinë, performancën mjedisore, pranimin e emigrantëve dhe lumturinë.

“Shtetet e Bashkuara u ofrojnë investitorëve një treg të zhvilluar dhe të larmishëm ekonomik, si dhe akses në tregun më të avancuar dhe fitimprurës të konsumit në botë,” tha Patricia Casaburi, Dr. Menaxhuese e Global Citizen Solutions.

Në të kaluarën, renditja e pasaportave është fokusuar në numrin e vendeve në të cilat një pasaportë i jep akses poseduesit; megjithatë, faktorë të tjerë të rinj, si p.sh. perspektiva e hapjes së një biznesi në një vend tjetër, kanë sjellë një interes në rritje për përfitimet e marrjes së një pasaporte të dytë.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse SHBA u rendit e katërta në Indeksin e Investimeve është sepse vendi ofron shumë zgjidhje tërheqëse për viza për emigrantët që kërkojnë të investojnë në Amerikë, si programi EB5 Visa, për sipërmarrësit e huaj dhe programi E2 Visa (i mundëson një individi qëndrim në SHBA në bazë të një investimi që do të bëhet brenda territorit të SHBA-ve),” vazhdoi Casaburi.

Pasaporta e Nënë Terezës ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar

Pasaporta e Nënë Terezës, që shenjtores iu dha në vitin 1927, pasi i bëri një kërkesë autoriteteve në Shkup për të vizituar familjen e saj në Tiranë, përpara se të nisej me mision, për herë të parë u prezantua sot, në ditën e shenjtores Nënë Tereza.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, shprehet: “Ky është hapi i parë që një institucion në Maqedoni, shtetëror dhe shkencor po merret me hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Shën Terezës. Kemi gjetur në arkivë pasaportën e Nënë Terezës dhe kjo pasaportë i është dhënë në vitin 1927. Ne po e nxjerrim për herë të parë në dritë”, raporton Top Channel.tv

Por, pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Kur Gonxhe Bojaxhiu mëson se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkruan një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, që të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë. Letra prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.=

Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, thotë: “Disa objekte janë të familjes që vizitoi. Familja e Tonin Shpatit, edhe aty kemi shumë objekte që i ka dhuruar ajo familje me të cilat u ushqye Nënë Tereza në atë darkë. Bëhet fjalë për 15 objekte, të cilat kjo familje ia ka dhuruar në muze në vitin 1997”.

Së bashku me ekspozitën në ambientet e muzeut, u promovua edhe botimi “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, që pasuron më tej historinë e jetës së Nënë Terezës./ KultPlus.com

Pasaporta në kohën e Mbretit Zog: Çdo shqiptar është vëllai yt

Kureshtja na shtyn ta shohim me detaje këtë pasaportë të vjetër të Mbretërisë së Shqipërisë. Shumë ndryshe nga pasaportat e tjera që dolën me pas dhe kokë e këmbë ndryshe nga biometrikja që jemi pajisur sot.

Ajo që bie në sy janë disa rregulla që në vitet 1937 duket se kanë qenë të arta. Janë për kombin, për emrin shqiptar, për gjuhën shqipe, për flamur dhe një urdhër ku këshillohet ruajtja e karakterit kombëtar, bindju ligjeve të vendit.

Kjo pasaportë është një model i viteve 1930 dhe që i përket kohës së Mbretërisë së Zogut./ KultPlus.com